Rrihte para dhe pas buke burrin Lutfi, Rajmonda dënohet me 150 mijë lekë gjobë
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 50 mijë lekë gjobë Rajmonda Tushën, 35-vjeçe, e cila akuzohet se ka rrahur ish bashkëshortin, Lutfi Ahmetajn. Gjyqtari Arben Micko dëgjoi pretendimin e prokurorisë, që kërkoi dënimin e Rajmondës për veprën plagosje e lehtë me dashje dhe dënimin me 150 mijë lekë. Ndërkohë, avokati kërkoi pafajësi. Në fund, gjyqtari vendosi “deklarimin fajtor të të pandehurës Rajmonda Tusha për kryerjen e veprës penale të ‘plagosje e lehtë me dashje’, dhe dënimin e saj me gjobë 50.000 mijë lekë gjobë. Afati i shlyerjes së gjobës do të jetë 1 vit pasi vendimi të ketë marrë formë të prerë” thuhet në vendim.
Prokuroria, në konkluzionet e saj, pretendonte se 35-vjeçarja, më 22 shkurt, e ka qëlluar ish-bashkëshortin me vazo lulesh, me çadër dhe sende të tjera rrethanore që gjeti në banesë, pas një sherri të nisur për djalin. Për këtë akuzë Prokuroria ka bashkëngjitur edhe raportin e ekspertimit të burrit të rrahur nga bashkëshortja.
Pak muaj më parë, TCH raportoi edhe historinë e këtij çifti. Sipas tij, Lutfi Ahmetaj, është bashkëshort i paditëses, në mënyrë të vazhdueshme, ku duhen veçuar datat 06.05.2010, 09.05.2010 dhe 13.05.2010, ka ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj bashkëshortes së tij Rejmonda Ahmetaj dhe ka kërcënuar nëpërmjet telefonit prindërit e saj Dervish Tusha dhe Hatije Tusha.
Fakti i mësipërm është vërtetuar me akt dëshmi mjeko ligjore nr. 468 datë 17.05.2010, sipas të cilit rezultonte se në trupin e të dëmtuarës Rejmonda Ahmetaj, janë konstatuar hematoma të ndryshme të cilat janë shkaktuar nga goditje me mjete të forta mbretëse. Dëmtimet e mësipërme futen në grupin e dëmtimeve që shkaktojnë paaftësi të përkohshme në punë në masën deri në 9 ditë.
Ndaj 35-vjeçares ka pasur një urdhër-mbrojtjeje, pasi është dhunuar dhe kërcënuar nga bashkëshorti. Por duke qenë se çifti tashmë i ndarë jeton ende në të njëjta ambiente, ky urdhër mbrojtjeje rezulton fiktiv dhe i pazbatueshëm.