Albspirit

Media/News/Publishing

Për qartësimin e marrëdhënieve shqiptaro–turke

Dr. Erion Piciri

Turqia përjetoi në korrik 2016 një grusht shteti, i pesti, mbas atyre të viteve ’60, ’71, ’80 dhe ’97 të shekullit të kaluar. Fill pas tij nisi spastrimi i ushtrisë, gjykatave, administratës dhe shkollave nga të gjithë ata që mendohet se kanë lidhje me puçin apo nuk janë mbështetës të regjimit. Ngjarje të rënda që nuk i sheh në asnjë vend të Perëndimit dhe të bën solidar me popullin turk që po përjeton këtë traumatizim. Të trishtuar jemi edhe ne miqtë e Turqisë që në shekullin e XXI, në vendin e Ataturkut dhe të shumë bashkëkombësve tanë të flitet për vrasje, burgosje, tradhëtarë, komplotistë dhe të shohim tortura dhe cënime masive të dinjitetit njerëzor. Deri tani, sipas mediave, numri i të ndëshkuarve ka kaluar në mbi 50 mijë, ku janë burgosur rreth 13 mijë ushtarakë, gjykatës, profesorë dhe gazetarë. Evidentimi, ndalimi dhe ndëshkimi i armiqve të brendshëm dhe të jashtëm është në proces.

Falë lidhjeve ‘vëllazërore’ midis qeverive tona, fushata ka mbërritur edhe në Shqipëri e Kosovë. Një pusullë-porosi e përgatitur nga shërbimet sekrete turke, i kërkonte qeverive shqiptare që të bëjnë edhe ato spastrimet në media, politikë dhe shoqërinë civile nga ata që sipas Ankarasë duhet të kenë ndonjë lidhje me puçistët e presupozuar të Turqisë. Ambasadori turk në Kosovë kërkonte arrestimin e një gazetari të njohur se me humor i kishte ftuar pushuesit kosovarë t’i bashkoheshin puçit. E gjitha kjo të bën të mendosh se ka diçka që nuk shkon në marrëdhëniet tona ‘vëllazërore’. Diçka nuk kanë kuptuar mirë turqit me orientimin dhe demokracinë tonë ligjore apo diçka nuk ia janë shpjeguar qartë liderët tanë politikë. Në këtë shkrim po analizoj pak se si arritëm deri këtë pikë dhe po jap disa opinione për ndryshime të nevojshme në marrëdhëniet tona dypalëshe, për të qartësuar veten dhe të tjerët, se siç i thonë një fjale: hesapi i qartë, ndërton miqësi të gjata.

ANAKRONIZMI I VËLLAZËRIVE FETARE

Të gjithë e mbajmë mend, tre vjet më parë kur një mazhorancë e re erdhi në pushtet, në Shqipëri. Kryeministri i ri i vendit, shpalli Turqinë e Erdoganit partner strategjik dhe që atëherë filluan të na quajnë vëllezër të vegjël dhe t’i quajmë turqit vëllezërit tanë të mëdhenj. Kështu filloi vendosja simbolike dhe psikologjike e një marrëdhënie hierarkie, përkujdesjeje dhe dominimi alla otoman midis vendeve tona. Këtu fillon keqkuptimi. Partneriteti pan-europian dhe euro-atlantik u përkthye me apo pa dashje në vëllazëri fetaro-orientale. Si pasojë e këtij statusi, e keqmenaxhimit të politikës së jashtme, qeveria aktuale turke filloi të influencojë politikën tonë të brendshme, të ketë prioritet në investime strategjike, të ndërhyjë në koncesione, të influencojë në komunitetet fetare dhe së fundmi të na kërkojë të përndjekim elitat, të cënojmë lirinë e medias, lirinë e fjalës dhe të mendimit. Tashmë është kaluar kufiri i partneritetit dhe kemi hyrë në një marrëdhënie influencimi. Atë që Rilindasit e vërtetë dhe patriotët shqiptarë e nxorrën me pushkë e penë nga jeta e kombit tonë një shekull më parë, po na i kthejnë për një grusht interesash të paqarta, amatorët politikë të tranzicionit.

