Micotaqis takon Janullatosin
Lideri i partisë opozitare greke “Demokracie e Re”, Kiriakos Micotaqis është takuar mbrëmjen e së enjtes në zyrat qendrore të partisë së tij në Athinë me Kryepeshkopin e Shqipërisë, Anastas.
Udhëheqësi konservator ka vlerësuar punën shpirtërore dhe humanitare të kreut të Kishes Autoqefale të Shqipërisë, duke e përgëzuar atë jo vetëm për rolin dhe veprën e tij në krye të kësaj Kishe, por edhe për kontributin e tij në përgjithësi për ortodoksinë.
“Jam shumë i kënaqur që ju mirëpresim sot kur mbushen 25 vjet të një pune të mrekullueshme shpirtërore dhe humanitare. Keni kontribuar kaq shumë për Orthodhoksinë. Dhe jo vetëm në Shqipëri. Ju jeni një personalitet që përcjell një respekt universal”, ka thënë Micotaqis në fillim të takimit, duke theksuar se ai dhe bashkëpunëtorët e tij gëzojnë një mirënjohje të thellë për të.
Nga ana e tij, edhe Kryepeshkopi Anastas ka falenderuar liderin e opozitës greke duke theksuar midis te tjerash: “Ndjehem veçanërisht i kënaqur që ndodhem në një ambient të kërkimit, të krijimit dhe të kujdesit për një ecuri më të drejtë, më krijuese dhe më të ndritur të vendit tonë”.