Shpallet në kërkim ndërkombëtar bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea
Shpallet në kërkim ndërkombëtar shtetasi Odhise Andrea, bashkëshorti i ish-gjyqtares së Gjykatës së lartë Majlinda Andrea. Interpol Tirana kërkon ndihmën e policive të vendeve të tjera për arrestimin e Odhise Andreas, veçanërisht të Italisë, ku dyshohet se mund të jetë fshehur. Odhise Andrea së bashku me gruan, Majlinda Andrea u larguan nga Shqipëria një ditë para vendimit për arrestimin e tij. Gjyqtarja e pezulluar u rikthye në Shqipëri nga Italia, ndërsa burri i saj jo.
Odhise Andrea akuzohet se përmes sekserit Petraq Dashi ka marrë 50 mijë euro, që e shoqja të jepte një vendim në favor të Ilia Çabirit dhe Eleni Linos, për njohjen e pronësisë së rreth 40 hektarëve tokë në Butrint. Një ditë pas dhënies së parave, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe Majlinda Andrea, u shpreh në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino. Gjykata pak ditë më parë vendosi që Eleni Lino të hetohet në masën arrest shtëpie, ndërsa Ilia Çabiri dhe Petraq Dashi u lanë në arrest me burg. Një ditë më parë prokuroria vendosi sekuestro për 50 mijë Euro të çiftit, në dy banka të nivelit të dytë.