Skenat e dhunës së postit në TKOB, fyese për ne artistët
Nga Valeria Dedaj
Artistë të rinj, shqiptarë dhe të huaj, janë bërë bashkë për të qenë pjesë e masterklasave, që tenori Agim Hushi po realizon në qytetin bregdetar të Durrësit. Ndërsa, në datë 31 korrik, gjithçka do të përmbyllet me mbrëmjen gala “Durrës international Opera Masterclass” në ambientet e Teatrit “Aleksandër Moisiu”. Vepra të kompozitorëve më të mirë botërorë, si Verdi, Puçini, Moxarti etj., do të interpretohen nga 12 talentet shqiptare dhe ata që kanë ardhur nga Kina, Meksika etj. Gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”, tenori Agim Hushi, ndalet jo vetëm te rëndësia e këtij koncerti, që me këto përmasa realizohet për herë të parë në Shqipëri për t’u ardhur në ndihmë studentëve të degës së Kantos në Universitetin e Tiranës, por edhe te problematikat që shqetësojnë artistët shqiptarë në TKOB. Sipas tij, dhuna e postit është më e poshtër se ajo fizike.
Zoti Hushi, riktheheni sërisht në Shqipëri, për një mbrëmje gala “Opera masterklas ndërkombëtare”, të cilin do të realizoni në qytetin e Durrësit…
Duke u gjendur larg Shqipërisë për 25 vjet malli njerëzor ka ndikuar dhe jam kthyer herë pas here në Shqipëri për koncerte, programe apo projekte të ndryshme. Gjithsesi Shqipëria vazhdon që të mbetet një vend që të ofron dhe të sfidon shumë, sepse kemi një zhvillim dialektik të natyrshëm, që nuk e ndalon asnjë qeveri, kam parasysh këtu problemet sociale dhe betejat apo luftërat e mirëfillta sociale. Unë kam ardhur me disa plane, që ndoshta në kohën e duhur, përtej natyrës sime profesionale do t’i bëj të ditura, por gjatë kësaj periudhe jam duke punuar për realizimin e masterklasave dhe të një koncerti në qytetin e Durrësit. Vangjush Dako (kryetari i Bashkisë së Durrësit) ka ofruar strehim për studentët e huaj. Artistët e rinj treguan një interes të jashtëzakonshëm për këtë masterklas, por ne e mbyllëm me 12 studentë, që janë nga Meksika, Kina dhe shqiptarë nga dega e Kantos (Universiteti i Arteve). Ky format është i pari në Shqipëri, mund të jenë bërë masterklase me emra të njohur të skenës operistike shqiptare, por së pari, jam një pedagog i licencuar dhe shefi i Katedrës së Operës në Konservatorin e Vjenës dhe prej 11 vitesh në duart e mia kalojnë talente botërorë dhe shqiptarë, të cilët këndojnë në skenat më prestigjioze të botës.
Çfarë mund të na thoni për artistët e rinj shqiptarë, të cilët i keni përzgjedhur për të qenë pjesë e koncertit?
Mund të them se kam gjetur studentë shumë të mirë, por siç Stradivari (mjeshtëri i violinës), po ashtu edhe kantoja ka dy elementë, që jo vetëm në shkollat shqiptare janë bërë të padukshme, por edhe në shkollat e huaja, ku kam pasur fatin që të jap mësim, si në Paris, Madrid, Danimark, Romë etj. Në vende që mbahen, si ekselenca akademike ku mësohet muzika klasike, por për fat të keq kanë filluar rëniet. Ashtu siç e dimë të gjithë në vitet ’60-të superstari, që ndiqte media ka qenë Maria Callas, ndërsa tani është Ledy Gaga. Kjo shpjegon dhe ndryshimin e madh që ka ndodhur, por megjithatë doja që të thoja këto dy faza që janë shkrirë, sepse nëse instrumentin e përgatitë një virtuoz si Stradivaris, natyrisht që ai nuk është si Paganini, që luan në të. Ajo e bërjes së instrumentit, në këtë rast është vokali dhe të luajturit në të, pra kantoja. Prandaj mund të them se, një pedagog sot ka humbur funksionin. Nuk e dimë nëse është ndërtues i vokalit apo është ndërtues i frazave muzikore. Ky është problemi i madh. Është dramatikë për zhvillimin e artit të operës në botë, por edhe në Shqipëri, sepse është një pjesë që ne na dhemb.
Pra, me këtë nënkuptoni se mësimdhënia në degën e Kantos, (Universiteti i Arteve) nuk është në nivelin e duhur?
Unë mund të them se kam gjetur këtu një koncertmastër, që më ka lënë tej mase të impresionuar. Bëhet fjalë për pianisten Ardita Bubaj. Duke folur për zhvillimet e operës me të, u çudita, sepse këtu nuk bëhet fjalë që të diskutosh me ata që janë në opera apo UA, sepse ata i dinë të gjitha. Nuk kanë asgjë për të mësuar dhe diskutuar, sepse ata vetëm japin mësim. Kjo është dramë! Është dramë, sepse unë kam pasur fatin që të jap masterklas në Kinë prej disa vitesh për artistë dhe pedagogë. Kam folur me shumë këtu, por nuk diskutojnë profesionalisht se ku dhemb dhe si shërohet, por vetëm biseda groteske. Nuk mund ta mohoj se ka personalitete, që vazhdojnë të kontribuojnë, si Kastriot Tusha, Edit Mihali, Nikolin Gurakuqi, Manjola Nallbani etj. Por, ne flasim në planin e atyre që kanë frenat në dorë. Megjithatë, kur ka njerëz, si kjo pianiste dhe ka ende shpresë. Logjikisht këtë e bën vetëm drejtimi i gabuar, që do të jetë me pasoja shumë të madha për talentet dhe kulturën kombëtare, që do të na përfaqësojnë në të ardhmen. Dikush do të thoshte: Nuk është e drejtë të thuhet kështu. Por unë mendoj se atje duhet që të dalin çdo ditë talente, sepse të gjithë ata që pranohen presupozohet të jenë talente, jo të mbeten anonim.
Pra ju mendoni se për këta të rinj, që pretendojnë të ngjiten në skenën e operës ka mungesë politikash edhe nga Ministria e Arsimit, jo vetëm mungesë investimi nga Ministria e Kulturës?
Unë padashur që ta politizoj bisedën, sepse këto situata përveçse janë në vazhdimësi, për mendimin tim janë edhe pasojë e një syri jo ekspert. Është mungesa e një programimi profesional në opera, jo ide të marra, nga dikush që vjen për tre apo katër vjet. Vjen me turp dhe ikën me turp.
Përse shpreheni kështu?
E quaj kështu, sepse janë emërime që bëhen mbi baza të pajustifikuara. Vazhdojnë që të ushtrojnë dhunë posti. Dhe dhuna e postit është më e poshtër dhe më e ulët sesa ajo fizike. Këto janë skena që po i dëgjojmë nga Teatri i Operës. Është fyese për ne artistët që t’i dëgjojmë këto. Jam i fyer dhe i indinjuar. Nuk pranoj askënd që të bëj komente mbi këto fjalë të sinqerta, sepse ai teatër opere ka nxjerrë artistë, si Marie Kraja, Avni Mula, Mentor Xhemali, Gaqo Çako etj., yje që shkëlqejnë dhe që forca e këtyre që dalin sot për nesër, nuk mund që t’i rrëzojë dot. Është e turpshme dhe e papranueshme. Megjithatë unë jo paqëllim zgjodha Durrësin. Prandaj mund që t’u them artistëve shqiptarë, që skena është e tyre. Liria është mbi të gjitha. Ndalesat që u bëhen këtyre të rinjve, janë mesaklitete vetëshkatërruese.
Gjatë këtyre tre muajve në Shqipëri, keni qenë në Teatrin e Operës?
Jo.
Megjithatë qenkeni në brendi të situatave…
Jam plotësisht, sepse jam në kontakt me miqtë e mi. Jam rritur në skenë më Nikolin Gurakuqin, Ylber Gjinin, Irini Nikollën etj., por natyrisht që ka ardhur një grup i ri, që mesa duket janë të përzgjedhurit e administratës ekzistuese.
Në këtë rast a keni një apel për Ministrinë e Kulturës. Çfarë do të donit që të bënte?
Ministria e Kulturës është një dështim total, sigurisht, jo i qeverisë Rama, por i ministres, e cila është një zonjë, për të cilën nuk dua të bëj komente që duken personale, por, ditën që ajo do të ikte nga ajo zyrë do ta konsideroja një fitore të kulturës. Është një humbje e madhe për kulturën, të kemi një person, që nuk bisedoi dhe nuk u përpoq kurrë të kuptonte se ku qëndrojnë problemet.
Dhe së fundmi, mendoni sërisht që në vazhdim të jeni pjesë e politikës shqiptare?
Po, kam disa ëndrra qytetare. Dua që të kontribuoj për atdheun tim.
Biografia
Agim Hushi ka lindur në qytetin e Kavajës më 21 maj 1961. Pasi ka mbaruar në këtë qytet shkollën e mesme të përgjithshme në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” ndjekur dhe përfunduar studimet e larta për Gjuhë–Letërsi në Universitetin e Tiranës në vitin 1986. Në vitin 1991 ka përfunduar studimet në Konservatorin e Tiranës me rezultate të larta. Nga viti 1992 deri në vitin 1995 ka studiuar në Hungari në institutin “Franc List” të Budapestit. Në vitet 1995 -‘97 ka punuar si solist i parë i Operas Hungareze. Aktualisht është shefi i Katedrës së Operës në Konservatorin e Vjenës. “Opera Departament Viena Conservator”, si dhe Rektor Nderi në Universitetin Cin Dao të RP të Kinës. Prej 25 vjetësh jeton dhe punon jashtë vendit. Ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenca dhe Bashkia e Kavajës i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi”.