Albspirit

Media/News/Publishing

U bë si u bë Reforma, por u bë… Do të prishet?

Eden Babani, Bruksel

“Bac, U kry!…”
Me këtë logo, që u shndërrua sakaq në proverbiale, shpërtheu gazmendi anekënd Kosovës ditën e Shpalljes së Pavarësisë, më 17 shkurt të 2008-s. Gjysma jonë shqiptare, pjesa më e madhe e asaj që banon jashtë kufijve të Shqipërisë ashtu të quajtur Londineze, nuk u ndrydh pranë zjarrit, por e zbrazi rrugëve e shesheve prushin e mbajtur ndezur në gji prej dhjetëra vitesh, ndonëse atë ditë shkurti ngricat shkuan deri 10 gradë nën zero. Kosovarët e sfiduan egërsimin e klimës, e gdhinë natën rrugëve e shesheve. Prishtinasit gjithashtu.

U bë në Tiranë Reforma në Drejtësi, nën zhegun përvëlues të korrikut, një eveniment i rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt botës së qytetëruar perëndimore. Por rrugëve e shesheve të Shqipërisë, gjithçka ndoqi rrjedhën e zakonshme të një vere të nxehtë, duke i përcjellë njerëzit nëpër plazhe. Vetëm në Tiranë u mblodh një turmë amorfe derdimenësh të zgërlaqur, që pohuan me plot gojë se po manifestonin atë ditë përpara Kuvendit, pa ditur përse, për “meeting” apo për “vetting”. A mund t’i jepnin ata historisë një mesazh më të pakuptimtë se kaq?

Ne nuk i thamë kujt “U krye!…” Jo se s’ kemi ndonjë “Bac”. Kemi, madje më shumë se një. Kemi Ismail Qemalin, Plakun e Vlorës së Pavarësisë, ose Mbretin Zog i Parë, fjala vjen, falë të cilëve, sot gëzojmë pavarësinë dhe këtë shtet që mjerisht i është vënë kazma qysh prej nisjes së Luftës së Dytë Botërore dhe që prej më se shtatëdhjetë-e-ca vjetësh po i gërryhen themelet dita-ditës. Si do t’i përjetonin atje në përjetësi Ismail Qemali, Zogu i Parë dhe Bacë Ademi mesazhet e këtyre dy ngjarjeve historike, përafërsisht me të njëjtat përmasa? Them kështu, sepse një shtet ku mbretëron mosligjësia, ndonëse ligje ka, ku drejtësia është në duart e një kaste njerëzish të korruptuar politikisht dhe administrativisht, është i taksur të zhduket nga historia. Kurse ata të tre, Ismail Qemali, Ahmet Zogu dhe Adem Jashari, u përkasin të gjithë shqiptarëve, jo vetëm Vlorës, jo vetëm Matit, jo vetëm Drenicës. I përkasin Çështjes së madhe Shqiptare të nisur qysh më 1912. Në funksion të këtij ideali të madh kombëtar, pritet të jetë Reforma në Drejtësi, sapo e miratuar formalisht në Kuvendin e Shqipërisë.

Në këtë rrjedhë arsyetimi, nga njëra anë, veç tri fjalë: “Bacë, u kry!…” Më thjesht e më saktë s’ka si bëhet. S’ka si bëhet as më bukur shqiptarisht. Nga ana tjetër një mesazh i pakuptimtë: “Po manifestojmë për të mirën e popullit shqiptar” (!). Kështu përçartën të zgërlaqurit, kurdisur prej ndokujt që i druhet llogaridhënies, bash prej asaj Reforme që, mos o Zot, të ketë lindur e zgërlaqur. Gjithsesi, ajo u bë, por jo falë atyre gjoja manifestuesve që u mbështetën prej një lidershipi të dështuar politikisht dhe prej një diplomacie që veç diplomaci nuk mund t’i thuash. Ajo e mori leje-kalimin falë tjetërkujt, fjalë atyre që pavarësinë (sovranitetin) e vendit nuk pranuan ta hidhnin në treg përballë çdo lloj çmimi, sado që pati kalemxhinj që “filozofuan” të kundërtën ose që qeshën e u tallën me idealet e sovranitetit.

* * *
Ka një javë që Reforma në Drejtësi u bë. U bë si u bë, por u bë. Më saktë, u votua si u votua, por u votua.