Kështu ne kemi hyre në një rrugë pa krye në marëdhëniet tona bilaterale dhe po cënojmë marëdhëniet miqësore midis dy vendeve. Paqartësia në pozicionim, mosshpjegimi i rrugëtimit tonë tek partnerët si Turqia ka krijuar keqkuptime të dëmshme për të ardhmen e bashkëpunimit tonë. Ridimensionimit të politikës së jashtme turke në Ballkan dhe më gjerë ne nuk i jemi përgjigjur në mënyrën e duhur. Si pasojë e përulësisë të pashpjegueshme të autoriteteve të Tiranës (ndoshta edhe të Prishtinës), por edhe një qasjesje të re paternaliste të Turqisë së Erdoganit, në jemi gjetur të papërgatitur. Ata me qëllime të qarta politike, ekonomike, fetare dhe gjeostrategjike ne të paorientuar, të paqartë në rrugëtimin tonë, tolerues dhe përfitues të rëndomtë inagurimesh elektorale. Përpara se të jap disa opinione mbi qartësimin dhe ridimensionimin e marëdhënieve shqiptaro-turke, do ndalem shkurtimisht tek ndryshimi ideologjik i politikës së jashtme turke në kohë nga Ataturku tek Erdogani.

TURQIA NGA QEMALIZMI TEK NEOOTOMANIZMI

Me krijimin e republikës turke, më 1923, pas traktatit të Lozanës, politika e jashtme turke u mbizotërua nga ideologjia shtetformuese e Qemal Ataturkut. Ndonëse me pothuajse të gjithë territorin në Azi, dhe me një popullsi të besimit islam, Ataturku zgjodhi sekularizmin europian. I lindur në Selanik, në një qytet multikuturor mes shqiptarësh, turqish, grekësh, sllavësh dhe hebrejsh ai kishte një forcë të brendshme origjine që e tërhiqte drejt Europës. Me këtë forcë ai e tërhoqi Turqinë drejt një rruge të re që e ndante nga otomanizmi dhe rrënjët e origjinës së saj orientale. Studiuesit e fushës evidentojnë  se që prej krijimit të republikës Turqia u distancua nga Lindja e Mesme dhe në mënyrë të veçantë nga fqinjët arabë, çliroi vendin nga traditat otoman-islamike, lëvizi nga bota Islame drejt Perëndimit, zëvendësoi fenë me sekularizmin, zëvendësoi alfabetin arab me atë latin, hoqi kalifatin, sharian dhe influencën e dervishëve (Ankara Papers, Main Determinants of Turkish Foreign Policy in the Middle East, V8, #1, 2003, pp. 5-22). Lëvizjet e tij ishin vazhdim i Iluminizmit në Perëndim për një ndarje definitive të influencës fetare në shtet dhe shtetit në fe. Me reformat që ndërmori Ataturku i dha kombit turk një vend të respektuar në Europë dhe në botë. Efektet e saj u ndjenë edhe në politikën e jashtme përgjatë gjithë shekullit të XX. Siç do ta profilizonte edhe studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare Mustafa Aydin “Turqia e re nuk ishte perandori por relativisht një shtet-komb i vogël; jo një autokraci apo teokraci por një demokraci parlamentare; jo një shtet i themeluar mbi parimet ekspansioniste por  i dedikuar në ruajtjen e status-quo-së; jo një shtet multinacional, multiracial dhe multifetar siç ishte Perandoria (Otomane), por një shoqëri më “homogjene” (Aydin, M., Determinants of Turkish Foreign Policy and Turkey’s European Vocation, Review of International Affairs, V3, #2, Winter 2003, pp. 308). Për këto ndryshime shumë popuj nën ish-Perandorinë Osmanë e kanë parë ndryshe Turqinë e shekullit të fundit. Raportet e respektit reciprok midis vendeve që ai kultivoi normalizuan marëdhëniet e shumë vëndeve me Turqinë. Por mesa duket paqja me jashtë, nuk gjeti paqen me Turqinë e brendshme.

Kuptohet që Qemalizmi  ka krijuar një ndarje në shoqërinë turke, elitat civile dhe ushtarake që shohin nga perëndimi dhe një pjesë e popullsisë dhe përfaqësuesve të tyre konservatorë fetarë që shohin nga traditat, historia dhe origjina në Lindjen e Mesme. Herë pas here orientimi properëndimor është vendosur me dorën e fortë të ushtrisë, që me atribute kushtetuese i lejohej të ndërhynte sa herë vihej në pikëpyetje orientimi sekular dhe perëndimor i Turqisë. Ngjarjet e ditëve të fundit po tregojnë se trashëgimia e Ataturkut është në pikëpyetje. Ka dyshime të forta se Turqia po largohet nga qasja Qemaliste e shekullit të XX, duke u zhvendosur në një qasje NeoOtomaniste, që buron nga logjika e influencës perandorake të qeverisë konservator-fetare të Erdoganit dhe të tijve. Prej mëse një dekade Turqia po kërkon të zëvendësojë respektimin reciprok të sovranitetit të shteteve në ish-perandorinë osmane në një Commonwealth Otomano-Islamik. Ahmet Davutoglu, figurë qendrore e politikës turke si ish-ministër i jashtëm në vitet 2009-2014 dhe më pas kryeministër i saj në vitet 2014-2016, ishte promotori i rivlerësimit të trashëgimisë së përbashkët otomane të Turqisë dhe vendeve të Ballkanit dhe ndërtimit mbi të të një projekti të përbashkët që do na risillnin, sipas tij, lavdinë e dikurshme të mesjetës. Në një fjalim në Sarajevë në 16 tetor 2009 Davutoglu evidenton me nostalgji epokën otomane në Ballkan si një histori suksesi që duhet rikrijuar. “Si në shekullin e 16, që u pa ngritja e Ballkanit Otoman si një qendër e politikës botërore, ne do bëjmë Ballkanin, Kaukazin dhe Lindjen e Mesme, së bashku me Turqinë, qendrën e politikës botërore të së ardhmes”. Ai na qetëson duke na thënë se nuk është fjala për një shtet otoman në formën klasike, por për një trashëgimi otomane që do jetë bazamenti ku do riintegrohet Ballkani, Lindja e Mesme dhe Kaukazi. Ai apelon për një ribashkim të shumë shteteve që janë afër Turqisë në fe dhe tradita, se ato kanë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e përbashkët. Me fjalë të tjera Shqipëria sipas kësaj logjike duhet ta shikojë si alternativë një ndarje nga Franca, Gjermania dhe vende të tjera të Europës për t’u investuar në një projekt me Turqinë, Turkmenistanin, Sirinë, Irakun, Palestinen dhe vendet e Lindjes së Mesme nga Jemeni deri në Libi. A është e dobishme për ne shqiptarët një alternativë e tillë? Duke lënë mënjanë disa suksese ekonomike relative dhe kalimtare a mundet Turqia të përmbushë etjen tonë fiziologjike për civilizim, kulturë, model politik/shoqëror dhe identitet europian në hapësirën tonë kombëtare? Deri para pak kohësh edhe vetë turqit nuk besonin tek aktualiteti i civilizimit otoman dhe prej një shekulli bën çmos të oksidentalizoheshin. Nëse ata u rimenduan, ne nuk kemi asnjë arsye ta bëjmë këtë.

Politika turke po ndryshon edhe me Lindjen e Mesme. Në ideologjinë e Ataturkut duhej një distancim me botën arabe dhe një afrim i fuqishëm me oksidentin. Për interesat e veta që lidhen me nacional-separatizmin kurd, me marrëdhëniet e gjata dhe të pakurorëzuara me BE-në, me luftrat në kufirin e saj jugor, terrorizmin dhe energjinë, rrymat e brendshme konservatore, Turqia ka zgjedhur të përfshihet fuqishëm në zonë. Është e drejta e saj t’i mbrojë interesat por kjo është një trajektore që nuk ngjan me atë tonën dhe kjo na diferencon. Në këtë kontekst, Turqia mund t’ia lejojë vetes të luajë në atë zonë, të mbrojë çështjen palestineze kundër Izraelit, të konfliktohet me Amerikën dhe BE-në, të ngrohi dhe të ftohi marrëdhëniet me Rusinë, të gjejë aleanca me këtë të fundit dhe me vende të tjera, por kjo nuk është rruga dhe aleancat tona. Për këtë Turqia duhet të qartësohet. Ne nuk mund të japim (si për shembull) një votë për Palestinën në OKB për ‘vëllazërinë’ me Erdoganin dhe të hyjmë në kontraditë me politikën e jashtme të aleatit tonë parësor, Shtetet e Bashkuara. Nga amatorizmi politik apo nga sentimentalizmi vëllazëror, dikush e dha atë votë, por nëse ndodh sërish ne mund të minojmë marrëdhëniet me partnerët parësorë.

