Albspirit

Media/News/Publishing

Erdogan paralajmëron Shqipërinë: Ruhuni nga sulme terroriste nga Gylen

Qeveria turke paralajmëron autoritetet shqiptare se vendi ynë është në rrezik nga sulme terroriste të organizatës së Fetullah Gylen dhe i bën thirrje qeverisë shqiptare që të marrë masa kundër saj.

Ambasadori turk në Tiranë, Hidayet Bayraktar, duke folur për mediat lidhur me këtë argument, thotë se organizata terroriste e Gylen që njihet si FETO, përbën një kërcënim për rendin kushtetues të Republikës së Turqisë. Ambasadori thotë se qeveria turke i ka kërkuar qeverisë shqiptare që Shqipëria të marrë një orë e më parë masat e nevojshme kundër organizatës terroriste guleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY)…

Sipas z. Bayraktar, FETO/PDY kërcënoi rendin kushtetues të Republikës së Turqisë me grushtin e shtetit që ndodhi së fundi.

Në një deklaratë me shkrim, Bayraktar thekson se gjatë tentativës për grusht shteti organizata terroriste guleniste ka drejtuar tanket, avionët dhe helikopterët nga populli i saj, duke tërhequr vëmendjen se gjatë kësaj nate kjo organizatë ka sulmuar edhe Parlamentin, simbolin e vullnetit të popullit turk.

Ai shton se FETO, përmes tentativës për grusht shteti, u përpoq të zhdukë rendin kushtetues dhe vullnetin e popullit për të instaluar si vendimtare mendimet e veta të prishura.

Ambasadori turk në Tiranë vë në pah se ishte populli ai që me reagimin e tij mundi të ndalë një sulm të tillë duke vërshuar ne rrugë dhe sheshe.

Duke theksuar se FETO ka shtrirje edhe në Shqipëri, ashtu sikurse në shumë vende të botës, Bayraktar thekson: “Çrrënjosja e kësaj organizate me të gjitha përhapjet e saj është parësore për shtetin tonë. Këtë gjë pret edhe populli ynë”.

Sakaq, ambasadori Bayraktar shton se qëndrimi i Turqisë në lidhje me praninë e kësaj organizate terroriste në Shqipëri është i qartë.

“Në këtë pikë, besojmë se Shqipëria, si një vend vëlla, mik dhe ‘partner strategjik’ – ku ne kemi shumë investime – do të marrë masat e nevojshme sa më parë të jetë e mundur. Lufta kundër organizatës terroriste FETO, e cila përbën një kërcënim për rendin kushtetues të Republikës së Turqisë, është një element i rëndësishëm për marrëdhëniet tona dypalëshe”, u shpreh ambasadori i Turqisë në Tiranë.

 

Please follow and like us: