Albspirit

Media/News/Publishing

Kompetencat e qeverisë ndaj prokurorisë, zbardhen debatet me dyer të mbyllura mes PS dhe LSI

Herion Mesi

Deputeti i PS, Fatmir Xhafa, duke folur gjate nje mbledhje te Komisionit te posacem per Reformen ne Drejtesi, ku eshte diskutuar rreth rekomandimeve te perfshira ne draft-opinionin e Komisionit te Venecias./r/n/r/nLawmaker, Fatmir Xhafa, speaks during a meeting of the Committee on judicial reform.

Kompetencat që do të ketë qeveria ndaj institucioneve të reja që do të ngrihen si pasojë e reformimit të sistemit të drejtësisë janë bërë objekt përplasjese mes dy aleatëve kryesorë të koalicionit qeverisës në mbledhjet e fundit të komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, në të cilat opozita nuk ka qënë e pranishme. Një gjë e tillë dëshmohet edhe në një procesverbal të mbledhjes me dyer të mbyllura të datës 11 korrik të Komisionit të Reformës në Drejtësi që gazeta “Shqip” disponon, ku rezulton se anëtarët e mazhorancës, Vasilika Hysi e PS-së dhe Petrit Vasili i LSI-së kanë replikuar mes tyre lidhur me çështjen e caktimit të numrit të përgjithshëm të prokurorëve në të gjithë Shqipërinë dhe rolin që duhet të ketë Këshilli i Ministrave në përcaktimin e politikave të drejtësisë. Gjatë diskutimit në parim dhe shqyrtimit nen për nen të projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, Vasili ka komentuar nenin 19 të këtij drafti që është dhe një prej 7 ligjeve shoqëruese të ndryshimeve kushtetuese që u miratuan në seancën e 22 korrikut. “Në një ligj, mundësia e së drejtës së kontrollit të jashtëm, inspektimit nëpërmjet Drejtorisë së Inspektimit apo funksionet bien, unë nuk e kuptoj, nuk do ta kuptoja edhe po të isha anëtar i qeverisë, se si Këshilli i Ministrave do ta ruajë urën e komunikimit, do të ketë mundësi të ndjekë dhe të monitorojë rekomandimet që jep, pasi është e qartë që jep rekomandime”- është shprehur Vasili. Por replika me anëtarin e LSI-së nuk dio të vinte as nga relatori i draftit, Ulsi manja, dhe as nga ekspertët e nivelit të lartë që ishin të pranishëm në këtë diskutim, por nga anëtarja e PS-së në komision, Vasilika Hysi. “Shqetësimi i zotit Vasili ka gjetur rregullim shumë mirë në nenin 68, ku përcaktohet qartë raporti midis Këshillit të Ministrave, prokurorëve dhe ministrit të Drejtësisë. Në rastin konkret, te neni 19 flitet për numrin e përgjithshëm të prokurorëve. Numri i përgjithshëm i prokurorëve duhet të ketë parasysh gjendjen e kriminalitetit, por edhe prioritetet e politikës penale në një periudhë të caktuar kohore 5-vjeçare ose për këtë vit, të cilat, nëpërmjet ministrit të Drejtësisë u bëhen publike institucioneve brenda një kohe të caktuar, që ligji e përcakton shumë qartë. Por përcaktimi i këtij numri nuk mund të bëhet duke injoruar Këshillin e Ministrave që ka brenda edhe Ministrinë e Financave apo edhe institucionet të tjera”- është shprehur Hysi. Por kjo ndërhyrje e deputetes socialiste nuk është mirëpritur nga nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili. “Unë nuk e kuptova proceduralisht. Këto sugjerime nuk ia drejtoj Vasilikës, por relatorëve dhe personave që kanë hartuar ligjin. Pavarësisht nga leximi integral i ligjit, unë nuk kam bindje absolutisht të tilla, siç i ka Vasilika, por nuk dua të debatoj dhe të komentoj me të, sepse hartuesit janë të tjerë dhe përgjegjësinë për mundësitë e reflektimit ose jo e ka relatori. Për sa i takon leximit të ligjit në mënyrë integrale, këto janë konkluzionet, të cilat unë i kam bindje të miat. Mund të ndajmë bindje të ndryshme, sigurisht, por nuk kam ndër mend të ndryshoj bindjet e mia nga komentet. Nga relatori dhe nga propozuesit i dëgjoj me kënaqësi, shikoj edhe çfarë mund të reflektoj për to”- tha Vasili. Një qëndrim që do të mbështetej edhe nga kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj.

Debati në mbledhjen e 11 korrikut

Petrit Vasili – Unë kam marrë shkas nga neni 19, jo për përmbajtjen, por për konceptin e përdorur në nenet 19 dhe 20, që lidhet me rekomandimet e Këshillit të Ministrave. Në nenin 22 është: “nënrekomandimet e Këshillit të Ministrave, përkatësisht në luftën kundër kriminalitetit” e të tjera. Te formulimet, të cilat e rrëzojnë këtë koncept, që Këshilli i Ministrave jep nënrekomandimet përkatëse, është për t’u ndalur, sepse Këshilli i Ministrave ka ministrin e Drejtësisë si instrument të komunikimit dhe të kontrollit. Në një ligj, mundësia e së drejtës së kontrollit të jashtëm, inspektimit nëpërmjet Drejtorisë së Inspektimit apo funksionet bien, unë nuk e kuptoj, nuk do ta kuptoja edhe po të isha anëtar i qeverisë, se si Këshilli i Ministrave do ta ruajë urën e komunikimit, do të ketë mundësi të ndjekë dhe të monitorojë rekomandimet që jep, pasi është e qartë që jep rekomandime. Jemi dakord dhe me mirëkuptim të plotë që prokuroria do t’i zbatojë, por, si çdo detyrë, që duhet ndjekur dhe kontrolluar, kërkon instrumentin e saj. Meqenëse këtu shfaqet që rekomandimet e Këshillit të Ministrave dhe nënrekomandimet e tij kanë vlerë orientuese dhe përcaktuese, na duhet të rishikojmë në këtë dritë se cili është roli i instrumentit që ka qeveria natyrshëm, sepse, sigurisht, nuk është detyrë e ministrit të Arsimit, Shëndetësisë apo Financave të merret me këtë punë. Në këtë pikë unë them se duhet të ndalojmë seriozisht për ta pasur vërtet atë ndërthurje të punëve ndërmjet ekzekutivit, i cili ka një rol shumë të madh, edhe si përfaqësues i publikut, që e kemi thënë dhe është shfaqur edhe në komunikimet me shkrim që janë bërë me think tank-un, ndonëse ligji nuk ka reflektim për këto. Meqenëse po e diskutojmë, duhet të ndalemi dhe të gjejmë përcaktimet konkrete, pasi nuk ka asnjë institucion, cilido qoftë përcaktimi i tij, që të ketë mirëbesim absolut se i kryen detyrat në mënyrë perfekte. Të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, ekzekutive apo gjyqësore, prokurori apo çfarëdo qofshin, funksionojnë mbi parimin e kontrollit reciprok. Kur ky kontroll apo monitorim sistematik brenda ligjit nuk ekziston, atëherë mund të sigurojmë pavarësi në dukje, të cilat janë me të gjitha premisat për një abuzivitet të jashtëzakonshëm dhe në vend që të ndërtojmë institucione të ekuilibruara, ndërtojmë institucione të çekuilibruara që, në emër të lirisë së tyre pafund, të moskontrollit dhe të mosmonitorimit bëhen nga zgjidhës problemi, në një problem të madh të shtetit. Po e them edhe një herë tjetër, nuk besoj tek asnjëri në shtetin modern pluralist që ekziston, i cili e ka monopolin e besimit absolut, të gjithë janë në një kontroll reciprok. Në këtë pikë, meqenëse merret ky koncept dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me ndonjë pikë të caktuar të nenit, mendoj se nën dritën e përcaktimeve që ndodhin në nene respektive, të përcaktojmë edhe se si realisht mund të ndërtohen këto ura komunikimi dhe si mund t’i vendosim në ligj.

Fatmir Xhafaj – Keni gjë tjetër?

Vasilika Hysi – Në fakt, zoti kryetar, çështja që ngre zoti Vasili lidhet me orientimet e politikës penale. Kjo është kompetencë e Këshillit të Ministrave dhe rregullohet edhe në nenin 68 të projektligjit. Instrumenti është ministri i Drejtësisë, i cili, sipas nenin 68 të projektligjit, rekomandimet e Këshillit të Ministrave ua bën të njohura drejtuesve të prokurorive të të gjitha shkallëve, por me Kushtetutë, me standard, ai që përcakton orientimet e politikës penale është Këshilli i Ministrave, që ka në varësi Ministrinë e Financave, Ministrinë e Mirëqenies, Ministrinë e Drejtësisë, sepse , kur përcakton orientimet e politikës penale, nuk ke parasysh vetëm punën e prokurorisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe financat, shërbimet dhe rolin e një sërë institucionesh të tjera.

