Albspirit

Media/News/Publishing

‘Shtrëngata’ që po vjen pas Reformës në Drejtësi

‘Shtrëngata’ që po vjen pas Reformës në Drejtësi

Nga Arjan Starova

Më në fund, reforma në drejtësi u miratua në Kuvendin e Shqipërisë! Tani, nuk ka më asnjë rëndësi se kush fitoi dhe kush humbi, megjithëse të dy kryetarët e PD-së dhe PS-së nuk ia kursyen vetes që t’a bëjnë krejt pa lidhje këtë gjë. Si rrjedhojë, le të mos ankohet askush se përse Ambasada Amerikane në Tiranë përgëzoi për konsensusin e arritur ‘nën trysni të jashtëzakonshme”, kurse Departamenti amerikan i Shtetit foli për fitore të popullit shqiptar. Amerikanët parapëlqyen të mos flasin për meritën e ndonjë partie politike të veçantë dhe kishin të drejtë. Të detyruar nga mënyra sesi po zhvilloheshin ngjarjet në ditët vendimtare të miratimit të reformës në drejtësi, ata flisnin vetëm për interesat e shumicës dërrmuese të popullit shqiptar. E detyruar edhe nga pohimi i hapur i demokratëve në seancën kuvendore të datës 25 korrik se ata ‘fituan … edhe kundrejt ambasadorëve që u larguan prej qëndrimeve të qeverive të tyre’, Ambasada amerikane u kundërpërgjigigj pa kaluar as njëzet e katër orë duke thënë shkoqur se të gjitha qëndrimet dhe trysnitë për reformën të Ambasadorit Lu janë mbajtur ‘me dijeninë e qeverisë amerikane’. Ajo çka duket sheshit se ka rëndësi për Shqipërinë dhe duhet të na gëzojë të gjithëve është se Sh.B.A. ka vendosur të mos humbë më kohë për shëndoshjen e demokracisë shqiptare duke u besuar politikanëve mosmirënjohës. Të gjitha të tjerat nuk kanë kurrfarë rëndësie.

Më në fund, është hapur rruga për të bërë drejtësi në këtë vend. Dhe a e dini se përse? Pikërisht për arësye se pjesë e procesit të përzgjedhjes së njerëzve të drejtësisë janë ekspertët e huaj, çka do të thotë, njerë të mirëvlerësuar të drejtësisë amerikane dhe europiane. Qofshin ata këshillues apo vendimmarrës, kjo nuk ka kurrfarë rëndësie bashkë me debatet qesharakë politikë përreth kësaj gjëje. Përderisa është hapur rruga që të vijnë informacione ndërkombëtarë me shkrim për korrupsionin e zyrtarëve dhe lidhjet e tyre me krimin e organizuar, kjo do të thotë se nuk ka ‘vrimë miu’ ku të futen ata që detyrat shtetërore i kanë vështruar deri tani si ‘shpellat e thesarëve të Ali Babait’ për të rrëmbyer ç’të mundnin për xhepat e tyre.

Ajo çka do të doja t’a them me shumë kënaqësi dhe me siguri është se miratimi me 140 vota i reformës në drejtësi është një veprim madhor, aq madhor sa madje jo të 140 deputetët e kanë kuptuar si të tillë. Edhe kjo e vërtetë tregon se frika nga trysnia e Sh.B.A. i ka bërë të korruptuarit dhe të kriminalizuarit e politikës t’i ‘lëshojnë gjunjët’ dhe të votojnë padashur me shpresën se votën do t’a shkëmbejnë me ndonjë ‘mbyllje të syve’ ndërkombëtare për ata. Le t’a harrojnë këtë njëherë e mirë. Bota e vërtetë demokratike nuk ka dy standarde.

Në këtë vend, do të bëhet drejtësi në mënyrë të pashmangëshme. Nuk do të ketë më deklarata politike sipas qejfit të politikanëve duke u ndjerë të sigurtë se drejtësia është e trembur dhe nuk vepron. Nuk do të ketë më deklarime politike se politikani X vodhi thesarin e shtetit dhe më vonë u shndërrua në ‘burrë shteti’ i denjë për koalicion. Nuk do të ketë më vizita mbrëmësore politike trysnore për drejtësinë te ata të cilët e gjithë Shqipëria dhe bota i kishte parë me fakte si vjedhës të rëndomtë. Boll më! Ka ardhur koha që pandershmëria e vendosur tinëzisht në piedestalin e këtij vendi të gjejë vendin që meriton, jashtë politikës.

Mbaroi epoka e trysnisë së politikës mbi drejtësinë! Madje, do të doja të theksoj, se sipas meje, fajin kryesor që drejtësia nuk ka qenë e pastër e ka pasur politika e korruptuar dhe e kriminalizuar. Të trembur nga politika, njerëzit e drejtësisë u vunë në rrethana të nevojës për mbijetesën e vet dhe të familjeve të tyre dhe e shkelën ndoshta edhe pa dashur drejtësinë. Në rrethana të tilla, kur drejtësia shkelet, është e natyrëshme që korrupsioni të përhapet edhe për interesa përfitimi të vetë njerëzve të drejtësisë.

Tani, në këto ditë pas miratimit nga Kuvendi të reformës, ajo çka të gjithë shqiptarët presin pa kurrfarë humbje kohe nga miratimi i reformës në drejtësi janë katër gjëra:

E para, të bëhen sa më parë ndryshimet e miratuara duke ngritur instiutucionet e rinj të drejtësisë. Përligjja e çfarëdo vonese është e pamundur përveçse si mashtrim.

E dyta, të fillojnë të vihen përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë shpërdoruar dhe po shpërdorojnë detyrat zyrtare duke u pasuruar me vjedhje shtetërore. Kjo është gjëja më e lehtë në botë. Mjafton të veprojnë si duhet institucionet e rinj të drejtësisë duke e detyruar edhe të ashtuquajturin ILDKP (Institucioni i Lartë i Deklarimit dhe kontrollit të Pasurive) të veprojë më në fund, jo për të vënë gjoba, por për të treguar publikisht faktet në të mirë të drejtësisë.

Mendësia se ‘kush nuk vjedh dot për vete nuk është i zoti as për shtetin’ do të fillojë të çrrënjoset më në fund! Shqipëria ka nevojë të ketë në elitën e saj njerëz të ndershëm dhe të përkushtuar! Detyrat shtetërore janë për t’u shërbyer njerëzve jo për të vjedhur për vete! Në fund të fundit, si e gjithë bota e vërtetë demokratike.

E treta, të fillojë të mmbyllet ai ‘pazar i ndyrë’ njëzetepesëvjeçar me gjyqet e qytetarëve shqiptarë ku ka fituar dhe fiton ai që ka sekserin më të fortë dhe ai që ka para më shumë. Shqiptarët duhet t’a ndjenë të mirën e reformës në drejtësi që këtë vit, madje që në pak muajt e ardhshëm. Unë vetë di histori të pafund të njerëzve që, për vite me radhë, nuk e kanë gjetur dot drejtësinë që u përket.

E katërta, Shqipëria është përpara zgjedhjeve të përgjithëshme, qofshin ato të parakohëshme apo në kohën e përcaktuar. Reforma në drejtësi duhet zbatuar me shpejtësinë më të madhe edhe sepse listat e kandidatëve për në Kuvendin e ardhshëm duhet të jenë të pastra, pa të korruptuar dhe të kriminalizuar. Çdo vonesë e zbatimit të reformës shkon në dobi të atyre të cilët jo nuk duhet të jenë, por as që duhet të mendojnë të jenë në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. Zbatimi i shpejtë dhe i besueshëm i reformës së drejtësisë do të sjellë patjetër spastrimin e elitës politike të Shqipërisë.

Njëzet e pesë vitet e shkuar me drejtësi të trysnuar nga politika, me politikanë të pasuruar hajdutërisht, me njerëz që idealet demokratikë i kanë pasur vetëm si alibi për hipokrizinë e tyre kundrejt interesave të qytetarëve, përveç të tjerave kanë ndikuar jashtëzakonisht keq edhe në përfytyrimin e njerëzve për demokracinë duke i bërë ata që të kthejnë padashur kokën pas për t’a krahasuar atë me rregjimin e përmbysur komunist, çka përveçse është a pakuptimtë, të ngjall një ndjenjë të thellë keqardhjeje.

Prandaj nëse miratimi i reformës në drejtësi ia çeli fytyrën Shqipërisë duke ia ripërtërirë asaj shpresën për të ardhmen, zbatimi i saj i shpejtë do të bëjë që Shqipëria të rifitojë kohën e humbur dhe qytetarëve shqiptarë t’u rikthhehet besimi te demokracia shqiptare dhe institucionet e saj!

Please follow and like us: