Donald Trump dhe Vladimir Putin
Kandidati republikan për president Donald Trump po i pakëson lëvdatat e tij për Rusinë dhe udhëheqësin e saj autoritar Vladimir Putin, të cilat i krijuan telashe. Pasi i bëri thirrje Rusisë të gjejë 30 mijë emaile të rivales demokrate Hillary Clinton, zoti Trump u tha gazetarëve se nuk e njeh personalisht zotin Putin dhe se nuk e ka quajtur kurrë një udhëheqës të madh, por vetëm një udhëheqës më të mirë se Presidenti Barack Obama. Zoti Putin i ka mirëpritur elozhet e zotit Trump, por rusët e zakonshëm nuk i besojnë atij shumë. Në fillimet e fushatës së tij presidenciale, zoti Trump tha se nëse do të zgjidhej, ai do t’ia kalonte mirë me zotin Putin: “Unë i pëlqej njerëzit që më kanë qejf. Madje edhe Putinin. Më kërkojnë që ta refuzoj, por ai ka thënë se Donald Trump është gjeni dhe udhëheqësi i ardhshëm”.
Presidenti rus ka reaguar më i kujdesshëm: “Donald Trump është pompoz. Nuk kam dhënë vlerësim tjetër për të. Ajo që unë mirëpres është se zoti Trump ka thënë që është i gatshëm të restaurojë marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA. Kjo nuk është diçka e gabuar. Të gjithë e mirëpresim, apo jo”?
Rusët e zakonshëm flasin më hapur për atë çfarë mendojnë rreth zotit Trump: “Nuk më duket njeri pozitiv. Një president duhet të jetë modest, i përmbajtur dhe jo emocional. Si Putini ynë”, thotë Galina, një qytetare e Moskës. Gjithashtu, rusët nuk janë të sigurtë se zoti Trump mundet të transformojë marrëdhënien ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. “Mendoj se do të ketë një impakt në marrëdhëniet tona me SHBA-në, por ai nuk do të jetë i madh. Në fund të fundit, çfarë ka rëndësi është ajo që kandidatët do të bëjnë dhe jo thëniet me të cilat të shokojnë; nuk është ky kriteri që duhet konsideruar në përzgjedhjen e një presidenti”, thotë Kristina.
Zoti Trump nuk është lloji i personit që do të dëshironte zoti Putin, thotë një gazetar rus: “Zotin Putin ndoshta shpreson në ndarjen e botës në zona influence me zotin Trump, por nuk mendoj se Donald Trump është ky lloj personi”.
Por këtë javë, Komiteti Kombëtar Demokrat dhe zyrtarët e fushatës Clinton e akuzuan Moskën për ndërhyrje në servera dhe vjedhje të emaileve ku tregohet qëndrimi preferencial ndaj zonjës Clinton përkundër rivalit Sanders. Qeveria amerikane po shqyrton me seriozitet këto akuza dhe mediat po shqyrtojnë lidhjet e biznesit të zotit Trump me Rusinë.
Zoti Trump sqaroi se pati folur me sarkazëm kur i bëri thirrje Rusisë të gjejë emailet e Hillary Clinton. Ai gjithashtu i uli tonet lavdëruese për zotin Putin.