Shqetësimi i zotit Vasili ka gjetur rregullim shumë mirë në nenin 68, ku përcaktohet qartë raporti midis Këshillit të Ministrave, prokurorëve dhe ministrit të Drejtësisë. Në rastin konkret, te neni 19 flitet për numrin e përgjithshëm të prokurorëve. Numri i përgjithshëm i prokurorëve duhet të ketë parasysh gjendjen e kriminalitetit, por edhe prioritetet e politikës penale në një periudhë të caktuar kohore 5-vjeçare ose për këtë vit, të cilat, nëpërmjet ministrit të Drejtësisë u bëhen publike institucioneve brenda një kohe të caktuar, që ligji e përcakton shumë qartë. Por përcaktimi i këtij numri nuk mund të bëhet duke injoruar Këshillin e Ministrave që ka brenda edhe Ministrinë e Financave apo edhe institucionet të tjera.

Fatmir Xhafaj – Dakord, por cila është ideja juaj, sepse nuk e kuptova?

Petrit Vasili – Fatmir, më fal! Unë nuk e kuptova proceduralisht. Këto sugjerime nuk ia drejtoj Vasilikës, por relatorëve dhe personave që kanë hartuar ligjin.

Fatmir Xhafaj – Dakord.

Petrit Vasili – Pavarësisht nga leximi integral i ligjit, unë nuk kam bindje absolutisht të tilla, siç i ka Vasilika, por nuk dua të debatoj dhe të komentoj me të, sepse hartuesit janë të tjerë dhe përgjegjësinë për mundësitë e reflektimit ose jo e ka relatori. Për sa i takon leximit të ligjit në mënyrë integrale, këto janë konkluzionet, të cilat unë i kam bindje të miat. Mund të ndajmë bindje të ndryshme, sigurisht, por nuk kam ndër mend të ndryshoj bindjet e mia nga komentet. Nga relatori dhe nga propozuesit i dëgjoj me kënaqësi, shikoj edhe çfarë mund të reflektoj për to.

Fatmir Xhafaj – Dakord. Unë besoj se shqetësimi juaj do të jetë në vëmendjen e relatorit dhe të hartuesve të projektligjit për ta parë në dispozitat përkatëse. Paraprakisht po them se unë ndaj në parim të njëjtin koncept me ju. E kam thënë edhe gatë diskutimit që është bërë për këto çështje, që ministri i Drejtësinë, si përfaqësues i ekzekutivit, duhet të ketë një rol më proaktiv në sistem për të garantuar balancën ndërmjet pushteteve dhe për ta ndihmuar këtë balancë që të ekzistojë dhe të veprojë, por, njëkohësisht, edhe si avokat i interesave të sistemit në ekzekutiv. Pra, ka rol të dyfishtë. Në këtë koncept, kam mbajtur shënimet e mia përkatëse për të reflektuar aty ku mendoj se është vendi, ashtu sikundër do të jetë vendi për të reflektuar kur të diskutojmë për inspektimin dhe për çështje të tjera që lidhen me raportin ndërmjet ministrisë dhe sistemit në tërësi. Por unë i përmbahem pikëpamjes që në mënyrë të veçantë me sistemin e drejtësisë penale, për shkak të detyrimit kushtetues që ka ekzekutivi në luftën kundër kriminalitetit, duhet të ketë më shumë pikëprerje pa imponime ndërmjet ekzekutivit dhe prokurorisë, sepse kanë qëllim të përbashkët, kanë struktura që bashkëveprojnë, struktura që koordinojnë, që mbështesin njëra-tjetrën dhe, nëse nuk do të gjejmë pika të përbashkëta që t’i bëjnë efektive këto marrëdhëniet, mund të dështojë qëllimi madhor që kemi: lufta kundër kriminalitetit. Prandaj do të duhet të jemi shumë të kujdesshëm, natyrisht pa cenuar pavarësinë e sistemit, por duke e ruajtur me kujdes këtë ekuilibër. Pavarësisht ndërhyrjes së zotit Vasili, që përkon me preokupimin tim, këtu është një shënim që e kisha vënë për leximin e tekstit për përgatitje dhe përmbledhje. Në nenet vijuese do të përpiqemi që, për sa kohë që unë e propozoj, duhet të ketë një konsultim me ministrin për numrin e përgjithshëm me qeverinë. Pse? Çfarë ndodh sot? Ka 3-4 vjet që prokurori i Përgjithshëm në detyrë vjen çdo vit dhe thotë: Më duhen prokurorë e të tjera dhe, e para, pa argumente për gjërat që nuk përputhen dhe ne i kemi kthyer mbrapsht me politikat e qeverisë. Ndërkohë, ministri i Drejtësisë ka dy vjet rresht që mban një politikë të caktuar, këtu vijnë kërkesat për një politikë tjetër. Pra, është e domosdoshme që Kuvendi, kur ta marrë në shqyrtim, sepse nuk është fundor prokurori i Përgjithshëm, është organi i Kuvendit, do ta pyesë prokurorin e Përgjithshëm: je konsultuar? Mund të ketë të drejtë prokurori i Përgjithshëm, do të vendosë sipas prokurorit të Përgjithshëm, por, nëse nuk është konsultuar, do të pyesë edhe qeverinë: kjo që keni dhënë ju, a përputhet me politikën që kemi si shtet? Prandaj është shumë e rëndësishme të kemi një konsultim dhe është Kuvendi që vendos se cili nga këta ka të drejtë, dhe më pas ka edhe çështje të tjera. Jeni dakord, zoti Hoxha?

Artan Hoxha – Dakord, por unë them se pak a shumë është e parashikuar në dispozitat që vijnë më pas, por mund ta themi edhe në mënyrë specifike.

Fatmir Xhafaj – Këtu flasim se si caktohet numri i përgjithshëm dhe ai duhet ta ketë një konsultim. Kur të arrijmë tek ajo, do të flasim. Po ju them se çfarë ndodh sot me Prokurorinë e Përgjithshme. Cila është ironia? Ai e kërkon çdo vit këtë gjë, pretendon çdo vit se ka njerëz dhe çon në Shkollën e Magjistraturës vetëm 5 vetë. Prokuroria është mbushur me oficerë. Në 4 vjet rresht, kërkesa për Shkollë Magjistrature është për 5 ose 7 veta, ndërkohë kërkesa çdo vit është për 30 prokurorë. Kur e ke ditur se duhen 30-40 prokurorë, ministria është një lloj balance, është një lloj filtri, është një lloj kontrolli dhe i thotë: hajde të bëjmë një studim bashkë. Duhen 40? Atëherë na duhet të rrisim numrin e atyre që duhet të përgatisim në shkollë për këtë gjë dhe më pas mund të jenë edhe prokurorët e specializuar e të tjera. Prandaj, është e domosdoshme të ketë një … Më pas është ministri që e koordinon me Ministrinë e Financave, sepse ai është përfaqësues qeverie, nuk është në emrin e tij personal.

Artan Hoxha – Unë e kuptova shqetësimin, por po e mbajmë si shënim.

Fatmir Xhafaj – Dakord, e rëndësishme është të reflektoni.

Artan Hoxha – Mendoj se ka rregullim rrugës, por, nëse duam ta themi në mënyrë…

Fatmir Xhafaj – Do ta themi në mënyrë specifike numrin e përgjithshëm. E kemi shqetësim të lindur.

Artan Hoxha – Kur të vijmë te dispozita e posaçme, sepse këtu e kemi thënë Këshillin e Ministrave si …

Fatmir Xhafaj – Përveç asaj.

Artan Hoxha – Se si përcaktohen numri dhe buxheti, kemi dispozita më pas, sepse do të jenë afatshkurtër dhe afatmesëm.

Fatmir Xhafaj – Dakord. Zoti Manja, urdhëroni!

Ulsi Manja – Po të shikosh frymën e ligjit, pikat e kontaktit për nenin 19 bëjnë fjalë për një kompetencë të prokurorit të Përgjithshëm, sepse përcaktimi i numrit i është lënë kompetencë kushtetuese prokurorit të Përgjithshëm, është këshilli dhe, sigurisht, edhe qeveria. Mua më duket se projektligji, në nenet që vijnë në vazhdim, ka bërë të njëjtin parashikim.

Fatmir Xhafaj – Dakord, por Këshillin nuk e ke fare këtu.

Ulsi Manja – Pra, marrëdhëniet me ministrin e Drejtësisë janë përcaktuar në mënyrë eksplicite në nenin 73. Përderisa qeveria jep rekomandimet për luftë kundër kriminalitetit nëpërmjet ministrit të Drejtësisë dhe në nenin 73 është parashikuar detyrimi i ministrit të Drejtësisë për të mbrojtur buxhetin e prokurorisë në Këshillin e Ministrave, lë të kuptohet një bashkëpunim…

Fatmir Xhafaj – Pse të mos e themi në mënyrë eksplicite, që të ulen dhe të bashkëpunojnë për këtë gjë, sepse është e lehtë të shtosh prokurorë?

Ulsi Manja – Nëse do të jetë nevoja, ta shikojmë në mënyrë eksplicite këtë formë bashkëpunimi.

Fatmir Xhafaj – Dakord. Shikojeni dhe reflektojeni.

 

Please follow and like us: