Kombet e Bashkuara dhe OSBE, kritika Turqisë: Masat shkelin të drejtat themelore
Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE), ka reaguar pas arrestimeve dhe nisjes së hetimeve ndaj një numri të madh gazetarësh në Turqi, pas grushtit të shtetit të dështuar. Sipas tyre, arrestimi dhe nisja e hetimeve për përfaqësuesit e mediave është në kundërshtim flagrant me normat ndërkombëtare.
Raportuesi Special për Lirinë e Shprehjes në Kombet e Bashkuara, David Kaye dhe Përfaqësuesja e OSBE-së, Dunja Mijatoviç në raportin e tyre për gjendjen e medias pas grushtit të shtetit të dështuar nënvizojnë se media është nën presionin e autoriteteve turke.
Sipas tyre, pas grushtit të shtetit të dështuar janë mbyllur shumë media, ndërsa shumë gazetarë janë arrestuar dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet. “Qeveria turke duhet të rishikojë qëndrimin e saj në lidhje me këto vendime dhe i bëjmë thirrje që të respektojë detyrimet e saj në lidhje me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias”, nënvizon raporti.
Sipas raportit në fjalë, kufizimet e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes nuk janë të pranueshme edhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur në vend.
“Fushata dhe masat e rrepta ndaj medias, pavarësisht shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, janë në shkelje të plotë të të drejtës ndërkombëtare”, u shpreh Mijatoviç.
Ndërkohë, Kaye tha se “ky sulm i plotë ndaj pothuajse të të gjitha mediave , menjëherë pas grushtit të shtetit të dështuar, nuk justifikon asesi dhunën dhe presionin që po ushtrohet ndaj lirisë së shprehjes dhe medias së lirë”. “Masa të tilla janë shokuese dhe unike në llojin e tyre”.