SHBA, fushata presidenciale hyn në një fazë të re
Pas mbylljes së procesit të emërimit të kandidatëve për president nga partia demokrate dhe ajo republikane, të cilat në kuvendet e tyre emëruan ish-sekretaren e shtetit Hillary Clinton dhe miliarderin Donald Trump, tani fillon një fazë e re: fushata intensive për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Zonja Clinton dhe zoti Trump kanë shpenzuar rreth një vit duke u përqendruar kryesisht tek votuesit e partive të tyre përkatëse, pra votuesit e regjistruar si demokratë apo republikanë. Por, shumë votues të tjerë e identifikojnë veten si të pavarur, duke i bërë ata objektiv kryesor në fushatën për zgjedhjet e 8 nëntorit.
Mbledhja e fondeve
Një detyrë e rëndësishme për kandidatët Clinton dhe Trump është të bindin donatorët për të kontribuar në financimin e fushatave të tyre.
“Fondet janë të rëndësishme për financimin e operacioneve në terren”, tha për Zërin e Amerikës strategia demokrate Penny Lee. Fushatat kanë nevojë për “personel me pagesë në shtete të ndryshme për të qenë në gjendje të organizohen”, madje më shumë se sa nevoja për të paguar reklamat politike. “Media e lirë në fushatën presidenciale është shumë më e lehtë se sa në fushatat për Kongres.”
Të dhënat e fundit nga Komisioni Federal i Zgjedhjeve tregojnë se fushata e zonjës Clinton e nisi muajin korrik me 44 milionë dollarë fonde të mbledhura, krahasuar me 20 milionë dollarë që ka arritur të grumbullojë fushata e zotit Trump. Zonja Clinton gjithashtu ka shpenzuar më shumë se zoti Trump në ciklin zgjedhor deri më tani. Ajo shpenzoi 230 milionë dollarë kundrejt 71 milionë dollarëve që shpenzoi zoti Trump.
Por duke marrë parasysh përvojën në zgjedhjet e kaluara, ky është vetëm fillimi i shpenzimeve. Në zgjedhjet e vitit 2012, fushata e presidentit Barack Obama shpenzoi 775 milionë dollarë, ndërsa rivali i tij republikan, Mitt Romney, shpenzoi 460 milion dollarë. Partia Republikane, Partia Demokrate dhe grupet e jashtme shpenzuan disa qindra milion dollarë të tjera në fushatën e fundit presidenciale.
Debatet
Fushata do të jetë shumë e ngjashme me procesin e zgjedhjeve paraprake, ku kandidatët do të mbajnë tubime fushate në qyetete të ndryshme në mbarë vendin. Por, do të ketë një fokus të veçantë në të ashtuquajturat shtete të pavendosura që konsiderohen si tepër të rëndësishshme në ditën e zgjedhjeve. Në mesin e tyre janë Florida, Ohajo dhe Pensilvania.
Ngjarja tjetër përcaktuese e garës presidenciale do të jetë më 26 shtator, kur zonja Clinton dhe zoti Trump do të marrin pjesë në debatin e parë mes tyre. Ata do të zhvillojnë edhe dy debate të tjera, një më 9 tetor dhe një tjetër me 19 tetor. Ndërkohë, më 4 tetor do të zhvillohet debati i parë dhe i vetëm mes kandidatëve për nënpresidenti, senatorit Tim Kaine nga Virginia dhe guvernatorit të Indianës, Mike Pence.
“Njerëzit do të kenë shansin të shohin dy kandidatët përballë njëri-tjetrit, pa pjesëmarrjen e publikut, dhe do të jenë në gjendje të shohin dallimet mes fushatave të tyre,” thotë strategia Penny Lee.
Debatet 90 minutëshe do të transmetohen drejtpërdrejt në stacionet televizive.
“Unë mendoj se në të kaluarën, debatet nuk kanë qenë vërtetë të rëndësishme, sepse njerëzit e përcaktuar ishin ata që i ndoqën ato”, tha për Zërin e Amerikës, strategia republikane Lisa Spies. “Unë mendoj se këtë herë do të jetë më ndryshe, sepse debatet do të jenë argëtuese.”
Këtë vit mund të ketë një kandidat të tretë në debatet presidenciale që zakonisht dominohen nga demokratët dhe republikanët. Kandidati libertarian Gary Johnson, në anketat e fundit kombëtare ka marrë mes 5 dhe 10 përqind mbështetje. Rregullat e debatit kërkojnë që për të marrë pjesë në një debat presidencial kandidatët duhet të kenë marrë të paktën 15 përqind mbështetje në pesë anketa kombëtare. Pra nëse kandiati Gary Johnson e arrinë këtë, atëherë ai mund të përfshihet në debatet presidenciale me zonjën Clinton dhe zotin Trump.
Tejkalimi i perceptimeve negative
Pas debateve, fushatat bëjnë përpjekjet e tyre përfundimtare për të bindur votuesit se kandidati i tyre është zgjedhja më e mirë. Në zgjedhjet e vitit 2012, rreth 55 përqind e njerëzve me të drejtë vote morën pjesë në zgjedhje.
Dita e zgjedhjeve nuk është festë kombëtare në Shtetet e Bashkuara, megjithëse shkollat në shumë qytete mbyllen pasi ato shërbejnë si qendra votimi.
Zgjedhjet zhvillohen në nëntor dhe fituesi zakonisht dihet në fund të ditës së zgjedhjeve, por nuk zyrtarizohet deri më 6 janar.
Kjo ndodh pasi Shtetet e Bashkuara përdorin një sistem të quajtur Kolegji Zgjedhor, i cili cakton një numër të caktuar votash elektorale për çdo shtet bazuar në numrin e popullsisë. Përveç dy shteteve, në të gjitha shtetet e tjera kandidati që merr shumicën e votave merr të gjitha votat elektorale të atij shteti. Kandidati i cili merr të paktën 270 nga gjithsej 538 votat elektorale bëhet president i ardhshëm i vendit.
Sistemi lë të hapur mundësinë që fituesi të marrë numër më të vogël votash në shkallë kombëtare, siç ndodhi me demokratin Al Gore i cili në vitin 2000 fitoi votën popullore, por mori më pakë vota elektorale se sa republikani George W. Bush.
Strategia demokrate Penny Lee thotë se për të fituar zgjedhjet, kandidatët Clinton dhe Trump duhet t’i kundërvihen perceptimeve negative të votuesve.
“Unë mendoj se Donald Trump duhet të fillojë të veprojë si një kandidat presidencial dhe të mos merret me shkrime kundër njerëzve në Twitter,” tha ajo. “Zonja Klinton, do të thosha se duhet të vazhdojë të tregojë anën e saj personale, anën e saj të ndjeshme dhe ato që provojnë se ajo është e besueshme.”
Fituesi do të marrë detyrën më 20 janar.