Nëse Turqia po rizbulon Lindjen e Mesme, ka parë interesat e saj kombëtare dhe dëshirën për riinfluencim perandorak, kjo nuk është çështja jonë. Nëse Turqia është e ngazëllyer për kthimin në shtëpinë e saj të Orientit siç thotë Stephen Larrabee (F. Stephen Larrabee, Turkey Rediscovers the Middle East, Foreign Affairs, July/August 2007), për ne kjo kthesë është një rrugë e mbyllur përgjithnjë. Nëse Turqia ka vendosur të jetë një aktor në Lindjen e Mesme, Kaukaz, ish-republikat sovjetike, Ballkan dhe Azinë Qendrore për çështje të ekonomisë, sigurisë, energjisë dhe influencës është punë e tyre por ne nuk jemi satelit i interesave të askujt. Ne duam të ruajmë hapësirën tonë, ta integrojmë në BE, të mbajmë lidhje të forta me Shtetet e Bashkuara dhe të avancojmë në forcimin e identitetit tonë europian dhe perëndimor.

SHQIPËRIA NGA RILINDJA KOMBËTARE DREJT EUROPIANIZMIT

Rreth 150 vjet më parë shqiptarët nisën një nga lëvizjet më të rëndësishme të historisë së tyre moderne për një rikthim tek qytetërimi dhe vlerat perëndimore. Burra të mençur dhe të arsimuar ndërmorën një lëvizje për iluminim të kombit të quajtur Rilindja Kombëtare. Ata përcaktuan Perëndimin si ana nga lind dielli ynë, ata përcaktuan shqiptarinë si fe të shqiptarit, gjakun dhe gjuhën si identifikim të vëllazërisë, latinitetin si shkrim, veri-perëndimin si frymëzim. Ata projektuan lirinë e kombit përmes laicitetit, dijes, shkencës dhe kulturës perëndimore. Ata projektuan standarde të larta, majat ku duhet të ngjitemi dhe gabimet që nuk duhet të përsërisim në rrugëtimin tonë drejt krijimit të një kombi të respektuar të Europës. Nën frymën e Rilindjes Kombëtare, të traditës dhe trashëgimisë të burrave të pavarësisë dhe deri tek mendimtarët e kohërave tona si Rugova, Kadare e të tjerë, ne duhet të kemi disa linja të panegociueshme dhe të patjetërsueshme në politikën tonë të jashtme.

Mos identifikimi i kombit me fenë

Sipas Numan Kurtulmush, zëvendëskryeministër i Turqisë “Kosova është pika më e rëndësishme e gjeografisë islame në perëndim” (zëri.info, 23 prill 2016). Ka pasur edhe ndonjë lider perëndimor që për të dhënë shembuj të një islamizmi të moderuar  e ka paraqitur Shqipërinë dhe Kosovën me etiketime fetare. Kjo duhet të korrigjohet. Ne nuk identifikohemi me asnjë besim. Ne kemi republika sekulare që shprehin neutralitet fetar. Kështu identifikohen shumica e vendeve të Europës, Amerikës së Veriut por edhe vetë Turqia sipas kushtetutave të saj të shekullit të XX. Ne nuk identifikohemi si komb me fenë dhe nuk duhet pranuar që në këtë formë të na etiketojnë të tjerët. Të dy shtetet shqiptare respektojnë çdo fe monoteiste dhe janë neutralë ndaj secilës prej tyre. Ne nuk krijojmë aleanca me bazë fetare dhe nuk jemi pjesë e ndonjë fronti fetar në Europë a më gjerë. Këtë traditë e kemi trashëgim nga Rilindja Kombëtare dhe nga mendjet e ndritura të kombit, këtej dhe andej kufirit. Për ne si shqiptarë, ky pozicionim ka një rëndësi të shumëfishtë sepse do na ruante nga ndasitë mes besimtarëve të feve të ndryshme, por edhe midis besimtarëve dhe jobesimtarëve. Me këtë pozicionim, ne nuk mohojmë historinë tonë, nuk mohojmë e as paragjykojmë besimet e shqiptarëve në kohë të ndryshme. Asnjë s’e ka këtë të drejtë. Ajo është çështje zgjedhjeje individuale dhe duhet respektuar. Njëherësh nuk bëjmë një vlerësim, mbi a nënvlerësim të Islamit a të ndonjë feje tjetër. Në këtë pikë duhet të jemi neutralë. Neutralë ndaj fetarizimit, konvertimit dhe indiferencës ndaj besimeve. Ajo që nënvizojmë ka të bëjë me parimin iluminist perëndimor të ndarjes së fesë nga shteti, mospasjes së një ngjyrimi fetar të republikës tonë.

