Ja 14 deputetët socialistë që rrezikojnë kandidimin në zgjedhjet e ardhshme?
Disa nga deputetët aktualë të Partisë Socialiste rrezikojnë të përfshihen në listat zgjedhore, apo në atë që quhet vendet e sigurta, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo jo vetëm për shkak të përplasjeve që kanë pasur me Kryeministrin Edi Rama, por edhe për faktin se shumë prej tyre jnë lënë në hije përgjatë mandatit të parë të mazhorancës së majtë të drejtuar nga Partia Socialiste.
Por cilët janë deputetët që rrezikojnë të mos kandidohen më nga PS dhe për rrjedhojë të dalin nga politika?
Namik Dokle, Shkëlqim Cani dhe Arta Dade, dy nga deputetët me më shumë mandate në Kuvendin e Shqipërisë, rrezikojnë të jenë pjesë e listave, apo renditjes në to, në vendet e sigurta. Dokle është pothuajse i distancuar nga cdo zhvillim në Partinë Socialiste, ndërsa herë pas here thumbon në rrjetet sociale, politikat e Rilindjes.
Shkëlqim Cani ishte i vetmi ndër ministrat që nuk pranoi të dorëzojë mandatin e deputetit, duke thyer në këtë mënyrë një rregull të brendshëm. Mënyra sesi Cani u shkarkua nga posti i ministrit të Financave po kështu ishte shumë e dyshimtë, ndërsa burime nga PS pohojnë se pothuajse deputeti i Qarkut të Dibrës ka shkëputur totalisht kontaktet me Kryeministrin Rama.
Arta Dade po kështu nuk ka nguruar të shprehë kritika në drejtim të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të PS-së, madje edhe në Kongresin e fundit të kësaj partie, u përfshi ndër emrat e njohur që kërkonin respektimin e statutit përsa i takon zgjedhjes së Kryetarit të partisë.
Erjeta Alhysa, Anila Agalliu, Luljeta Arapi dhe Antoneta Dhima, 4 ligjvënëset socialiste që hynë në Kuvend pasi ministra të Qeverisë Rama dorëzuan mandatet, pritet gjithashtu të mos jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm. Kjo për faktin se vendi që mund të kenë në listat zgjedhore mund të jetë i pamundur për tu arritur si numër rendor, ose nuk do të përfshihen fare në listat që do të hartohen nga PS. Të 4 deputetet shumë rrallë janë angazhuar në debate apo kanë qenë active në media, çka tregon se e ardhmja e tyre në politikë mbetet me një pikëpyetje të madhe.
Mira Shehu, një tjetër ligjvënëse në Grupin e PS-së, pritet gjithashtu të mos jetë pjesë e listave zgjedhore. Shehu është një nga mbështetëset e ish-deputetit Koço Kokëdhima, i cili pas humbjes së mandatit, ka shkëputur totalisht lidhjet me Ramën, madje është kthyer në një nga kundërshtarët e tij më të ashpër. E ardhmja politike e Shehut dhe e Kokëdhimës shihen më pranë LSI-së sesa PS.
Armando Prenga dhe Tom Doshi rrezikojnë të jenë pjesë e Grupit Parlamentar socialist, edhe pse gjatë javëve të fundit, duket se dy deputetët kanë normalizuar raportet me Kryeministrin. Kjo sidomos pas paralajmërimeve të LSI se mund të dalë jashtë koalicionit qeveritar. Por Prenga rrezikon të hyjë sërisht në Kuvend edhe për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi është një nga deputetët socialistë të akuzuar më fort nga Partia Demokratike.
Eduard Ndocaj është një tjetër emër që mund të rrezikojë të jetë pjesë e listave të PS, megjithëse bashkë me deputetin Doshi, përbëjnë një armë të fortë për Ramën në mbledhjen e votave në dy qarqet, Lezhë dhe Shkodër. Gjithçka do të varet nga raportet që Rama do të ketë me Metën, i cili duket se të dy ligjvënësit i ka kundërshtarët më të fortë në qarqet e lartpërmendura.
Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi gjithashtu rrezikojnë përfshirjen në listat e PS-së. Shkaku është përplasja dhe kritikat e vazhdueshme që dy deputetët kanë drejtuar në drejtim të Kryeministrit Rama, Qeverisë por edhe mënyrës sesi po drejtohet Partia Socialiste.
Vladimir Kosta është një tjetër ligjvënës socialist që mund të jetë pjesë e PS-së. Kosta të paktën dy herë ka deklaruar largimin nga Grupi i PS-së, por më pas është rikthyer. Përplasja më e fundit që ka pasur me Edi Ramën është ajo përmes letrës së hapur, ku Kosta rendiste një sërë pakënaqësish, kritikash me akuzash. Veç kësaj, deputeti i Përmetit njihet për miqësinë që ka me Koço Kokëdhimën. Ndoshta të dyja këto mund të penalizojnë biznesmenin për të qenë pjesë e listave të kandidatëve, apo vendeve të sigurta në listë.