CIA zbardh gjyqin ndaj agjentëve të saj të kapur nga komunistët
CIA amerikane zbardh detajet e një gjyqi të zhvilluar në prill të 1954, ku disa agjentë të saj u arrestuan nga shërbimi i sigurisë në Shqipëri. Sipas një dokumenti të deklasifikuar, thuhet se bëhet fjalë për shqiptarë të rekrutuar nga CIA, që u lëshuan në Shqipëri me parashuta dhe rrugë të tjera, por që u kapën nga ushtria dhe agjentë e sigurimit. Më poshtë jepen detaje nga seanca gjyqësore ndaj Ahmet Kabashit. Sipas përshkrimeve të CIA gjyqi ka qenë i hapur dhe është ndjekur nga qindra persona. Aty jepen detaje nga dëshmia e tij ku përshkruhen se si u futën në Shqipëri, ndërsa përmenden dhe rolet e shumë personazheve të njohura, mes të cilëve Xhafer Deva dhe Abaz Kupi. Në numrin e radhës do mund të ndiqni vijimin e dëshmisë së tij.
6 prill 1954, Raporti i gjyqit të spiunazhit në Tiranë
Gjyqi kundër bandës së diversantëve dhe spiunëve në shërbim të imperialistëve amerikanë, të cilët ishin dërguar për të organizuar një kryengritje të armatosur, u hap më 5 prill në Kinemanë e Brigadave. Të akuzuarit janë si më poshtë:
-Zenel Ali Shehu nga Bulqiza e zonës së Dibrës, ish-kapiten i rojës personale të mbretit Zog dhe më vonë agjent sekret i shërbimit amerikan të spiunazhit. Halil Jusuf Branica, nga Bugajeti i Dibrës, ish-kapiten i rojës personale të mbretit Zog dhe më vonë agjent sekret i shërbimit amerikan të spiunazhit.
-Hamit Hasan Matjani, nga fshati Garmujas në Peqin, një kriminel i urryer, kolaboracionist me italianët dhe gjermanët dhe mercenar i Ballit Kombëtar. Agjent i spiunazhit grek dhe amerikan.
-Naum Vasil Sula, nga Bujarasi i Elbasanit, bashkëpunëtor i pushtuesit, anëtar i bandës kriminale të Hamit Matjanit.
-Gani Mehmet Malushi nga fshati Tac i Ersekës.
-Rrapush Qerim Agolli nga Mocani i Maliqit.
-Ibrahim Sulejman Lamçe nga Shtepanja.
Seanca
Salla e Kinemasë së Brigadave është e mbushur plot me njerëz dhe një numër i madh njerëzish ndiqnin procedurën gjyqësore me në transmetim në radio. Gjyqi u ndoq nga korrespondentët e huaj si më poshtë: Skaçenko, korrespondent i Pravda; Alitovski, korrespondent i Tass; Piskov korrespondent i Bullgarisë, Lina Angel korrespondent i gazetës italiane UNITA. Në orën 09.00 trupi gjykues hyri në sallë, i drejtuar nga Shuaip Panariti, dhe me anëtarë Major Loni Dimoshi dhe Kapiten Hilmi Telegrafi. Syri Çarçani është Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Këshilli i mbrojtjes përbëhet nga Niko Zoto, Koço Dilo, Dhimitër Vangjeli, Koço Dilo, Pandeli Kosturi dhe Fejzulla Sejdini. Presidenti Shuait Panariti therët përpara trupit gjykues dëshmitarët dhe emëron ekspertët e kriminalistikës. Më pas ai i jep fjalën prokurorit, i cili lexon aktakuzën. Në një cep të sallës duken pushkë, automatikë, pistoleta, granata, aparate radio-transmetues, monedha ari, dollarë amerikanë dhe materiale të tjera të sekuestruara nga të akuzuarit.
Marrja në pyetje
I pari që merret në pyetje është i akuzuari Ahmet Agush Kabashi, i cili tregoi se pas çlirimit të Shqipërisë ishte arratisur në Greqi bashkë me të vëllanë prej frikës së do të jepte llogari për krimet e tij. Në Greqi ai u çua nga xhardarmëria në kazermat ushtarake të Follorinës ku u stërvit nga britanikët. I akuzuari tha më tej se kishte ardhur në Shqipëri i lëshuar me parashutë nga një avion amerikan. Gjatë kohës së qëndrimit në Greqi, Shehu tha se disa prej refugjatëve shqiptarë ishin përdorur për të luftuar kundër partizanëve grekë, teksa më vonë ishin transferuar në Itali, ku ishin grumbulluar shumë kriminelë të tjerë shqiptarë dhe bullgarë. Pas përfundimit të kursit stërvitor i akuzuari tha se kishin fluturuar mbi Shqipëri gjatë natës dhe ishin lëshuar me parashutë por gabimisht piloti i kishte lëshuar në vende të ndryshme, prandaj Kabashi, Matjani dhe Qerim Godeni që ishin së bashku, humbën kontaktet me të tjerët dhe u rikthyen nga frika në Greqi. Pas një qëndrimi të shkurtër ata u vunë përsëri në avion më 25 qershor dhe me të njëjtat direktiva u nisën për në Shqipëri. Kësaj here avioni i kishte lëshuar në një zonë të ashpër shkëmbore, ku dy prej të lëshuarve thyen këmbën. Destan Berisha qëlloi njërin prej tyre dhe i mori armën automatike. Përsëri të ndjekur nga forcat e sigurisë ata u kthyen në Greqi me pretekstin se u ishte shkatërruar radioja e transmetimit. Vetëm Destan Berisha dhe Ahmet Kabashi arritën të shpëtonin duke u larguar nga kufiri me Jugosllavinë. Atje u morën në ngarkim nga amerikanët në një qendër spiunazhi në Kalamaki. Kësaj here stërvitja e tyre u mbikëqyr nga një amerikan me origjinë shqiptare i quajtur “Qose”. Herën e fundit Kabashi u nis për në Shqipëri më 29 janar, me qëllim të kontaktonte me Zenel Shehun, për të cilin i kishin dhënë një letër të detajuar. Prokurori lexoi letrën ku “Qose” i kërkonte Zenel Shehut të mos merakosej pasi do të kishte të gjithë mbështetjen e mundshme. I akuzuari Kabashi u kap nga forcat e sigurisë sapo u ul në Shqipëri.
8 prill 1954, Ahmet Kabashi merret në pyetje në gjyqin e Tiranës
Presidenti i gjykatës Shuaip Panariti i kërkon prokurorit, të akuzuarit dhe mbrojtjes nëse kanë ndonjë kundërshtim në lidhje me dëshmitë apo ekspertizën. Pasi nuk kishte kundërshtime presidenti i jep fjalën prokurorit, i cili lexon padinë. Më tej, prokurori flet për aktivitetet e këtij grupi diversant, si dhe për aktivitetet kriminale të secilit prej anëtarëve të tij. Pas leximit të padisë nis marrja në pyetje, e cila nis me të pandehurin Ahmet Agush Kabashi.
-Sa kohë keni qëndruar?
Ne qëndruam rreth 2-3 muaj në kampin italian. Gjatë kësaj periudhe jemi njoftuar herë pas here se cili donte të emigronte në Australi apo Amerikë …
-Kush e administronte kampin?
Italianët.
-A ruhej kampi me ushtarë?
Po, kishte xhandarë italianë.
-Po tjetër?
Ata jepnin urdhra për emigrim në vende të tjera. Në kamp vinin njerëz si Kol Bibe Miraka, -Xhafer Deva, Mithat Frashëri e Vasil Andoni. Në fund erdhi dhe Abaz Kupi nga Egjipti.
-Përse vinin në kamp këta njerëz?
Ata nisën të vinin kur erdhi Kolë Bibë Miraka. Nuk mund të hyja në kontakt me ta por disa katolikë kontaktuan. Ardhja e tyre kishte të bënte me spiunazhin. Me formimin e një grupi që do të futej në Shqipëri me ndihmën e shërbimeve amerikane e britanike kundër pushtetit të popullit. Kur u largua ai nisi të vinte Vasil Andoni dhe sipas urdhrave të tij u formua një grup shqiptarësh nga jugu prej rreth 10-15 vetësh, me në krye Ali Trubovën. Thuhej se do të dërgoheshin në kampin e Bagnolit. Dy ditë pasi ata u larguan nga kampi ne dëgjuan nga anëtarë të partisë së tyre fjalë se … se ishin futur ilegalisht në Shqipëri nga amerikanët dhe britanikët. Më vonë, në kamp erdhi Alush Leshanjaku, i cili shoqërohej nga Xhevdet Blloshmi. Erdhi për një vizitë 2-ditore. Pas tre a katër ditësh ai kishte zgjedhur një grup nga Blloku Indipendent me katolikë dhe njerëz nga Elbasani, dhe një natë me dijeninë e karabinierëve u larguan nga kampi. Mëngjesin tjetër zyrtarët erdhën nëpër dhoma për të kontrolluar kush ishte e kush nuk ishte në kamp, ndoshta sepse mendonin se mund të ishin fshehur. Por në fakt ata vetë i kishin shoqëruar jashtë kampit. Pas vizitës së Alush Leshanjakut dhe Xhevdet Blloshmit, erdhi Abaz Kupi nga Egjipti. Ai erdhi për të kontaktuar mbi problemin e të ashtuquajturit komitetit të Zogut. Abaz Kupi i thoshte Sadi Bajës nga Delvina dhe Hysen Terpezës, se do të formonte një komitet politik dhe me anë të dërgimit të emigrantëve në Shqipëri dhe me ndihmën e anglezëve dhe amerikanë do të përmbysnim pushtetin e popullit.
-Me kë do ta formonte ai këtë komiteti?
Ata do ta formonin me ndihmën e anglo-amerikanëve.
-Kush ishin personat?
Abaz Kupi erdhi dhe tha se do të formonte një komitet por kur u largua nuk mori me vete personat për të cilët kishte rënë dakord por mori të tjerë. Ai kërkoi të birin e Gjon Mark Gjonit, por jo vetë Gjon Mark Gjonin dhe Mit’hat Frashërin.
-Kush ishin këta njerëz? A i njihnit ju? A e dini se çfarë kanë bërë këtu?
Disa prej tyre i njoh personalisht. Kam dëgjuar se ata kanë formuar një komitet me emrin “Shqipëria e Lirë”.
-Kush e ka formuar këtë komitet?
Komiteti përfshin Mit’hat Frashërin, si drejtues. Por 10 a 15 ditë pas formimit të komitetit ai vdiq në Nju-Jork. Ai u zëvendësua nga Hasan Dosti, që e drejton aktualisht.
-Çfarë kanë bërë gjatë luftës këta njerëz në Shqipëri?
Ata janë vrasës të popullit shqiptar. Siç kam dëgjuar, krimineli Xhafer Deva ka kryer vrasje masive më 4 shkurt 1943 në Shqipëri.
-Me kë kanë bashkëpunuar ata gjatë Luftës Anti-Fashiste?
Ata kanë bashkëpunuar me fashistët e me nazistët.
-Po tani jashtë shtetit çfarë po bëjnë ata?
Ata po bëjnë të njëjtën gjë.
-Me kë po e bëjnë ata të njëjtën gjë?
Tani ata po e bëjnë me amerikanët dhe anglezët.
-Fol!
Italianët, grekët. Xhafer Deva erdhi e na tha se kërkonte gjashtë njerëz për të futur në Kosovë me mision për amerikanët. Ne dolëm nga kampi me ndihmën e karabinierëve italianë, pasi lejohej që të dilje deri në orën 20.00. Ne u takuam me Xhafer Devën dhe shkuam në një restorant. Hëngrëm darkë dhe Xhaferi pagoi. Pas darkës ai në tha: Ju kam marrë për t’ju çuar me mision në Kosovë. Unë jam i lidhur me amerikanët por me qëllim që të mos i ekspozoj ata po kontaktoj vetëm me italianët. Ju do të futeni ilegalisht dhe do të vazhdoni punën e nisur nga ne. Qëllimi i udhëtimit tim është të gjej agjentë për amerikanët. Kur unë u bëra agjent i amerikanëve, u bëra dhe agjent i grekëve dhe italianëve, pasi janë të gjithë njëlloj. Deri në shtator 1949 kishim mbaruar së mësuari radion dhe leximin e shifrave, të hartës e të busullës.
-Kush ishte tjetër aty me ty?
Me ne ishte italiani Marinati, Riza Aliu, Beqir Bejgora, Hajredin Vuçiterna, Destan Berisha dhe Shaqir Kallolli.
-Ju mësuan vetëm përdorimin e radios apo dhe gjëra të tjera?
Fillimisht nisëm të mësonim radion por Beqir Bejgora, Hajredini dhe Destani nuk mund të ndiqnin kursin sepse ishin analfabetë ose gjysmë analfabetë, prandaj kursin e bëmë vetëm unë, Rizai e Shaqiri.
-Pra, ju mësuat vetëm operimin e radios?
Po, mësuam vetëm të operonim radion.
-Mirë, ku shkuat më pas?
Në shtator 1949 Xhafer Deva erdhi përsëri. Ai tha se punët nuk po shkonin mirë por nuk tha pse. Më pas u largua dhe më vonë dërgoi një mesazh. Në fund të majit 1950 ai dërgoi një italian të na merrte me makinë, që na çoi në një shtëpi sekrete në Romë. Aty kryem kursin përpara se të vinim këtu, por siç ju thashë të gjithë diversantët e kanë shumë të vështirë të vijnë këtu.
-Prokurori – Më lejoni shoku president. Dëgjoni i pandehur, sigurisht, sigurisht që ka qenë kështu, por mos i fshihni faktet. Është e qartë se që prej fillimit ju keni qenë një agjent i spiunazhit italian. Ata ju kanë rekrutuar dhe instruktuar. Ju keni përdorur radiot e tyre në Romë. Ky fakt mund të mos ketë shumë rëndësi për ju për ka për ne, dhe për gjithë botën.
Po
-Kjo tregon se imperialistët amerikanë për të kryer planet e tyre kriminale kanë marrë ndihmën e agjentëve fashistë. Ata nuk kanë marrë vetëm plane nga Musolini dhe Hitleri pro këto plane po kryheshin nga agjentët e vjetër të Musolinit e Hitlerit. Ku shkuat më pas?
Me avion zbritëm në Mirditë, në Kthelle.
-Çfarë avioni ishte?
Një avion amerikan, i pilotuar nga italianët.
-Nga cili aeroport u nisët?
Nga Roma.
-Vazhdo
Kur zbritëm u rrethuam nga forcat e sigurisë. Ne u thamë se na kishte dërguar Xhafer Deva. Kur takuam forcat e sigurisë, Riza Alia u qëllua, ndërsa Ndoc Gjini dhe një tjetër emigrant katolik i plagosën gjatë përpjekjes. Ne i lamë materialet dhe çka kishim me vete.
-Folësi: I akuzuari Ahmet Kabashi ka pranuar se megjithëse u përpoq të zbatonte urdhrat e spiunazhit italian tentoi të qëndronte në Shqipëri, por u largua drejt Greqisë. Atje u dërgua përsëri në Shqipëri me mision diversanti nga shërbimet amerikane të spiunazhit. Ai ka deklaruar sa më poshtë mbi lëvizjet në Greqi: Unë dhe dy grekë shkuam në Athinë. Kur arritën në destinacion erdhi një makinë me dy amerikanë që nuk i kisha parë ndonjëherë. Dy grekët i lamë në Allodhapon dhe ne vazhduam për në Glifadha. Na lanë në shtëpinë ku kishte qëndruar Zenel Shehu dhe grupi i tij. Duke u larguar, dy amerikanët më thanë se ditën tjetër do të vinte të më takonte komandanti. Dhe ditën tjerr erdhi komandanti që quhej Qose … Më 26-27 dhjetor u nisëm për në aeroportin Elephsina për t’u lëshuar në Shqipëri, por kushtet e motit nuk ishin të favorshme dhe u kthyen prapa. Më 27 janar ata më dhanë një automatik të vogël, një pistoletë dhe disa tableta helmi. Amerikani “Qose” më tha t’i dërgoj të fala Zenel Shehut nga koloneli amerikan. “I thuaj që i jam mirënjohës për atë që ka arritur”, tha ai. Në këtë moment kuptova se edhe Zogu ishte në kontakt me amerikanët. Ai tha se në grup duhet të dërgohej në Mirditë kurse Zenel Shehu duhet të kthehej në Greqi, jo nga kufiri shqiptaro-grek por nga kufiri jugosllavo-shqiptar.
-Na thuaj cila ishte detyra specifike që të kishin ngarkuar?
Duhet të shkoja aty, te Zenel Shehu dhe të transmetoja të gjithë informacionin e mbledhur.
-Çfarë pune duhet të bëje për Zenel Shehun?
Duhet të operoja radion dhe të deshifroja mesazhet.