Sekularizëm dhe frenim të ekspansioneve teokratike

Ne duhet të bëjmë kujdes me ekspansionin e rrymave dhe investimeve fetare nga vendet e Lindjes së Mesme dhe kryesisht nga vende si Turqia apo edhe të tjera afër nesh. Këto vende shquhen për një model shoqëror dhe politik që nuk ndan qartë raportet e shtetit me fenë dhe jo pak herë feja përdoret si pararojë për rritje influence social-politike. Situata e brendshme orienton politikën e jashtme. Ndryshimet në raportet sekular-perëndimore në ato fetar-konservatore ndikuan në riorientimin e Turqisë dhe do synojë që diçka e tillë të ndodhë edhe me vende si Kosova dhe Shqipëria. Ata që kanë humbur influencat dhe territoret në Ballkan, e inkurajojnë dhe mezi e presin që ne të gabojmë në këtë drejtim, të ndahemi me Perëndimin dhe të lihemi nën patronazhin e fqinjëve dhe të fuqive që na kanë dominuar në shekujt e kaluar. Ne jemi pjekur nga përvojat tona që të dimë të orientohemi siç duhet në epokën që jetojmë dhe të refuzojmë qasjet që na dëmtojnë.

Ne duhet që sponzorizimin e objekteve të kultit në hapësirën shqiptare ta bëjmë nga vetë komunitetet fetare, besimtarët dhe nga ndonjë fond publik. Kjo e fundit jo për krijimin e një tradite të re të sponsorizimit të fesë nga buxheti publik, por si një shlyerje e përkohshme e detyrimeve që shteti shqiptar ka ndaj shembjeve të objekteve të kultit dhe dëmit që regjimi komunist u krijoi komuniteteve fetare në vend. Ne duhet të monitorojmë dhe parashikojmë me kujdes pasojat e investimeve të huaja në komunitetet tona fetare. Liria e fesë është e garantuar, por infiltrimet e çdo radikalizmi apo politike me fenë duhet të jenë të ndaluara. Ne duhet të garantojmë, si kudo në perëndim, respektin e besimit në shtëpi, kishë e xhami, respektim të sekularizmit dhe neutralitetit fetar në institucione shtetërore dhe hapësirë publike. Kjo do ta ngrejë harmoninë tonë fetare dhe konsolidojë shoqërinë shqiptare. Në duhet të krijojmë marrëdhënie të qarta dhe të vendosim kornizat e bashkëpunimit dhe interesit tonë kombëtar. Ne kemi profilin tonë, harmoninë e brendshme sociale dhe fetare, orientimin tonë që nuk duhet ta negociojmë apo tjetërsojmë për asnjë partner në arenën ndërkombëtare.

Perëndimi si orientim i vetëm

Ka vende si Turqia që kanë fatin të shtrihen në dy kontinente, që i përkasin dy botëve, ne shqiptarët kemi vetëm një kontinent, vetëm një shtëpi të vetme, Europën. Ne nuk mund të jemi edhe Lindje edhe Perëndim, as Lindje dhe as Perëndim, por vetëm Perëndim. Ne nuk duam të zëvendësojmë Europën me asnjë projekt jashtëkomunitar, ne nuk duam të rilindim në formë moderne Perandorinë Osmane si bashkësi shtetesh vasale me qendër Stambollin. Ajo qendër perandorish lindore na ka sjellë shumë fatkeqësi dhe tjetërsime identitare. Në fillim Konstandinopoja dhe më pas Stambolli na ndau forcërisht prej mbi dhjetë shekujsh nga familja europiane që i përkisnim në mënyrë natyrale. Sot kjo ka marrë fund. Me vullnet të lirë ne shqiptarët kemi zgjedhur të orientohemi nga dy qendrat e Veri-Perëndimit: Brukseli dhe Uashingtoni. Europa është nëna jonë e vërtetë, shtëpia jonë e dashur. Ne nuk mund ta pranojmë asnjë qasje që na ndan nga Europa dhe na dërgon në Azi. Ne nuk duam ta rishkruajmë historinë me optikën e fqinjëve, ne nuk duam të fetarizojmë politikën dhe shoqërinë, ne nuk duam vëllazëri fetare që zëvendësojnë vëllazërinë pan-shqiptare. Ky qëndrim duhet të reflektohet mendësinë, gjuhen dhe komunikimet tona bilaterale. Qeveria shqiptare duhet mos përdori më termin oriental fetar ‘vëlla’ në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në veçanti me Turqinë. Ato duhet të zëvendësohen me termat ‘aleat’, ‘partneritet’, ‘respekt reciprok të sovranitetit dhe interesave’, ‘frymë miqësore’ që karakterizon marrëdhëniet tona me anëtarët e NATO-s, vendet mike dhe ato që kemi pasur marrëdhënie të qëndrueshme në kohë.

Refuzimi i orientimit uralo-arabo-anadollian

Gjatë historisë, pa pëlqimin tonë ne jemi inkuadruar shpeshherë me perandoritë dhe superfuqitë e Lindjes. Kjo derë duhet mbyllur. Rikthimi ynë perëndimor duhet të jetë i pakthyeshëm. Respekt për Turqinë, Rusinë, për botën Arabe, për çdo vend të Lindjes së Mesme, por ne shqiptarët gjeografikisht, kulturalisht dhe politikisht duhet të jemi pjesë e pandarë e Europës. Kjo duhet të reflektohet qartë dhe pa ekuivok në politikën tonë të jashtme.

Duke gjykuar historinë e kësaj bote në retrospektivë, shumë do dëshironim që mos kishim qenë apo të kishim dalë nga këto perandori dhe t’i bashkoheshin në kohë zhvillimeve në kontinentin europian por kjo ishte e pamundur. Perandoritë ishin të fuqishme ushtarakisht, forcat e jashtme të parëndësishme, ne të vegjël për të bërë ndryshime të mëdha. Ai ishte fati ynë. Nuk jam as me ata që fajësojnë paraardhësit tanë. Ata gjetën mënyra për të jetuar në Perandorinë Bizantine dhe Otomane, ruajtën pasuritë,  rendin dhe administrimin e punëve lokale. Ata zgjodhën besimin që e menduan më të mirin për familjet dhe komunitetet e tyre. Disa me forcën individuale bën edhe karrierë në nivele të larta por kjo nuk përmbush arritjet që do kishim pasur duke qenë pjesë e lirive, kulturës, transformimeve dhe rrymave politiko, ekonomike, industriale dhe fetare të Perëndimit. Na mungon kjo memorie historike dhe duhet ta përftojmë rishtazi. E rëndësishme është të jemi të përgatitur që historia mos përsëritet në kohë të reja. Ndryshimet e balancave të pushtetit nuk duhet të na gjejnë më në pjesën Orientale të botës dhe në paketë të ndryshojmë padron nga bizantini, otomani, sovjetiku dhe të rikthehemi tek një nga këto perandori lindore në të ardhmen. Këtë destin ne kemi mundësinë ta kontrollojmë sot.

