Vlahutin kundër mediave që e kritikuan: Një pjesë e medias u përdor kundër reformës
Intervista e ambasadores Vlahutin, te emisioni Tonight i Ilva Tares kaloi pa u vënë shumë re. Kjo edhe për faktin se roli i saj u kompromentua gjatë negociatave për reformën, pasi PD e konsideroi palë me qeverinë dhe negociatore të njëanshme të pabesueshme. Edhe për faktin tjetër se ajo kishte folur pas miratimit të reformës në një intervistë për Deutsche Welle dhe s’kishte thënë asgjë tjetër veç faktit që përfaqësonte interesat e BE në Tiranë. Por ndryshe nga sa u mendua, ambasadorja pati një moment të rëndësishëm në këtë intervistë. Ajo akuzoi një pjesë të medias se ishte përdorur për të punuar kundër reformës. Akuza këto që vijnë pas qëndrimeve kritike të PD ndaj saj, që u botuan në media të shumta dhe pas qëndrimeve të tjera që mbajtën disa media se reforma duhej miratuar me konsensus.
Ajo çfarë nuk kishte parashikuar zonja Vlahutin ishte fakti që PD do të bënte kaq shumë rezistencë jo për të mos e miratuar reformën, por për ta miratuar atë sipas standardeve. Por ajo thtoë se përkundër kritikave që u përhapën në emër të PD –së për të në media, vetë nga PD nuk ka patur ndonjë kritikë në sy. Kryetari i PD, Lulzim Basha, në mënyrë indirekte e akuzoi atë për një deklaratë të dalë nga zyra e Mogherini-t, që u bënte thirrje deputetëve për të votuar individualisht. Por Vlahutin thotë se ky ishte qëndrimi zyrtar i BE dhe jo qëndrim personal i saj.
Pjesë e intervistës:
Vlahutin: Kam dëgjuar që kanë patur këto kritika, nëpërmjet medias, por kur jemi takuar ballë për ballë, unë do të thoja që kanë qenë diskutime shumë konstruktive, sidomos me PD, ka qenë një takim i cili ka zgjatur rreth 3 orë dhe të gjitha pyetjet që u bënë, ishin pyetje të mirëinformuara.
Tare: Media ka raportuar se nga burimet brenda mbledhjes së PD, është thënë se deklarata e bërë nga zonja Mogherini në 5 qershor në lidhje me nevojën për ta votuar reformën me maxhorancën prej 2/3 e votave, si keqinformim i zonjës Mogherini nga ju. Keni një koment për këtë?
Vlahutin: Së pari ka një gabim faktik. Herën e parë kur Brukseli foli zyrtarisht për mbështetjen, për votimin kushtetues, 2/3, nuk ka qenë në deklaratën e zonjës Mogherini por të komisionerit Hahn disa ditë më parë në datën 2 qershor. Pra, që prej fillimit, ambicia apo synimi i të gjithëve ka qenë që të kishim një votim konsensual ose nga të gjithë deputetët në parlament sepse kjo do të pasqyronte, në rast se do të shprehem kështu, mbështetjen e madhe të publikut dhe natyrisht që publiku është në të dyja kahet e politikanëve. Por, ne kemi patur diskutime të gjata me shtetet anëtare, në selinë tonë qendrore në Bruksel për cilësinë e reformës dhe cilësia e reformës ishte më e rëndësishme se sa miratimi me konsensus, kështu që, në rast se mund të kishim të njëjtën cilësi reforme me të gjitha votat, e përsosur do të ishte por ama nuk kemi qenë të gatshëm që të mbështesnim një situatë në të cilën kjo do të kompromentohej në çfarëdolloj mënyre, pra nuk ka qenë zonja Mogherini, ka qenë komisioneri Hahn në datën 2 qershor dhe pastaj zonja Mogherini, ka ardhur deklarata e saj direkt nga Brukseli pak ditë më pas, pasi donim të tregonim që të gjithë në Bruksel janë në të njëjtën linjë mendimi. Por kjo sjell edhe një pyetje interesante për atë se sa njerëzit e kuptojnë se sa shumë funksionojnë institucione, sidomos ato të BE, sepse kjo ideja që dikush mund të jetë një aktor individual, thjesht nuk është e mundur. Ka një bashkërendim shumë të madh ndërmjet të gjitha shërbimeve këtu në Tiranë, por po ashtu dhe institucioneve si komisioni, kabineti i zonjës Mogherini, parlamenti europian, shtetet anëtare se duhet të kuptoni që janë shtetet anëtare që kanë qenë në mënyrë absolute të përfshira, mbaj mend ditë që unë shkëmbeja disa qindra mesazhe për të njëjtën gjë, kështu që kjo është një gjë të cilët ndoshta nuk e kuptojnë ose me qëllim e keqinterpretojnë. E rëndësishme është që qytetarët e Shqipërisë të dinë dhe të kuptojnë që të gjitha gjërat që ka bërë komuniteti ndërkombëtar, ka qenë plotësisht e bashkërenduar, jo vetëm ndërmjet institucioneve të BE por edhe me partnerët tanë në Ëashington por edhe këtu në Tiranë.
Po thoni që ajo fushatë mediatike që u krijua për të dhënë idenë se qëndrimet tuaja në Tiranë ishin të ndryshme nga qëndrimet dhe deklarimet e Brukselit ishte krejt e pavërtetë?
Vlahutin: Është tërësisht e pavërtetë
I dini autorët e kësaj fushate?
Vlahutin: Jo, nuk e di dhe t’ju them të vërtetën, as nuk kam kaluar kohë të merrem me këtë gjë. Unë jam analiste mbi të gjitha dhe para shumë kohe kur filluam këtë gjë, unë e dija që në një moment të caktuar, ata persona të cilët e kanë frikë reformën, nuk e duan reformën, do të përdorin shumë lloj mënyrash dhe së pari dhe mbi të gjitha një pjesë të medias për të punuar kundër reformës dhe unë e kisha informuar Brukselin që do të ketë një përshkallëzim në një moment të caktuar pasi kjo është e logjikshme sepse është një reformë tejet e madhe dhe do të preken shumë interesa dhe është normale që ata do të përpiqen që të luftojnë kundër kësaj. Kështu që unë e shoh këtë si një analiste politike dhe më duhet të them që momenti kur ne e kuptuam që kishte një opozitë e cila ishte në rritje kundër reformës, atëherë unë e kuptova që ne po bënim diçka të mirë.