Albspirit

Media/News/Publishing

5 spiunët më të mëdhenj të KBG

kim-philby-red-ii-e1426883695469-1Në histori, shumë prej spiunëve më të mëdhenj botërorë kanë qenë agjentë të infiltruar për llogari të Rusisë.

Një rast i tillë është ai i pesëshes së Kembrixhit, ku bën pjesë edhe Kim Philby, i famshëm tashmë për shqiptarët. Ky grup spiunësh britanikë, mori këtë emër, sepse u rekrutua nga shërbimet sovjetike, kur pesë anëtarët studionin në Kembrixhit.

Pesëshja e Kembrixhit ishte një rreth spiunësh sovjetikë në Britani, të cilët i kalonin informacione Bashkimit Sovjetik, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në fillimet e viteve ’50.

Brenda një dekade apo më shumë, të diplomuarit Donald Maclean, Guy Burgess, Kim Philby, Anthony Blunt dhe John Cairncross kishin punuar për të arritur deri në poste të rëndësishme të inteligjencës, të cilët ata i përdoren për t’i kaluar sekrete sovjetikëve.

Në sajë të këtyre agjentëve të dyfishtë, të cilët thuhet se ishin të motivuar nga ideologjia, e jo paratë, Bashkimi Sovjetik mësoi në lidhje me një plan të Aleatëve për të dërguar kryengritësit anti-komunistë në Shqipëri, si dhe strategjinë ushtarake të SHBA-Britani gjatë Luftës së Ftohtë.

I pari është Kim Philby, i cili mendohet se ka dëmtuar më shumë inteligjencën britanike dhe amerikane duke i dhënë informacione të vlefshme Bashkimit Sovjetik. Donald Duart Maclean u rekrutua, kur ishte akoma student në Kembrixh dhe u bë kolonel në KGB. Guy Burgess dhe Anthony Blunt (Antoni Bllant) kontribuan në kauzën sovjetike me transmetimin e dokumenteve sekrete të MI5, që përshkruanin strategjinë ushtarake. Anthony Blunt ishte një historian arti dhe marksist i betuar.

Kim Filbi, ose heroi gjeneral i spiunëve

Në krye të seksionit të shërbimit sekret anglez ishte Kim Filbi. Ky seksion merrej me luftën kundër spiunëve të Moskës. Dhe për çudi në krye të këtij seksioni ishte ai që bëri aq emër në historinë e agjentëve botërorë.

Ai lindi në Indi, koloni e Anglisë; djalë kurajoz, pak rebel, mendohej gjatë para se t’i futej një problemi, por mund të përmbyste edhe malet për ta realizuar atë.

Nuk ndërronte mendje kollaj dhe qëndrimin e vet e kishte deklaruar: “Urrej fashizmin deri në vdekje dhe varrin e dua në Rusi”. Më 1929 në Angli erdhën në fuqi laburistët, vit që shënoi edhe vendosjen e marrëdhënieve mes Bashkimit Sovjetik dhe Anglisë dhe ky vit shënoi edhe fillimet e një simpatie te anglezët ndaj revolucionit rus e B.S. Modeli sovjetik po simpatizohej deri aty sa shumë të rinj intelektualë, përfaqësues të shtresave të pasura, kishin nisur të përbuznin jetën e tyre mondane e të shfaqnin shenja rebelimi ndaj klasave të pasura.

I tillë ishte edhe Kim Filbi që, duke u ndjerë afër ideve të komunizmit, u bë anëtar i një shoqërie tepër sekrete ku aderonin mjaftë të rinj të tjerë disa prej të cilëve hynë në listat e KGB-së.

Studioi për histori e ekonomi, vendosi lidhje me simpatizantë të tjerë, madje edhe në Francë e Gjermani me një qëllim të madh: luftë kundër nazistëve gjermanë. Herë nga Anglia e herë nga Austria, vendi ku kishte mjaftë çifutë, por që ishte edhe vendi më antisemit i botës,

Kim Fildi u vu nën shërbimin sovjetik, gjithnjë i vëmendshëm e besnik për çështjen e revolucionit botëror. Në Austri, ku gjermanët ishin ulur këmbëkryq, ai pa me sytë e veta ç’masakra bënin nazistët, imazhi i të cilave la gjurmë të thella në shpirtin e djaloshit. Mjaftë i vëmendshëm e kurajoz ai ndiqte përparimin e nazizmit nëpër Evropë.