FORCIMI MBI BAZA TË REJA I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-TURKE

Marrëdhëniet me Turqinë duhet të ndjekin linjën e miqësisë të sinqertë të shekullit të XX. Ne i jemi mirënjohës Turqisë për rolin e saj në sigurinë Ballkanike dhe kontributin në njohjen e Kosovës. Ne duhet t’i sqarojmë miqtë turq për orientimin tonë properëndimor dhe proeuropian. Gjeografia, historia, vokacioni, traditat, orientimi, situata e brendshme, interesat dhe identitetet tona kombëtare i kemi të ndryshme, por kjo nuk është pengesë për marrëdhënie miqësore. Ne duhet t’i sqarojmë turqve dhe të tjerëve që ne e ç’mojmë shumë sovranitetin dhe nuk pranojmë marrëdhënie eklipsuese, paternaliste prej askujt. Në takimin e Prizrenit, presidenti turk Erdogan do shprehej përpara kryeministrave Thaci dhe Rama se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”, duke e lidhur destinin e tyre me tonin. Në fillim të shekullit të XX kur destinet tona ishin lidhur në këtë formë shqiptarët humbën mbi 2/3 e territorit dhe u ndanë në disa shtete. Kjo nuk duhet të përsëritet. Nëse dikush dëshiron turqizimin e Kosovës kjo është akoma më e papranueshme. Nëse dikush do ta relativizojë këtë tendencë, e ka gabim. Që Turqia të bëhet Kosovë nuk ka shans në një vend që nacionalizmin e ka në kushtetutë, imperializmin në traditë, forcën për të ruajtur sovranitetin dhe për të diktuar të ardhmen e tyre. Por që Kosova të bëhet Turqi, projekti ka filluar të vihet në zbatim. Turqit janë investitorët kryesorë, marrin pika strategjike, investojnë fuqishëm në gjallërimin fetar dhe objektet e trashëgimisë kulturore otomane. Si fazë e parë janë mjaft mirë në projektin e rikuperimit të influencës ekonomiko-politike dhe social-kulturore. Në një fazë të dytë kur kolonët e otomanizmit të kenë lulëzuar sa duhet, modifikimi i përfaqësimit, modifikimi i modelit dhe orientimit janë pasoja logjike të këtij tjetërsimi. Atëherë, ç’duhet bërë? Ne nuk duhet të pretendojmë të modifikojmë politikën e jashtme të ndonjë vendi partner, por mund të kufizojmë efektet e asaj në hapësirën shqiptare. Nuk është as në fuqinë dhe as në objektivin tonë si shtet të frenojmë qasjet imperiale të një fuqie rajonale apo superfuqie globale. Në dorën tonë është të ndalim çdo projekt, iniciativë apo lëvizje që na inkuadron në një zonë influence pa vullnetin tonë. Me këtë kontekst marrëdhëniet shqiptaro-turke duhen rivendosur në të tjera koordinata nga ç’janë kohët e fundit. Duhen sqaruar më qartë qëndrimet tona që edhe turqit të na nxjerrin nga harta e tyre. Ne jemi pjesë e një tjetër bote.

Duke e lidhur me momentet e vështira që po kalon kombi turk, për të cilën folëm në krye të herës, ne duhet t’i qëndrojmë pranë si miq të mirë. Ato kanale politike të afërta me Erdoganin dhe regjimin e Ankarasë duhet t’i flasin për një drejtim lidershipi të vërtetë edhe në kohë krizash. Asnjë vendi nuk i lejohet të shkeli parimet demokratike, të anashkalojë shtetin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave universale të njeriut. Këtu përvoja e Perëndimit është shumë e vlefshme dhe në mënyrë bujare mund t’ia afrojmë popullit turk dhe autoriteteve të tij. Jetojmë në epokën kur një shtet a regjim (de)legjitimohet nga trajtimi ndaj individit, nga mënyra njerëzore, sipas ligjeve dhe konventave ndërkombëtarë, e trajtimit të të burgosurit, të fajshmit dhe të pafajshmit, kundërshtarit dhe armikut.

Politika turke po kalon momente të turbullta, ndryshimi aleancash dhe rrisqesh sigurie. Ne mund të jemi një mbështetje dashamirëse për miqtë tanë turq që mos i ndahen procesit europian të natyralizimit nisur nga Ataturku. Turqia ka nevoje per civilizimin perëndimor sikurse edhe Perendimi ka nevojë për potencialin gjeostrategjik të sigurisë që afron Turqia. Të shpresojmë që ky deviacion të jetë kalimtar dhe rrugëtimi ynë i përbashkët europian të vazhdojë. Kjo i sherben edhe miliona bashkëkombësve tanë që jetojnë në Turqi.

Please follow and like us: