Albspirit

Media/News/Publishing

Fushata e Clinton, objekt sulmi kibernetik 

 

Autoritetet federale në Shtetet e Bashkuara po hetojnë mundësinë e një sulmi kibernetik në rrjetin kompjuterik të kandidates presidenciale Hillary Clinton, si pjesë e një sulmi më të madh kibernetik ndaj Partisë Demokrate.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit u thanë mediave amerikane se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë janë duke zhvilluar hetime këtë çështje.

Asnjë prej këtyre dy institucioneve nuk e ka konfirmuar hetimin, por FBI-ja i tha Zërit të Amerikës se “Është në dijeni të njoftimeve mbi ndërhyrjet kibernetike që përfshijnë subjekte të shumta politike, dhe po punon për të përcaktuar saktësinë, natyrën dhe përmasat e kësaj çështjeje”.

Zyrtarët e fushatës së zonjës Clinton thanë të premten vonë se një nga qendrat e tyre me të dhëna duket se ka patur ndërhyrje, por se kompjuterat e tyre mirëmbahen nga Komiteti Kombëtar i Demokratëve (DNC), i cili tashmë dihet se ka qenë objekt i një sulmi kibernetik.

Një zëdhënës i fushatës së zonjës Clinton, tha se ekspertët e sigurisë nuk kanë gjetur asnjë të dhënë për sulm kibernetik në sistemet e brendshme të fushatës.

Njoftimet e së premtes për hetim të ndërhyrjeve të mundshme kibernetike me objektiv fushatën e zonjës Clinton, pasojnë sulmet kibernetike ndaj Komitetit Kombëtar të Demokratëve dhe komitetit të partisë për mbledhjen e fondeve për anëtarët e saj të zgjedhur të Kongresit, Komitetit Demokrat të Fushatës për Kongres.

Zyrtarë të Partisë Demokrate kanë lënë të kuptohet se Rusia është përfshirë në këto dy sulme kibernetike ndaj rrjeteve të saj kompjuterike, duke shtuar akuzat e pakonfirmuara se Moska është duke u përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara në favor të kandidatit republikan Donald Trump. /VOA

Please follow and like us: