Këshillat e dëshpëruara të Houellebecq
Përmbledhja e plotë e poezive të Michel Houellebecq “Jeta është e rrallë” hapet me një vepër të veçantë didaktike, një metodë siç e përcakton vetë autori, me titull “Të mbijetosh”. Është një gjini jo shumë e praktikuar në kohën tonë, por që mund të mburret me të parët tanë të famshëm, nga Oracio me “Ars Poetica”, te “Letër një poeti të ri”, të R.M Rilkes
Përmbledhja e plotë e poezive të Michel Houellebecq “Jeta është e rrallë” hapet me një vepër të veçantë didaktike, një metodë siç e përcakton vetë autori, me titull “Të mbijetosh”. Është një gjini jo shumë e praktikuar në kohën tonë, por që mund të mburret me të parët tanë të famshëm, nga Oracio me “Ars Poetica”, te ‘’Letër një poeti të ri’’, të R.M Rilkes. Autori i këtij lloj teksti imagjinon se përvoja e grumbulluar mund të jetë e dobishme për një fillestar, duke i premtuar ta gjejë rrugën e vet, duke i treguar gabimet më të zakonshme dhe qëndrimin mendor që është i dobishëm për t’u përmirësuar. Ashtu siç mund ta imagjinojnë lexuesit e romaneve dhe eseve të Houellebecq-ut, shpesh, duke i lexuar këto faqe të qarta dhe me ankth, detyrohemi të pyesim nëse këto që kemi përpara syve janë vërtet instruksione poetike që i drejtohen një betimi fetar hipotetik, apo një bilanc i errët i një beteje personale ndaj botës, jetës, beteja që sigurisht janë të humbura para se të fillojnë.
Rreshtat e parë të ftojnë për një kujdes, pasi vuajtjet janë arsyeja e jetës dhe thelbi i poezisë. Në këtë pikë poezia pasqyron vetë universin, sipas konceptit të Houellebecq-ut. Gjithçka që ekziston vuan dhe është një vuajtje e përhapur. Nëse imagjinojmë një zbrazëti që i paraprin ekzistencës, edhe kjo dridhet nga dhimbjet, derisa në një ‘paresizëm’ të shpifur zbrazëtia i paraprin qenies. Për poetin nuk është e nevojshme ta shpjerë shikimin deri te horizontet kaq kozmologjikë. I mjafton ta ushtrojë kujtesën, çdo jetë të veçantë, duke qënë veç një simptomë e sëmundjes universale. Është e nevojshme të mbijetosh, pikërisht pa frikën e lumturisë (që nuk ekziston) dhe të vetëdijshëm për faktin se çdo hap drejt së vërtetës është dhe një thellim i mëtejshëm i largësisë mes vetes dhe të tjerëve, një konfirmim i vetmisë sonë.
Me vetminë kemi mbërritur te shkaqet bazë, në bërthamën gjeneruese të poezisë së Houellebecq-ut. Para çdo cilësie tjetër, personaliteti që shprehet në vargjet e tij është i vetëm. Vetmia është krimbi i aftë ta gërryejë dashurinë edhe në çastet e plotësisë së saj. Si një forcë centipete që e largon poetin nga misteri i tjetrit, ngushëllim që nuk mbaron kurrë dhe zhgënjyes. Në një poezi të kohëve të fundit thotë: Kam si shok vetëm një kontaktor energjie/ çdo njëzet minuta bën ca zhurma të thata dhe funksionimi i saktë dhe mekanik/ më ngushëllon disi për lojën time të shahut që sapo ka mbaruar. Padyshim, nëse nuk do të ishin fjalë të shkruara në vargje, mund t’i shkëmbejmë lehtë me ndonjë prej fillesës së romaneve të autorit.
Poezia, tregimi dhe mendimi janë si maskat që ndërrohen të veshura nga vetë ndërgjegja e mbështjellë në “humorin e zi”, sepse nuk korrespondon as me melankolinë, as me depresionin që është më aktual. Si edhe te librat e Cioran-it ky humor nuk është vetëm një gjendje psikologjike dhe një lloj paralize e parregullueshme emotive, por një mënyrë për ta njohur natyrën e sendeve, një formë jete që është edhe një filozofi. Këta dy përfaqësues të pesimizmit bashkëkohor vetëm këto pak gjëra kanë të përbashkëta. Perceptimi i reales së Houellebecq-ut e çon në një lloj darvinizmi të shkallës së dytë, ku mjedisi natyror ia ka lënë hapin një rrjeti të shkëmbimeve shoqërore në të cilat, si paradoks, ai që është më i vetëdijshëm, është më i pazoti të përshtatet. Në poezitë e Houellebecq-ut ndeshet shpesh imazhi i një agu të zbehtë, i një metropoli që vë në lëvizje çdo ditë, në mënyrë identike mekanizmat e veta të garimit shoqëror dhe ekonomik. (Sot do të nisë. Sipërfaqja e padukshme/ që ravijëzon në ajër qenien tonë që vuan/ që formohet dhe ngurtësohet me një shpejtësi të llahtarshme). Në fillim të ditës së re, ndërgjegja regjistron me mprehtësi të padurueshme një të ardhme të afërt që nuk është veç përsëritja e ditëve të mëparshme. Kalendari e gllabëroi fatin dhe përsosmëria e mekanizmit nuk lejon, veç një shikim të përhumbur, të ngurtësuar prej ankthit.
Ndonjëherë Houellebecq-u mund të japë përshtypjen e një bollëku të tepërt në variacionet e një ndjenje të njëjtë me veten, sikur t’i mungonin kriteret e përzgjedhjes që e shoqërojnë zakonisht në ndërtimin e një libri me poezi. Për autorin, poezia nuk identifikohet me asnjë rezultat konkret, është vetë qendra e asaj ndërgjegjeje të sëmurë që nuk mund të vazhdojë ta perceptojë sëmundjen e vet. Një herezi tjetër konsiston në faktin, sesi një shkrimtar kaq i fuqishëm në mjetet e veta, të tregohet shumë indiferent ndaj zgjedhjeve formale, sikur gjithçka të ishte shpikur dhe gjithçka të ishte mjaft e përshtatshme për qëllimet e veta. Kështu, pamjes moderniste të disa krijimeve, ku mbizotëron vargu i lirë dhe alternimi i vargjeve dhe prozës, i shtohen forma më të ngurta, në të cilat shfaqet aleksandrini, një varg që në traditën franceze barazohet me 11-rrokëshin, por më solemn dhe më pak i deformueshëm. Në këto raste befasisht leksioni i Bodlerit merr më shumë jetë. Por mjeshtrat dhe modelet nuk vlejnë shumë për atë që kërkon te poezia, më shumë se çdo gjë tjetër, një mjet të jashtëm që të rezistojë dhe të qëndrojë në jetë. Drita e fundit e shpëtimit duket se konsiston te heqja dorë nga synimi për ta përkulur botën dhe dukjet e pashmangshme ndaj dëshirave tona. Më mirë të jesh perceptues si një algë, metaforë e përsosur e mosrezistencës, ndaj asaj që edhe poeti nuk do dinte ta shpjegonte, është e nevojshme të thuhet. Por, në ndryshim nga pesimistët, Houellebecq-u nuk harron se edhe ne jemi pjesë e fenomenit, jemi një copëzë e vogël e atij ingranazhi që na shtrydh.
Përgatiti për botim: Arjan Th. Kallço