Albspirit

Media/News/Publishing

Puçi i dështuar dhe marrëdhëniet Ankara-Moskë

  • Dorian Jones

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë duket se kanë përfituar nga tentativa për grusht shteti e 15 korrikut në Turqi. Edhe para kësaj tentative, ishte vërejtur përmirësim në këto marrëdhënie, duke kapërcyer gradualisht ftohjen e shkaktuar nga rrëzimi i një avioni rus nga një goditje turke.

Pas tentativës për grusht shteti, Presidenti Reccep Tayyip Erdogan menjëherë rikonfirmoi takimin e planifikuar me Presidentin Vladimir Putin, që do të zhvillohet në Shën Peterburg më 9 gusht.

Analisti Soli Ozel i Universitetit Kadir Has në Stamboll thotë se me mbështetjen që mori Presidenti Erdogan nga udhëheqësi rus menjëherë pas tentativës për puç, e ka ndryshuar shumë toni i takimit të pritshëm:

“Ka njoftime të pakonfirmuara se Rusia ishte e para që i paralajmëroi turqit për puçin e pritshëm. Fakti që ky është takimi i parë që po zhvillon Erdogani pas tentativës për grusht shteti e bën edhe më të rëndësishëm këtë takim,” thotë analisti Ozel.

Vëzhguesit thonë se ka gjasa që zoti Putin të përpiqet ta shfrytëzojë revoltimin e Ankarasë ndaj asaj që udhëheqja turke e shikon si reagim i vonuar i aleatëve perëndimorë për të dënuar puçin.

Opinionisti Semih Idiz i gazetës Cumhuriyet thotë se vizita e Erdoganit në Rusi zhvillohet në një moment të përshtatshëm për Putinin.

“Janë shkruar shumë artikuj kundër Perëndimit dhe janë bërë deklarata anti-perëndimore nga individë dhe zyrtarë të qeverisë. Janë shfaqur ndjenja të forta anti-amerikane, anti-NATO. Duket se do të kemi një krizë në politikën e jashtme,” thotë opinionisti.

Procesi për të riparuar marrëdhëniet Ankara-Moskë ka filluar tashmë. Zëvendës kryeministri Mehmet Simsek kryesoi një delegacion të nivelit të lartë që vizitoi ditët e fundit Moskën për të ndrequr relatat e dëmtuara nga rrëzimi i avionit bombardues rus pranë kufirit me Sirinë vjet.

Por Shefja e Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Presidencës turke, Ayse Sozen Usluer thotë se përpjekjet për afrim i kapërcejnë suazat ekonomike:

“Ekziston një bindje e përbashkët se keqësimi i marrëdhënieve nuk është në interes të asnjërit vend. Shoh një vullnet politik për t’i normalizuar marrëdhëniet. Besoj se marrëdhëniet do të kthehen në statusin që kishin para rrëzimit të avionit,” thotë zonja Sozen.

Zëvendës kryeministri Simsek, gjatë vizitës në Moskë, riktheu në lakim termin “partneritet strategjik” që fillimisht u përdor nga Presidenti Putin gjatë vizitës shtetërore në Ankara në dhjetor 2014.

Por Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov javën e kaluar la të kuptohej se përmirësimi i marrëdhënieve kërkon një çmim, duke thënë se duhen zgjidhur mospajtimet lidhur me Sirinë. Moska dhe Ankaraja mbështesin palë kundërshtare në konfliktin në Siri.

Por opinionisti Idiz paralajmëron se zoti Putin e ka të qartë se Erdogani nuk ka shumë karta në dorë, pasi ka acaruar marrëdhëniet me aleatët perëndimorë dhe pasi po ndeshet me kritika të ashpra për përgjigjen e rëndë ndaj tentativës për puç.

“Turqia nuk është në pozitë të fortë pas tentativës për grusht shteti. Nuk do të jetë në gjendje të imponojë vullnetin e saj. Do t’i duhet të tregohet realiste në ato që kërkon,”thotë zoti Idiz.

Por vëzhguesit thonë se takimi i Presidentit Erdogan me udhëheqësin rus Vladimir Putin mund të jetë një element i një strategjie më të gjerë. Presidenti turk e ka të qartë se fakti që po ulet për të diskutuar me Putinin mund t’i japë forcë më të madhe në negociatat me aleatët perëndimorë. Shefja e marrëdhënieve me jashtë në kabinetin e zotit Erdogan këmbëngul se Turqia mbetet e angazhuar në NATO dhe ndaj marrëdhënieve të saj me Uashingtonin, por do të ndjekë një politikë pragmatike.

Please follow and like us: