Sundimtari Gjin Zenebishi
Gjin Zenebishi ishte sundimtar i fuqishëm, zotërimet e të cilit përfshinin në çerekun e fundit të shek.XIV Gjirokastrën me rrethe, krahinën e Vajenetisë dhe shkonin në jug deri në afërsitë e Janinës dhe të lumit Gliqi në Çamëri. Gjin Zenebishi u ndesh në një konflikt të gjatë me despotin serb të Janinës Thoma Preljuboviç i cili thirri kundër tij osmanët nga Tesalia më 1380 dhe 1382. Më 1396 forcat e Gjin Zenebishit bashkë me ato të Gjin Bue Shpatës shpartalluan në Drisk një ushtri të Evrenoz Beut. Në aleancë me sundimtarë të tjerë shqiptarë, i shkaktoi një disfatë edhe Karl Tokos të Qefalonisë. Më në fund pati konflikte edhe me Venedikun. Pas vdekjes së Gjin Zenebishit osmanët rrethuan Gjirokastrën dhe më 1418 e pushtuan bashkë me një pjesë të zotërimeve të tjera të Zenebishëve.