Turqia shkarkon 88 vetë nga Ministria e Jashtme
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha sot se 88 të punësuar, përfshirë 2 ambasadorë, janë shkarkuar nga Ministria e Jashtme turke, në serinë e fundit të spastrimeve të përkrahësve të dyshuar të klerikut Fetullah Gulen, i cili jeton dhe vepron në SHBA, njofton Reuters.
Gulen po akuzohet nga autoritetet turke për organizim të grusht shtetit të dështuar të 15 korrikut nga ushtria në Turqi.
Por, Gulen mohon përfshirjen në grusht shtetin e dështuar, në të cilin së paku 246 njerëz, përjashtuar komplotistët, u vranë.
Autorietetet turke kanë shkarkuar, suspenduar apo kanë nisur hetime kundër dhjetëra mijëra njerëzve të punësuar në institucionet shtetërore, përfshirë ministritë, forcat e armatosura dhe policinë, që dyshohet se kanë lidhje me Gulenin dhe lëvizjen e tij.