Biden “gozhdon” Trump: Kandidati më naiv në histori
Figurat qendrore të demokratëve u rreshtuan njëzëri kundër Donald Trump gjatë punimeve të Konventës së Filadelfias, por ai që u tregua më i pamëshirshëm ishte zv.presidenti Joe Biden.
Biden e quajti kandidatin republikan si kandidaturën më të dobët të historisë së zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Ai akuzoi atë për naivitet në politikën e jashtme, çështjet e sigurisë, madje edhe pse manjati njujorkez është një miliarder, edhe në ekonomi.
“Asnjë kandidat i asnjë partie nuk ka qenë ndonjëherë kaq i papërgatitur për t’u bërë ballë sfidave tona kombëtare”, tha Biden, duke shtuar se Trump nuk ka asnjë plan konkret për të bërë amerikanët më të sigurtë.
Sa për ekonominë, Biden, që rrjedh nga një familje e shtresës së mesme, tha se kjo shtresë ësthë sekreti i një Amerike të fortë dhe akuzoi Trump se as që do t’ja dijë për të.
“Përpiqet të na thotë se i intereson shtresa e mesme. Mos më thuaj! Këto janë një tufë pallavrash! Ky njeri as që e njeh shtresën e mesme! S’e njeh fare! Kur gjërat shkojnë mirë për shtresën e mesme, ato shkojnë shumë mirë për të pasurit dhe të varfërit kanë shpresë. Por ai nuk ja ka idenë se çfarë e bën Amerikën një komb të madh. Nuk ja ka idenë dhe pikë!”, tha ai.