Në Austri u njoh me Licin, një vajzë hebreje me të cilën u dashurua dhe ndikimi i saj anti-Hitler ka qenë jo i paktë te agjenti i ri, shpirti i të cilit ishte përmbytur nga idetë komuniste. Për gjashtë vjet rresht çifti i ri forcën, kurajon, energjitë i vuri në shërbim të luftës kundër fashizmit, kësaj murtaje që s’po përmbahej as tej Gjermanisë. Kur Lici ishte në listat e atyre që do të arrestoheshin, ajo iku në Angli, ku mori edhe nënshtetësinë angleze e që edhe në vendin e ri, çifutja e re dhe e shkathët si një zhivë u vu në kontakt me partinë komuniste angleze duke e vënë përfundimisht të shoqin në shërbim të komunizmit sovjetik.

Rekrutit të ri plot talent iu besua detyra e ngritjes së një rrjeti më të gjerë që do të viheshin nën shërbimin rus dhe këtu del Gij Bërgesi, takimi me të cilin u krye në një klub të Londrës ku u fol se nëse gjendeshin elementë fashistë që kishin mundur të filtronin mes rradhëve të komunistëve britanikë.

Por duke patur frikë nga e kaluara e tij si simpatizant i lëvizjes komuniste, mendoi t’i braktiste ato, të fshihte dosjen e vet dhe duke shfrytëzuar diplomat që zotëronte, aftësitë e tij si gazetar, njohjet dhe lidhjet e babait me njerëz të sferave të larta, arriti të krijojë lidhje në shoqatën anglo-gjermane deri atje sa Gebëlsit, atëherë ministër i propagandës në Gjermani, iu propozua që Filbi mund të punonte në Berlin.

Dhe vajtja në Gjermani sigurisht solli njohje të mëdha duke rritur kështu besueshmërinë e rusëve ndaj emrit të tij. Ai mundi të sigurojë disa emra prapa të cilëve ishin elementë nazistë që operonin në klasën politike dhe administratën e lartë britanike. Por Filbi pati synime më të larta: zbuloi se së shpejti në Spanjën e Frankos do të plaste lufta civile e që më pas atij iu besua Spanja duke infiltruar kështu në rrethin e ngushtë rreth Frankos. Sërish ai vuri në shërbim njohjet e babait i cili tashmë pati menduar se i biri e kishte braktisur komunizmin dhe tani i interesonte vetëm gazetaria.

Por arritja në Spanjën e ndezur nga lufta solli një incident që për pak do ta kishte varrosur Filbin; iu gjet në xhep një kod dhe ai shfrytëzoi madhështinë që të jep një çast i vetëm, por i madh. Pak hapësirë, një sekondë dhe ai mundi të gëlltiste një copë letër… Dhe gjithçka më pas në Spanjë foli për të. U plagos në një aksident, ndërsa shkonte si një gazetar në një front lufte e Frankoja e dekoroi. Filbi këtu ishte bërë me krahë. Ai po depërtonte tani në rrethin e ngushtë të Frankos e prania aty i siguronte jo pak të dhëna të cilat fluturonin drejt Moskës. Këtu, siç del më pas nga dokumentet e KGB–së Filbi ka propozuar vrasjen e Frankos, por që s’kishte gjetur miratim në qendrën e vet në Moskë. Të tjera rrugë e afronin me rrethin e Frankos. Gruaja e një baroni anglez, një femër me rëndësi në sferat e larta të shoqërisë u bë e dashura e re e Filbit.

Kjo marrëdhënie rriti mjaft vlerat e tij si agjent, por prishi familjen. Lici tashmë i kishte kuptuar marrëdhëniet e të shoqit me të. Ata nuk u grindën kurrë e gjer në fund mbetën miq të mirë. Qendra sërish kërkonte të tjera prova nga Filbi. Atij i duhej të hynte në shkollën e kodeve e të shifrave ku iu besua detyra e instruktorit, ku ai shpalosi vlerat e një profesionisti ku tharmi e intuita ishin në shkallën më të lartë.