Për shumë vjet gëzuar Reformën! – do të ironizonte At Gjergj Meta, prifti atdhetar i Durrësit, të nesërmen e 21 korrikut. Të lumtë goja, At Gjergji! – do t’i thosha, duke iu bashkuar ironisë së tij. – Llafi yt, në vesh të Perëndisë!

Sepse s’dihet në do të arrihet e si do të arrihet të piqet e të bëhet ajo e shkretë Reformë.

Planet janë të mëdha, projektet tepër joshëse, kurse retorika politike po fluturon rrëmbimthi në rrafshe të paarritura elokuence, për të na mbushur mendjen se Shqipëria shpëtoi njëherë e mirë nga e keqja e të gjitha të këqijave: drejtësia e munguar. Blofet, gjithashtu. Madje pritet që ato të shpërthejnë në një lulëzim të paparë. Blofe liderësh politikë, blofe mediatike, blofe komisionesh dhe komisionarësh, blofe ekspertësh, blofe kryeartikujsh, blofe editoialistësh skutha, blofe analistësh të përçartur, blofe më the të thashë që s’ka bir nëne t’i klasifikojë. Blofe të atilla që do të na ndjellin të vjellët e do të na i bien zorrët në fyt, më keq se ç’na i kanë prurë. Mjerë ne, që po hyjmë në stinën e re të lulëzimit të blofeve, të cilat do ta shtojnë kakofoninë politike, edhe kështu të papërballueshme.

A ka si bëhet kakofoni më e organizuar se kjo që po përjetojmë prej së enjtes, sot një javë, e këtej? Kryeministri pati mirësinë ta bekonte atë ditë të bekuar, duke i falur administratës shtetërore një ditë pushimi, ani se pushimin e zhvendosi tri ditë në kalendar, bash për të hënën, më 25 të muajit. Pse? Ai druan ta thotë psenë, ani se ia plasi në sy Dr. Berisha, mu në mes të Kuvendit.

Në atë valë kakofonie shurdhuese, si për ta rënduar edhe më, doli Drejtoresha e Doganave, – një institucion me shtrirje bajagi të madhe, që nis në Vermosh e mbaron në Konispol, – dhe iu kundërvu bash atij të cilit ia ka puthur dorën si me e pas puthur dorën e Papës. Të mblidheshin para, me demek, me që, siç flitet, financat e shtetit janë në ditë të kiametit.

E qëllimshme apo e rastësishme? E rastësishme, jo e jo. E qëllimshme, po. Madje, në funksion të kakofonisë. Ca e konsiderojnë çarje brendapërbrenda institucioneve të shtetit, atij të Kryeministrit dhe të Drejtorisë së Doganave. Ata shohin, mbase, afrim të Drejtoreshës me atë krah të mazhorancës, i cili po zbythet dita-ditës drejt fundit të aleancës qeverisëse. Po, a kishte ajo drejtoreshë këllqe që të përballej me Kryeministrin, qoftë edhe sikur ta mbante nën sqetull Kryeparlamentari? Ca të tjerë e komentojnë si qëllim të Kryeministrit për të lëshuar bomba tymëse, për të shtuar mjegullën politike pas goditjes që mori nën brez më 21 korrik.

Ashtu ose kështu, falë blofeve dhe kakofonisë marramendëse, u gjendën gojë që të bërtisnin ca ditë: “Rroftë!…” Zaten atij farë soj mileti, nuk i duhet më shumë sesa një copë bukë, tra-la-la dhe një copë litar që t’ia shtrëngojnë në fyt sa herë ta lypë nevoja. Ç’i duhet pse u bë Reforma? Ç’i duhet të dijë kush humbi, kush fitoi? Ç’i duhet, në fund të fundit, në fitoi apo humbi për veten e vet? Mjaft që tymnaja të shtohet, të mbështjellë ç’të mundë dhe të japë kohë për t’ia zënë sërish frymën Reformës e cila u bë si u bë, por u bë. Dhe ja, si erdhi sërish kjo ditë e atireformës, papritur e pakujtuar. Sebep, ca fonde (më saktë: ca lëmosha), të cilat s’ngrenë peshë në grabitjen marramendëse që i është bërë pasurisë sonë kombëtare.

Sinjale të tilla, sa të besueshme aq edhe të dyshimta, po vijnë herë përmes kanalesh politike, herë prej atyre diplomatike. Mos qoftë e thënë që, falë atyre “fondeve”, me ose pa vetëdije politike a diplomatike Reforma të groposet foshnje shtatë-tetëditëshe.

Please follow and like us: