Përsiatje për librin “Më thuaj diçka të bukur” të Vllasova Mustës
Nga Mexhit Prençi
Kur thua poeteshë apo poet, ke thënë atë që ai apo ajo – ë s h t ë, vetëm nëse ke zbuluar personalen poetike të tyre, e cila është element substancial që poetesha apo poeti të këndojë secili me zërin e vet. Sipas kësaj semantike do të analizoj librin poetik “Më thuaj diçka të bukur” për të zbuluar dhe evidentuar elementët unik të individualitetit poetik të poeteshës Musta. Libri është një përzgjedhje e poezisë nga autorja dhe redaktori Enver Kushi. Mbi tekstin poetik të këtij libri do përqëndrohet gjykimi im kritik.
2
Musta e ka në shpirt dhe mendje poezinë, brenda vetëvetes, si reflektim i gjithçkaje që ajo ka përjetuar nga jeta reale dhe realiteti historik real, por edhe të atij fikshën. Këtë e shquaj që në poezisë pa titull që hap këtë përmbledhje poetike, ku vargu i parë i së cilës “Më thuaj diçka të bukur” është edhe tituli i librit: Citoj:
“Më thuaj diçka të bukur / Ta bëj zilkë të ditës, / Ta trokas hapësirave, / Ku tingujt / Kanë ngrirë…”
Kërkimi i së bukurës edhe atje ku tingujt kanë ngrirë është kredo poetike e poeteshës Musta. Është një poezi polisemantike e tillë që gjithkush mund ta përceptojë sipas nivelit te leximit dhe shijeve të veta,. Shkrimtari Enver Kushi ka shprehur mendimin (të cilin e vlerësoj) “…Unë e shoh si një titull, në formë trokitje për të hapur portën e poezisë së Vllasova Mustës dhe për të rrugëtuar në ca hapësira qiellore, ku tingujt kanë ngrirë…”. Një ide e tillë, përshkon shumë poezi cilësore të librit. Siç e cika më sipër është kredoja poetike e Mustës që shfaqet në forma të ndryshme në poezi me motive të larmishme, si reflektim i nje realiteti jetësor konkret të përjetuar, në një raport komunikues të poeteshës me botën, veten dhe të tjerët.
3
Vllasova Musta ka kaluar një jetë të trazuar e komplekse: edhe të gëzuar edhe me drama e zhgënjime; me ngjarje, situata e rrehana edhe tronditëse edhe të lumturuara. Tërë ky realitet jetësor është burimi i poezive të saj, një pasuri poetike që ajo ka ditur ta shrytëzojë. Orientimin e saj në këtë qasje e konsideroj një çelës që hap porën e botës së brendshme për të shkruar atë që ndjen, që ka përjetuar e përjeton çka sipas meje, është rrugë që të çon te vetja poetike.
4
Kjo qasje krijuese ka ardhur vetvetiu te Musta, në mënyrë të natyrshme.Ajo nuk e kërkon motivin, temën, personazhin lirik a dramatik që të shkruaj poezinë, ngacmimin e ka nga përvoja e jetës së saj dhe bota reale që ajo njeh, të cilat i shpreh me mjete figurative ku vend të rëndësishëm zë rrëfimi poetik. (Flas për 20-30 poezitë që i konsideroj më cilësore)
Kjo mënyrë e të bërit poezi e poeteshës është realiste si nga vërtetësia jetësore ashtu edhe nga ajo artitike. Cdo llojë forme a strukure poetike ka të drejtën e ekzistencës së saj nëse kanë vlera artistike dhe estetike. Poetesha Musta orientohet nga ajo që di të bëjë më mirë, nga ajo që ekziston brenda vetes.. Është jashtë saj të shkruaj poezi moderne pse është në modë, as postmoderne apo me hermetizmin e padeshifruar sipas një fantazie frelëshuar që arratiset nga arsyeja.
5
Këtu është momenti të nënvizoj: kërkimet e formave moderne poetike nga shumë poetë e poetesha të sotëm, të cilët nuk e kanë brenda vetes modernen, por imitojnë apo kopjojnë mekanikisht, bën që të gatuajnë një poezi pseudo-moderne që është karrikaturë e poezisë së vërtetë moderne e postmoderne. Përjashtoj të talentuarit apo të talentuarat që kanë arritur të krijojnë profilin e tyre të spiktur të poetit modern si p.sh Luljeta Leshanaku e cila e ka brenda vetes modernen, falë fantazisë të jashtëzakonshme dhe të arsyeshme çka ka krijuar një poezi të nivelit te epërm, polisemantike e shumëdimensiionale.
6
Musta nuk ka rënë në kurthin e arratisjes pa dashje nga vetëvetja. Ajo shkruan poezi ashtu siç di t’i bëjë ajo. Poezia e saj nuk ka shpërthime të fuqishme emocionale e dramatike; as struktura kompleke e forma mjeshtërore të përsosura, por nuk as fantazi të paarsyeshme që pjell përbindsha, do të thoshte Fracisko Goja. Ajo siç theksova më sipër ka gjetur mënyrën e saj të të shprehurit nëpërmjet rrëfimit poetik të kujtimeve, çasteve të gëzueshme apo hidhërimeve të jetës; momenteve kur jeton në qiellin e shtatë me të dahurin Kujtim Spahivogli, po dhe në çastet e ndarjes, vetmisë gërryese, ku me sytë e mendjes kujton sytë e kaltërt të ish-të dashurit tashmë lart në qiell ….atje ”Ku tingujt / Knanë nrirë”, thoë poetesha.
7
Rrëfimi poetik aplikohet si mjet parësosr në formësimin e poezive në tërësi, si të atyre me motive nga mosha e tretë, për prindërit, për vajzën dhe nipin T’imi, që mban emrin e gjyshit, poezi për mallin, femijët e lodrat, për detin dhe natyrën që i përdor si metafora dhe për rrëfimet e përshkrimet poetike për zogjtë si simbol i paqes, lëvizjes së lirë hapësirave dhe kënaqësisë që u japin njerëzve.
Në tërësi poezia e saj është e thjeshtë, konkrete, me semantikë të pasur e të larmishme si rrjedhë e përmbajtjes. Sigurisht përsosmëri nuk ka, as poezi të lartësisë, por është poeteshë më zërin e saj. Është vlerë thelbësore, të këndojë poeti a poetesha me zërin e vet. Duke perifrazuar Esenin do të thosha: Shumë poetë që këndojnë si bilbilbil, por jo me zërin e tyre, do të ishin të nderuar dhe vlerësuar sikur të këndojnë edhe si bretkocë në moçal, por secili me zërin e tij.
8
Nga poezitë më të mira të librit do të veçoja si më cilësoret:Vetmi, Ditë dimri, Dhimbje, Mbulesa, Në Venecia, Natyrë e qete, Urët, Monolog, Mos m’i trembni zogjtë, Bisedë e munguar, Meditim, etj.
Citoj disa prej tyre pa koment, që lexuesi, të marrë kënqësi sipas përceptimit, përjetimit, nivelit të lexmit të tij dhe sipas dijeve e shijeve të kultivuara.
VETMI
Një gjethe ra, / Një tjetër bie / Në heshtje unë mendoj për ty /… Në perëndimin e çdo dite / Përherë më shfaqen / Dy sy!…/
U zbardh një ditë, / Erdhi një tjetër…/ U tkurra vitesh duke pritur, / Për zërin tënd kisha kaq mall, / Më ndiqnin pas / Dy sytë e ndritur
Dy sytë blu / M’u bënë qiell, / Dy sytë blu / M”u bënë det, / Me ta i preka Hënë e Diell, / Për ta u shndërrova / Në një shelg…
DHIMBJE
Ai, / U zhduk si hije / Pa asnjë fjalë / Pa zë…/ Ajo, / Nga dhimbja nuk qante dot, / U shndërrua e gjitha, / Në një pikë / lot !
URAT
Ndërto e ngri me qindar urë / Si më i miri arkitekt / Dhe kurrë s’u lodha / As u tkurra, / Veç lidha lum / E mposhta det.
Ndërto e prish përditë një urë, / Veç ti të vije / Ditë a natë, / Por pakuptuar veten gjeta / Mbi urë, tjetërsuar / Në Rrozafë.
DITË DIMRI
Mëngjes i ftohtë në këtë dimër / Si e përgjumër më erdhi dita,/ Edhe pse ende s’kemi borë / E as mbi ujra / S’pati ngrica./
Si m’u shpërfaqën këto pemë / Si duar njerëzish të stërlashtë / Sikur kërkojnë diçka në qiell, / Me duar lart,/ Të gjithë bashkë?!. /
Nuk kanë gjethe / S’kanë ngjyrë / Vetëm një gri si e vetmuar,/ Por unë e di, /Sa të ndrrojë stina / Do bulëzojnë / Për të rilindur. /
Atëherë, degët do kene gjethe, / Do kenë ngjyrë dhe cicërima, Do derdhin tinguj gjithandej / Sikur këndojnë dhjetra / violina…!
NATYRË E QETË
I shoh të dy / Ndal vështrimin: / Një plak, / Në ëndrra i përhumbur, / Ndërsa e shoqja mbledhur grusht, / Si një trumcak / Qëndron e strukur. / Ai po fle në sup të saj / Nuk di / ç’ëndërr shihte plaku, / As cilët janë / Nuk e di, por di / që pashë, ulur në stol / Më njerëzren / Dashuri !
9
Si konkluzë: sipas meje poetesha Vllasova Musta, ka zgjedhur qasjen e duhur për të kultivuar poezinë, sipas prirjeve, bindjeve dhe botës së saj, ku preferon stilin realist dhe klasik, në kërkim të realizimit të vetjes poetike duke kënduar me zërin e saj. Do të dëshiroja që përzgjedhja e poezive të ishte edhe më e mirë duke mos futur në këtë përmbledhje disa prej tyre, ashtu si do të dëshiroja që edhe redaktimi të ishte më cilësor, qoftë dhe për një fjalë apo presje. Këto nuk cënojnë vlerat e poezive më cilësore të librit “Më thuaj diçka të bukur” që i nënvizova më sipër.
Vlerësoj edhe idetë e mesazhet e poezive, që burojnë nga teksti e nënteksti poetik, të cilat janë të ndryshme e të larmishme dhe i japin lexuesit kënaqësi artistike dhe estetike.