Kështu kandidatura e tij pranohej kudo ku ai mund të trokiste.

Fliste shumë gjuhë, njihte mirë shtetet e Europës që bënin politikën e madhe, inteligjent e profesionist. Lidhja e re martesore i siguroi të drejtën që ai t’i hidhte një sy dosjes së shumë agjentëve që luani i deteve- Anglia- kishte kudo nëpër botë. Kur lista u shfaq në zyrat e KGB-së shumëkush nuk u besoi syve. Atje kishte kode që duhej deshifruar. Çdo agjent kishte pesë shifra ku përfshihej vendqëndrimi dhe kodi i tij. Dhe lëvizjet e tij nëpër Spanjë u sollën agjentëve gjermanë që vepronin në këtë vend dëme të mëdha, ku veprimtaria gjermane anti-Britanike kishte bazën e vet në Spanjë e që lëvizja e fundit e Filbit drejt kësaj të fundit i solli dëme të mëdha Gjermanëve.

Kur Gjermania ra, raportet sekrete shkruanin se B.S., pas fitores do të triumfonte duke kërkuar hegjemonizmin saj nëpër Europë. E për të penguar këtë përhapje britanikët duhej të ndërmerrnin hapa konkretë deri te ngritja e një seksioni përkatës. Zyrat e KGB-së i kërkonin Filbit të hidhte në dorë dokumentat e këtij seksioni. Shumëkush s’kishte besim, por ai ia arriti. Sigurisht jo gjithçka rrëshqiste mirë. Një nëpunës i ambasadës sovjetike në Ankara në këmbim të një arratisjeje dhe ca të hollave u dha përfaqësuesve të Anglisë në Turqi emrat e tre spiunëve angleze që punonin për llogari të sovjetikëve. Ishin Filbi, Bërgesi dhe Meklin, por që për fat të treshes posta ra në duart e Filbit i cili njoftoi qendrën. Punonjësi sovjetik “u paralizua” dhe më vonë vdiq.

Gjithçka u mbyll qetësisht dhe tashmë Filbi ishte truri i spiunazhit evropian. Aleanca Atlantike e pa qartë se Hitleri po thyhej e duhej sabotuar komunizmi në Bashkimin Sovjetik. Agjentë të shumtë zbarkuan, por shumica binin në duart e trupave te kuqe. Ishte e qartë; spiunët rusë lajmëronin gjithçka. Ishte viti ’51, kur Kim Filbi ”mësoi” për arratisjen e Meklinit (ai kishte ndihmuar në atë arratisje) dhe që aty ai e kishte fare të qartë se shërbimit të tij po i vinte fundi. Hapi sirtarët e kujtesës së tij duke kërkuar të sistemojë aty gjithçka. Shumë dokumenta i dogji në oxhakun e shtëpisë së tij, të nesërmen edhe aparatet që i kishin shërbyer për fotografimin e dokumentave.

U kthye nga Amerika; u mor në pyetje, por ai ishte i përgatitur për gjithçka dhe u mbrojt mjaft mirë. Amerikanët kanë kërkuar që ai të shkonte në gjyq shumë më herët, por anglezët kanë hezituar, vetëm e mbanin nën survejim. Ai ishte brenda rolit të vet; mjeshtërisht, arriti të bindë qeverinë britanike se ata s’kishin asnjë fakt që të vërtetonte se ai kishte qenë agjent i sovjetikëve.

Shkoi në Bejrut si gazetar dhe që andej më 1963 u vendos në Moskë, ku vitet e fundit i kaloi i vetmuar, por kurrsesi pasiv; përgatiti biografitë e plota për shumë agjentë sekretë, merrej me problemet më specifike të shërbimeve sekrete etj.

I rrethuar nga miqtë e tij të shumtë, më 10 maj të vitit 1988, heroi më emblematik i spiunazhit sovjetik, gjenerali më i famshëm i kundërzbulimit, intelektuali i rangut të lartë, aspiruesi më i devotshëm i idealeve komuniste, vdiq. Varrimi i tij ish madhështor, siç ishte edhe vepra e emri i tij për Rusinë.

****

Tradhtia shqiptare e Kim Filbit

BBC gjatë këtij viti transmetoi një dokumentar ku dha për herë të parë pamjet filmike të një fjalimi të ish-spiunit Kim Filbi. Videoja është gjetur në arkivat e ish-shërbimit sekret gjermano-lindor Stasi dhe në to ai flet për jetën e tij si agjent i dyfishtë. Gjatë fjalimit, Filbi përmend edhe një episod për të ilustruar kostot njerëzore të tradhëtisë së tij.

Në kohën kur ishte me detyrë në Uashington si ndërmjetës mes shërbimeve sekrete britanike dhe atyre amerikane, Filbi tradhtoi operacionin sekret të dërgimit të mijëra shqiptarëve të arratisur në vendin e tyre për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Filbi tregon se informacionet për kohën dhe vendndodhjen e të ashtuquajturve diversantë ia kalonte KGB-së sovjetike dhe kjo e fundit më pas Sigurimit të Shtetit në Tiranë, i cili asgjësoi shumë prej tyre.

Në leksionin e tij, Filbi pretendon se ka ndihmuar për parandalimin e luftës së tretë Botërore. Ai pretendon se, nëse nuk do të kishte kompromentuar operacionin dhe nëse ai do të kishte patur sukses, CIA dhe shërbimi sekret britanik do të tentonin sërish të njëjtën gjë në vende të tjera komuniste si Bullgaria. Sipas tij, kjo do të çonte në ndërhyrjen e ish-Bashkimit Sovjetik, duke çuar në një luftë të vërtetë.

Gaj Berges, spiuni anglez i Stalinit

Rridhte nga një familje perandorësh e shkollën e nisi në marinën detare, por një defekt në të parit e tij e detyroi të vazhdonte për histori e duke qenë aty një nxënës i shkëlqyer siguroi disa çmime.

Babai i vdiq shpejt e ai filloi shkollën në Kembrixh.

Kishte një kulturë të plotë, zotëronte veten plotësisht, ishte i kërkuar në rrethet shoqërore e së bashku me Anton Bllant krijojnë një dyshe të fortë që do të qëndrojë gjatë.

Në fillim ishte veç një student që për komunizmin kishte simpati të veçantë. Dhe kaq. Ndërsa për artin fliste pa pushim, ku njohuritë e tij në këtë fushë, e sidomos për artin Rilindës ishin të plota. Por rrethi shoqëror zgjerohej përditë e parimet e marksizëm-leninizmit po gjenin vend në shpirtin e djaloshit të ri energjik.

U ngrit kundër kolonializmit të Indisë dhe njohja më 1934 me agjentin e shekullit, Kim Filbi bëri që Bergesi të hedhë hapin e parë.

Ishte vënë në rreth të kuq: në emër të luftës kundër fashizmit, ai hyri nën shërbimin agjenturor sovjetik duke u bërë kështu një nga informatorët kryesorë që në atë praglufte materialet e të cilit ishin orientuese për fatin e Europës.

Por ishte një kohë që sionistët po triumfonin nëpër Europë.

Rrothshildët e famshëm e të fuqishëm, bankat e të cilëve përbënin4/5 e prodhimit botëror, Vajshtopët e të tjerë, po tërhiqnin frerët e Europës. Këtë gjë po e ndjenin edhe anglezët, por i trembeshin fërkimit me Izraelin, kur këta të fundit po blinin toka të tëra në Palestinë ku kishin interesa edhe anglezët.

Pas disa misioneve të cilat i kishin dhënë siguri dhe besueshmëri në Moskë, tashmë i fshehur pas petkut të diplomatit Bergesi do të punonte në ambasadën britanike në Moskë, por që për të shkuar atje përshkoi anën tjetër të globit; Amerikë, Japoni, Moskë. Por dy ditë më vonë ai u kthye pas, sepse për këtë emërim nuk ishte marrë mendimi i ambasadorit britanik atashuar në Moskë! Pastaj i erdhi një tjetër emërim; agjent brenda partisë komuniste angleze për të sabotuar aty.

Por Bergesi që ishte një komunist i devotshëm refuzoi.

Një punë e re iu paraqit; instruktor në shkollën e përgatitjes për subversion, por që homoseksualiteti i tij e lëvizi shpejt që andej duke e çuar gazetar pranë BBC, për politikën e madhe ku realizimi i një interviste më Çërçillin i dha krahë të tjerë.

Ishte viti 1943 kur imazhi i Stalinit ishte ai i një agresori dhe që të rregullonte diçka nga ky imazh, vendosi tu hidhte një vështrim marrëdhënieve me perandorët e Evropës e kryesisht me Anglinë. E për këtë Bergesi mbante flamurin i pari.

Kështu Stalini që kishte shpresuar shumë te Lidhja anglo-amerikane u zhgënjye shpejt. Ai kërkoi barut prej tyre. Por Bergesi në raportin e fundit nxitoi të thoshte se baruti do të vonohej: aleatët nuk donin një përparim të shpejtë të rusëve.

Skandali do të plaste në ambasadën angleze në Neë York. Ai duhej të kthehej urgjentisht në atdhe sepse FBI kishte zbuluar se në ambasadën e aleatëve kishte spiun të rusëve! Gjithçka ishte e qartë; amerikanët dyshonin te Bergesi. Ai ishte zbuluar tashmë dhe po e kuptonte se po survejohej. Duhej të kthehej, por ruhej.

Atëherë ai sajoi një ngatërresë të cilën e përsëriti disa herë. Disa herë shkeli rregullat e qarkullimit rrugor duke “e detyruar“ ambasadorin anglez ta kthejë Bergesin në Angli e që andej me një fshehtësi të madhe drejt Moskës, ku së bashku me Filbin dhe me Meklin kaluan dhe vitet e fundit të jetës, por që Moska, për të mos acaruar më tej marrëdhëniet me Anglinë e Amerikën nuk pohoi kurrë që treshja e spiunëve anglezë fshiheshin në Moskë.

Dëshira e tij e madhe për t’u kthyer në atdhe nuk iu realizua kurrë. Anglezët mbanin gati litarin për tre të strehuarit në Moskë. Plani ishte bërë: sa të shkelnin tokën britanike do të arrestoheshin.

Thashethemet shkonin deri në Angli e ktheheshin sërish në Moskë. Gazetat hapnin e rihapnin çështjen e treshes. Vdiq më 1963 e hiri i trupit iu dërgua familjes së tij në atdhe.

Antoni Bllant e donte komunizmin, por jo sa donte Anglinë

Një fytyrë gjatoshe, me linja të hequra, fis me familjen mbretërore, jo nxënës i dalluar, doli nga matematika për të hyrë në gjuhët e huaja ku shkëlqeu, por edhe ky si miku i tij Bërges, shfaqi shenja homoseksualiteti.

Njohja me këtë të fundit zgjoi te djaloshi energji të reja; i pëlqente arti, më pak politika e për çudi ai la gjithçka që kish ëndërruar dhe shkoi ushtar.

Ishte koha kur Europa po vishte marrëveshje të mëdha historike, kur Hitleri nënshkroi aktin e mossulmimit, ç’ka po prishte ekuilibrat e aleatëve për të nxitur dy përbindëshat e mëdhenj të hanin kokat e njeri-tjetrit. Nga ajo luftë të dy do të humbisnin. Agjentët sovjetikë filluan të lëviznin. U bënë debate të mëdha dhe tejet të tensionuara dhe ata duke shfrytëzuar konjukturat nisën të nxitnin për planin e tyre të madh. Të ndesheshin; vetëm lufta do ti dobësonte këto superfuqi.

Bllant ndoqi disa kurse intensive për kundrazbulim çka e largoi atë përfundimisht nga arti. Me Bërgesin jetoi ca kohë në një apartament pronë e Rrothshildëve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë ndër më aktivët, dhe i ndihmuar nga Rrothshildët ai hyri në lidhje të ngushta me zv/drejtorin e kundërzbulimit britanik i cili i hapi zemrën shpejt. Po ashtu ai vuri lidhje të mëdha me SIS, po më pas nga fakti se mes anglezëve kishte jetuar aq gjatë një spiun që punonte për llogaritë e sovjetikëve, ata u ndjenë të fyer, të trishtuar dhe ishin gati të hakmerreshin ndaj tij.

Shumë shpejt qendra në Moskë u çudit nga shpejtësia dhe saktësia e informacioneve që vinte nga Bllant sa dyshonin se mos ai bënte lojë të dyfishtë.

Qendra kishte lista të sakta për elementët komunistë që duhej të eliminoheshin, madje deri atje sa të dinin cili ishte roli i shërbimeve angleze në Europë.

Siguria me të cilin penetronte Bllanti ishte shenja më e lartë e besimit që kishte mundur ai të krijonte falë aftësive të tij. Mjaft gjermanë nazistë që vepronin nëpër Europë apo në Linde apo Afrikë, u arrestuan.

Intuita e Bllantit prej artisti dhe saktësia prej matematikani kishin dhënë frytet e veta.

Valixhet diplomatike- siç quhej posta diplomatike ku nga shteti në shtet lëviznin dokumente tepër sekret të vulosura që askush s’mund të hyjë në to – ja objektivi i ri i agjentit me emrin Bllant.

Ai gjeti kodin dhe mundi t’i hapë ato, t’i fotografojë e pastaj t’i niste në destinacion.

Antoni Bllant lozi këtu një rol të dyfishtë i cili i dha siguri e aftësi.

Sillej si diplomat me këdo, me finesë e i ngrohtë. Disa herë qendra sovjetike ka dashur t’i japë para si shpërblim për informacionet e shumta, por ai kurrë nuk i pranoi ato.

Kur më në fund pesëshja u zbulua, për dymbëdhjetë vjet rresht iu nënshtrua pyetjeve e vetëm kur nga prokurori britanik mori përgjigje se ai nuk do të ndiqej penalisht, pra vetëm atëherë foli për të kaluarën e tij.

Siç u tha ai rridhte nga familja mbretërore dhe vetë mbretëresha e Anglisë u interesua për të.

Pranë saj ai fliste plot adhurim për pikturat si një njohës i talentuar i artit. Vdiq në prill të vitit 1983.

Donald Meklin i KGB-së, asi që solli vërdallë FBI-në

Paralel me tri dosjet e para (Guy Burgess, Kim Philby, Anthony Blunt) u hap edhe një tjetër; ajo e Donald Meklin.

I ati kishte qenë ministër, por që me edukimin dhe arsimimin e të birit nuk u mor kurrë e për pasojë ai u rrit i drojtur, i mbyllur, i prekshëm e larg shoqërisë. Më 1931 hyri në Kembrixh për gjuhë të huaj dhe letërsi. Në këtë kohë është një moment vendimtar; njohja me Bergesin solli ndryshime të mëdha në shpirtin e djaloshit.

Ai urrente sistemin shtetëror amerikan dhe gjendja e popullit anglez e bëri atë të afrohet me komunizmin, të bëhet militant e në rrethet shoqërore ku kishte nisur të hynte, s’përtonte të shfaqte, madje haptazi simpatinë e vet për Bashkimin Sovjetik.

Bëri pjesë në një organizatë ilegale, nuk besonte në religjionin që i përkiste origjina e tij, e duke qenë kështu një i majtë, por gjithnjë duke fshehur gjithçka nga babai i vet.

Ka shumë versione rreth rekrutimit të tij, por bindës mbetet ai i lidhjeve me Filbin dhe Bergesin. Dosja e vet e mundoi ca kohë.

Lidhjet me komunistët e penguan që ai të futet në strukturat shtetërore britanike, por një deklaratë e tij i hapi udhë të tjera.

Detyra e parë: të zbulonte listën e anglezëve pro fashistë që vepronin në vend. Ky është edhe testi i parë, por që edhe nuk rezultoi pa sukses. Megjithatë ai tashmë kishte rrugë të hapura.

Më 1938 do të punonte në ambasadën britanike në Paris. I pëlqeu puna e re, aty ai vendosi lidhje të shumta ku informacioni sidomos për luftën në Spanjë, patën vlera të mëdha, por që sot, për fat të keq, në zyrat e KGB-së nuk gjen gjurmë të këtij njeriu.

Gjermanët sulmuan Francën, Meklin ra në dashuri me amerikanen e pasur dhe inteligjente Melinda. Para saj ai u zbulua kush ishte, por vetëdeklarimi nuk ndryshoi asgjë në marrëdhëniet e tyre.

Ambasadën në Paris e kishte zënë paniku, por Meklin që dallohej për qetësi, mori ç’duhej; të tjerat i asgjësoi dhe u kthye në Angli, por një fëmijë i vdekur e pezmatoi së tepërmi çiftin e ri. Mejinda u kthye në Amerikë, ndërsa ai sërish me kartën diplomatike.

Vetë Stalini, ndonëse nuk e njihte Meklinin, interesohej për gjithçka që vinte nga ai dhe gjithçka shkoi në favor të sovjetikëve.

Më 1944 Meklin u emërua sekretar i ambasadës angleze në Amerikë. KGB-ja nuk e fshehu dot ngazëllimin për këtë emërim. Meklin kishte mundur të maskohej mjeshtërisht duke arritur të sigurojë një besueshmëri të madhe te shteti anglez.

Në Uashington ai vendosi sërish lidhje me Melindën. Më mirë s’mund të ndodhte! Zbarkimi i Aleatëve në Brigjet e Normandisë ishte i afërt. Rusëve u duhej gjithçka që lidhej me këtë zbarkim.

Sigurisht pas Filbit, Meklin ishte asi tjetër që ndodhej në duart e KGB-së. Donald Mekli, alias Homeri ishte aty ku telegramet mes dy presidentëve të Anglisë e Amerikës prisnin njeri-tjetrin e gjithçka që deshifrohej aty shkonte në zyrat e KGB-së në Moskë, ndërkohë që problemi më kryesor i tyre ishte ai i prodhimit të bombës atomike. Por informacioni rrodhi dhe lidhja njohu lëkundje të mëdha.

Ishte fjala për daljen e sovjetikëve në Dardanele. Amerikanët iu trembën një vatre të re të luftës dhe sabotuan.

Por askush nuk e kishte parashikuar që një gabim foshnjarak do të përmbyste gjithçka.

Një deshifrim dokumenti ku gabimisht u shënua edhe kodi, do të ishte fatal për agjentin Meklin i cili u zbulua dhe u vu nën një mbikëqyrje të rreptë nga shërbimi anglez dhe ai amerikan. U vu në dijeni qendra në Moskë dhe u organizua arratisja e tij me një anije turistike drejt Bashkimit Sovjetik.

Vitet e fundit i kaloi në Moskë nën një emër tjetër.

Studioi rusisht e merrej me politikë, refuzoi gjithnjë privilegjet, nuk përtonte të shfaqte hapur mosmiratimin e vet ndaj politikës së jashtme të Moskës, jepte leksione politike.

KGB-ja për asnjë çast nuk harroi shërbimin e madh që kishte dhënë Donald Meklin. Vdiq më 6 mars 1983.

Xhon Kernkros, komunisti i varfër që vendosi fatin e një luftë botërore

Agjenti i pestë anglez që vinte nga e njëjta shkollë ishte Xhon Kernkros (John Cairncross).

I lindur më 1913 në Gllazgou, por që dallonte nga katër të tjerët nga origjina e vet, u ndesh me një lloj përbuzje që elita shoqërore shfaqte ndaj tij. Kjo gjë e pajisi me një mekanizëm të veçantë i cili ndikoi gjithë jetën e tij.

Origjina e tij e lidhi së tepërmi me idetë komuniste. Marrja e një burse në Francë, ku do të studionte për letërsi frënge solli një pështjellim në universitet deri afër skandalit. Gjithçka aty ishte kundër marrjes së asaj burse; vetëm rektorin kishte në llogoren e vet.

Në Sorbonë vendosi lidhje me rrethet komuniste ku ekstremistët ndesheshin deri në gjakosje rrugëve të qytetit.

Ishin vitet 1933-34. Hitleri po armatosej e djaloshin e ri po e trembte lufta e re, ku retë e zeza të saj ishin aq të ngarkuara dhe sundonin krejt botën.

Hyrja më Kembrixh i solli kufij të tjerë të cilët ai s’i kishte të lehtë t’i shkelte. Pengesa e parë; origjina nga populli. Ai ishte një komunist nga populli.

Qarqet e KGB-së që vepronin në Londër kërkonin ta rekrutonin djalin e ri, por askush nga të njohurit e vet nuk merrte përsipër ta kryente këtë gjë; por dikush tjetër, një komunist aq fanatik, një student po nga Kembrixhi, mundi ta fusë atë në rreth të kuq.

Pra njeriut që i kishte munguar ndjenja e miqësisë e shoqërisë, por që në studime shkëlqeu, do t’i shkruhej emri në listat top-sekret të KGB-së.

Përgjithësisht nuk çmohej në rrethet shoqërore, ishte mjaft i përgatitur, por i mungonte gjuha e diplomacisë e shumëkush çuditej si mundi të punonte për zbulimin sovjetik.

U njoh me katër kolegët e tjerë të së njëjtës shkollë, por shoqëria e tyre mbeti e ftohtë. Dy vitet e para ai s’arriti dot të konfirmojë veten. Dosja e tij ishte e thatë, por puna e tij në strukturat e larta shoqërore i dha mundësi të mëdha: i siguroi privilegje dhe të dhënat i vinin të gjitha Moskës.

Ishte koha kur Hitleri po ndizte flakët e luftës. Anglia po përgatitej për mbrojtje.

Ishte i pari agjent që solli në Moskë raportin mbi Lidhjen mes amerikanëve dhe anglezëve për prodhimin e bombës atomike. Pra, Kernkrosi, alias Karelani kishte mundësi të lexonte, të kopjonte, por që kurrë nuk mësoi dot të fotografonte dokumenta. Zelli i tij ishte admirues.

Ai gëzoi një fat që askush tjetër nga pesëshja e Kembrixhit s’mundi dot; ai ka punuar aty ku çdo material përbënte një të dhënë tepër të domosdoshme për KGB-në sovjetike. Që nga vitet tridhjetë, një gjerman vënë nën shërbimin francez, u dorëzoi këtyre të fundit një kod për përdorimin e një makinerie deshifrimi mjaft të rëndësishme. Franca dështoi në këtë pajisje, dhe kërkoi ndihmë te anglezët e polakët, por, ndërkohë, gjermani përsosi këtë sistem që së fundi ishte shtrirë në gjithë Europën ndërluftuese. Vetëm në luftën e Stalingradit ushtria e kuqe zuri dhjetëra aparate të tilla, por të shkatërruara.

E pikërisht në Angli, në agjencinë e zbërthimin të kodeve gjermane, nëpërmjet atij aparati të famshëm, u emërua Kernkrosi nga të dhënat e të cilit u shpëtuan dhjetëra ushtarë sovjetikë si dhe u zbuluan dhjetëra spiunë gjermanë që vepronin brenda ushtrisë së kuqe. Nga të dhënat e Kernkrosit u shkatërruan pesëqind avionë nazistë e për më tepër, pas betejës së Kurskut, forca goditëse e nazistëve ra dita-ditës dhe Ushtria e Kuqe fitoi epërsi e cila e ndoqi atë deri në fund.

E në këtë fitore, pa dyshim, roli i agjentit Kernkros është i pamohueshëm.

Arriti të penetrojë në sferat më të larta të shtetit anglez e të rekrutojë aty plot agjentë, pa rrezikuar për asnjë çast jetën e vet apo të rrjetit që vepronte në Londër. Por dikur ai u thye; i lodhur nga shërbimi i gjatë, atë e kishte zënë paniku.

Shumë kohë ishte nën survejim. E larguan nga puna, lëvizi nëpër Amerikë, Azi më vonë në Romë e vitet e fundit i kaloi në Paris./TO/

 

Please follow and like us: