Albspirit

Media/News/Publishing

Artistët nga Kosova pikturojnë murale në SHBA

Dora e artistëve nga Kosova, tani ka prekur edhe veprat urbane të artit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Klan Kosova.

Grupe artistësh nga Kosova, së bashku me disa artistë nga Kolorado në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pikturuar një mural mahnitës që paraqet një përzierje në mes kubeve dhe simboleve, i pikturuar në një sfond të kuq dhe të kaltër, që zbukuron muret e Qendrës Rekreative Swanesa në Denver të Kolorados në SHBA.

Punimit të artistëve i ka kushtuar një reportazh edhe Denver Post, gazeta më e madhe e vendit.

Por, kjo është më shumë se një vepër shumë-ngjyrëshe arti. Për dy javë rresht gjatë muajit korrik, artistët nga Kolorado kanë pikturuar bashkë me gjashtë artistë nga Kosova.

Ky shkëmbim artistësh në mes dyja vendeve ka ndodhur edhe më herët, për shkak se në maj të vitit të kaluar 11 artistë nga Kolorado kishin ardhur në Viti të Kosovës, për tu njohur me komunitetin e këtushëm.

Në këto murale që zbukurojnë qendrën rekreative e cila ka edhe një pishinë, këta artistë përmes vizatimeve të tyre kanë paraqitur edhe ngjashmëritë edhe ndryshimet që ata kanë mes vete, si njerëz që vijnë nga vende të ndryshme të botës.

Shkëmbimi i Artit e Kulturës Kosovë-Kolorado, është një rilindje këtë vitin e fundit pasi që projekte shkëmbimi në mes artistëve nga Kosova e Kolorado, kishte pasur edhe në vitin 2005 dhe 2006.

Aktivitetet e artistëve të të dyja vendeve, ishin organizuar prej “New Hope Church” nga Rifle e Kolorados së SHBA-ve, për të realizuar aso kohe një mural në Kosovë.

Please follow and like us: