Albspirit

Media/News/Publishing

DASH: Korrupsioni i pushtetarëve dhe krimi po mbajnë peng Shqipërinë

Departamenti Amerikan i Shtetit, në dokumentin për buxhetin që ka planifikuar për Shqipërinë në 2017, ka dhënë dhe një panoramë të situatës në vend. Aty thuhet se fondet do shkojnë për të luftuar korrupsionin, pasi në Shqipëri ky është një fenomen shumë i përhapur, sidomos tek zyrtarët e nivelit të lartë.

“Pozicioni gjeografik i Shqipërisë e bën atë një vend tranzit për krime, të tilla si: Kontrabanda, trafikimi, krimet që lidhen me frikësimin e dëshmitarëve, falsifikimin e dokumenteve, pastrimin e parave dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë. Krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten pengesat më të mëdha për zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe ekonomisë. Edhe pse agjencitë ligjzbatuese kanë bërë përpjekje për të luftuar krimin dhe korrupsionin, kanë nevojë për asistencën e SHBA”, thuhet aty, raporton e përditshmja Sot.

Nga ana tjetër, SHBA është ndalur dhe te realizimi i reformave me qëllim integrimin evropian të vendit. Aty theksohet se pa asistencë ndërkombëtare, një gjë e tillë është shumë e vështirë. “Përkundër forcimit të sundimit të ligjit dhe qeverisjes gjatë 20 viteve, Shqipëria nuk ka vrullin e duhur për rritjen e demokracisë institucionale. Shqipëria mori në 2014 statusin e vendit kandidat për në BE, por ngecja e reformave nga qeveria mund të rrezikojnë perspektivën e anëtarësimit. Ndihma e SHBA do jepet për të mbushur të gjitha kërkesat e BE”, theksohet ndër të tjera në dokument. Nga ana tjetër, aty jepen dhe një sërë faktorësh që kanë rritur pandëshkueshmërinë. Sipas DASH, hetimet vijojnë të mbeten në nivele të dobëta. “Mangësitë në legjislacion pengojnë hetimet e suksesshme, gjykimin dhe zhvillimin e drejtësisë penale. Asistenca e SHBA do të ndihmojë në aspiratat euroatlantike duke u mbështetur në reformat kyçe, përfshirë ligjet dhe rregulloret që përmbushin standardet e kërkuara nga BE”, thuhet aty. Sipas SHBA, vetëm sundimi i ligjit ndihmon në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit.

Please follow and like us: