Blendi Fevziu: Rama apo Meta, kush do godasë i pari?
Premtuan se do të qeverisnin së bashku; premtuan një rilindje të shoqërisë shqiptare; premtuan se do të vënë në vijë reforma të mëdha dhe thelbësore, por e gjitha ç‘po bëjnë aktualisht është një betejë deklaratash. Një betejë në distancë, por që bëhet edhe më evidente sa herë janë përballë. Në pritje, konferënca, apo ceremoni si ajo e djeshmja. Rama dhe Meta nuk kanë më asnjë linjë politike që t’i bashkojë. Nëse heq këtu administrimin që i bëjnë pushtetit që kanë ende bashkë, mes tyre s’mbetet më asgjë.
Meta i kujtoi dje se në politikë ka edhe rotacion nëse nuk ka konsensus. I kujtoi se nga mazhoranca mund të dalësh edhe në opozitë. Ndërsa Rama nuk harroi të përsëriste pikërisht atë që Meta ka refuzuar më shumë: që kjo ishte një reformë që e donte mazhoranca, por jo opozita. Madje që opozita u detyrua nga ndërkombëtarët dhe jo se kërkoi konsensusin.
Replikuan dje në afërsi, por duket se po e bëjnë çdo ditë në distancë. Me deklarata deputetësh e ministrash, me deklarata të rinjsh, por edhe komentatorësh. Rama dhe Meta nuk kanë më asgjë që t’i bashkojë, por kanë të gjitha arsyet që mos jenë më bashkë. Madje nuk duhet të jenë, sepse qeverisja nuk mund të mbetet peng i paaftësisë së dy forcave politike për të ndërtuar një vizion të përbashkët qeverisjeje. Dhe i paaftësisë së dy liderëve për të ndarë qëndrime të ngjashme për problemet thelbësore të vendit.
Nuk ka nevojë të ripërsëriten gjithë deklaratat e ditëve të fundit, por kushdo që merret me politikë e di që nuk ka më një qeveri, por dy. Qeveria e PS dhe Qeveria e LSI. Dy qeveri që nuk bashkohen më nën një kryeministër dhe një program, por nën llogaritjen e përditshme për të parë se kush i bën 71 vota për të përzënë nga mazhoranca tjetrin. Ky është edhe sporti më popullor sot në politikën shqiptare: llogaritja e votave, trafikimi i deputetëve, vendosja e njërit apo tjetrit në kolona mbështetësish pro Ramës apo Metës. Se kur do të shpërthejë kjo strategji llogarish është vështirë të thuhet. Vështirë të përcaktosh nëse furtuna mes Ramës e Metës do nisë në Gusht, në Shtator apo pak më vonë. Vështirë të thuash edhe kush do godasë i pari. Por analiza është e qartë, i pari do hidhet në sulm ai që do besojë se ka 71 vota të sigurta. 71 vota për të garantuar veten dhe për të nxjerrë në opozitë tjetrin. Deri atë ditë nuk ka as qeverisje dhe as program. Ka vetëm matematikë dhe operacion financiar e trafik influencë në mbështetje të tij. Sepse Rama dhe Meta nuk janë më bashke. Edhe kur shtrëngojnë dorën, edhe kur buzëqeshin, edhe ku flasin kanë në mend vetëm një moment, atë kur do të flakin tjetrin. Dhe kush do ta bëjë i pari këtë. Deri atëherë, shqiptarët do asistojnë në teatrin më komik që kanë parë ndonjëherë: atë të dashurisë së sforcuar për hir të interesave.