Albspirit

Media/News/Publishing

Zheji jep kushtrimin: Deputetë të LSI shiten te Rama 

Në portalin “360Gradë” që posedohet nga Artur Zheji, shpallet alarmi, se Edi Rama po përparon drejt bërjes së 71 votave me të cilat mund të mbante i vetëm qeverinë, duke flakur jashtë saj Ilir Metën. Në një analizë të gjatë të mbushur me informacione sipas “burimeve konfidenciale”, tregohen me detaje kalkulimet që po bën Rama për të kapur numrin 71 të votave që i duhen me patjetër, për të mbajtur karrigen kryeministrore.

Interesant është fakti që Zheji, i cili njihet për afrimitet me kreun e LSI, jep kushtrimin se negociatorët e Ramës, janë shumë afër “blerjes” së dy deputetëve brenda grupit parlamentar të LSI, i cili deri më tani konsiderohej i padepërtueshëm. Nuk jepen emra por bëhen karakteristikat e dy prej deputetëve që sipas këtij portali, po shkojnë drejt prehrit të Ramës, duke braktisur Metën.

“Megjithëse mendohej se grupi parlamentar i LSI, nuk çahet, thuhet se negociatorët specialë të kryeministrit, me mandat të pakufizuar shpërblimesh dhe ofertash, kanë bërë bisedime intensive, me të paktën 2 deputetë të LSI. Njëri me bindje shumë të njohura dhe shumë të majta dhe tjetri mendohet se është nga fusha e biznesit”, shkruan Zheji.

Deputeti me bindje shumë të njohura dhe shumë të majta brenda LSI, dihet që është Spartak Braho. Duhet të ketë ndonjë arsye shumë madhore që të ndodhë ky divorc mes miqsh të vjetër, besnikë në ditë të mira e të këqija. Nga ana tjetër karakteristikat e “renegatit” tjetër, deputet nga veriu, të çojnë te emrat e Përparim Spahiut, i zgjedhur në qarkun e Dibrës dhe të Agron Çelës në Shkodër.

Zheji thotë se për këto lëvizje është në dijeni edhe Ilir Meta, “por nuk ka ndërhyrë akoma, në një kundër ofensivë sqaruese”.

Shkrimi i plotë “Zbardhet Skema e dytë për bërjen e numrit 71 të qeverisë Rama 2”

Mbasi negociatorët, duket se kanë mbaruar punë me “nënshtrimin” apo paqtimin e “rrebelëve” në brendësi të Partisë Socialiste dhe kanë bërë një negociatë të fuqishme me disa deputetë të PD, puna e tyre nuk ka mbaruar këtu. Përshkallëzimi nga numëri 60 drejt numrit 71, është një e përpjetë jo e lehtë. Mungesa e 20 deputetëve të Ilir Metës, është një boshllëk realisht i madh.

Prandaj “grupi i negociatorëve” të shtabit të emergjencës së Edi Ramës, kanë hedhur sytë edhe nga LSI. Megjithëse mendohej se grupi parlamentar i LSI, nuk çahet, thuhet se negociatorët specialë të kryeministrit, me mandat të pakufizuar shpërblimesh dhe ofertash, kanë bërë bisedime intensive, me të paktën 2 deputetë të LSI. Njeri me bindje shumë të njohura dhe shumë të Majta dhe tjetri mendohet se është nga fusha e biznesit.

Bisedimet, zbardhet nga 360grade.al, kanë pasur përparime. Por ende jo një përfundim konkret, bindës dhe të garantuar. Thuhet se Ilir Meta, është vënë në dijeni për këto oferta dhe bisedime, por nuk ka ndërhyrë akoma, në një kundërofensivë sqaruese. Duket se ka si pasion, rezistencën e vetëvetishme, të deputetëve të grupit të vet parlamentar.

Paralelisht me LSI, negociatorët specialë, kanë bërë bisedime konkrete dhe intensive me PDIU, për të cilat bisedime ka shenja të dukshme dhe të lexueshme kënaqësie. Negociatorët specialë kanë vepruar me një strategji të dyfishtë.

E para, thuhet se kanë siguruar të 5 votat e PDIU, për Qeverinë Rama 2, duke ofruar të paktën dy poste ministrore për PDIU dhe vendin e Kryetarit të Kuvendit për zotin Idrizi. Një nga kandidaturat më të përfolura është Mesila Doda, pasiqë kryeministri e mban veten si “zbuluesi i parë”, i talentit të saj politik. Sepse ka qenë ai, rekomanduesi i saj, për posten e zëdhënëses së Qeverisë Meta 1, rreth vitit 2000, kur Mesila s’kishte shumë kohë që ishte kthyer nga studimet e saja në “La Sapienza” në Romë. Dhe duket se Idrizi, e ka dhe një nga kandidaturat e veta të preferuara, për shkak të aftësive të saja komunikuese dhe marrëdhënieve specifike me Ramën.

Pamvarësisht përplasjeve të mëdha në ngjarjet e 21 Janarit, kur Doda, deputete e PD, ishte ndër më luftaraket në krah të Berishës, kundër “aventurizmit” të Edi Rama. Por nevoja për numurin 71, me çdo kusht dhe me çdo mjet, ka hedhur pas krahëve çdo sharje dhe sulm politik të djeshëm, qoftë të Dodës apo dhe të vetë Idrizit.

Nëse bëhet një veprim i vogël aritmetik, nëse “nënshtrohet” dhe “tradhtohet” nga Ben Blushi, deputetja e Shkodrës, zonja Hafizi, plus 5 deputetët e PDIU dhe deputetët e tjerë të “rehabilituar” apo të paqtuar në PS, arrihet te numëri 69.
Thuhet se deputeti Nard Ndoka, është i gatshëm për të votuar qeverinë e re.
Kurse deputeti Agron Duka, që do të bënte numërin 71, është shumë i pavendosur për të marrë një veprim dhe një qëndrim të tillë. Kjo do ta armiqësonte në mënyrë të panevojshme me Lulëzim Bashën dhe Ilir Metën, armiqësi të cilën, babaxhani Duka, nuk ka përse ta ngarkojë mbi vete, aq më tepër kur deputeti Lefter Koka, kunati i tij, ka marrëdhënie shumë të mirë me Metën.

Gjithë shpresat e negociatorëve, janë te dyshja e deputetëve të LSI, te “kthesa” e Hafizit dhe te joshja ndaj Agron Dukës. Ata mburren lart e poshtë, se kanë të paktën 3 deputetë të PD, që do ta votonin Qeverinë Rama2…
Pista e dytë e strategjisë, është që duke bërë publike ata vetë këtë skemë, synojnë të trembin Ilir Metën, që të mos ndërmarrë hapin e zgjedhjeve të parakohshme. Dhe mbi të gjitha të mos rrëzojë Qeverinë Rama 1.

Kthimi nga SHBA i Metës, do ta zbardhë shumë shpejt qëndrueshmërinë e këtyre skemave, të cilat për hir të vërtetës, janë shumë konkrete.

Please follow and like us: