Albspirit

Media/News/Publishing

Ja skandalet e LSI me burgjet/A duhet të dorëhiqet Ylli Manjani

Ja skandalet e LSI me burgjet/A duhet të dorëhiqet Ylli Manjani

Lëvizja Socialiste për Integrim drejton prej 2013 Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, por edhe Ministrinë e Drejtësisë, prej së cilës ka varësinë direkte i gjithë sistemi peritenciar në vend.

Për rastësi apo jo, faktet tregojnë se përgjatë 3 viteve, i gjithë sistemi i burgjeve ka qenë në qendër të vëmendjes, kjo për shkak të skandaleve të njëpasnjëshme.

Vetëm dje, në dy burgje të ndryshme të vendit, në Vaqarr dhe në Lezhë, ndodhën dy ngjarje kriminale. Në Vaqarr u plagos me armë zjarri një prej të dënuarve, ndërsa në Shën Koll të Lezhës, një tjetër humbi jetën dhe disa u lënduan, për shkaqe ende të pazbardhura.

Burgjet dhe Ministria e Drejtësisë nxituan të thonë se në rastin e Shën Kollit pati një shpërthim bombule, por kjo nuk u pranua nga Inspektorët e ISHTI, gjë që bëri që brenda pak minutash Ylli Manjani të tërhiqej nga deklarata fillestare dhe t’ia linte “topin” Prokurorisë për të zbardhur shkaqet.

Pak ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u përfshi nga skandali me tenderat e ushqimeve, që çuan në arrestimin e zv.Drejtorit të Përgjithshëm të burgjeve dhe dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm.

Por këto skandale, përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të atyre që kanë ndodhur dhe raportuar.

Në burgun e Drenovës, në fund të 2015, u raportua mbi atë çka ndodhte në një nga IEVP-të e sigurisë së lartë. 300 mije leke (të vjetra) per një vend pune si kuzhinier në burg, 300 mijë lekë (të vjetra) për një takim special , 10 mijë lekë një shishe alkoool dhe 50 mijë lekë (të vjetra) për një cigare hashash. Këto ishin çmimet e shërbimeve që të ofronte drejtori i burgut të Drenovës në Korçë për të burgosurit që vuanin dënimin në këtë burg.

Pak muaj më pas mediat do të raportonin se në skandalin e përgjimeve të paligjshme ishin përfshirë edhe burgjet, kur automjeti ku dyshohej se ishte vendosur pajisja në fjalë, ka hyrë në një nga institucionet e sigurisë së lartë jashtë çdo rregulli dhe orari zyrtar.

Por skandalet nuk ndalen. Në burgun 313, mediat raportuan se personat që vuanin dënimin apo ishin në pritje të gjykimit lidheshin këmbë e duar me pranga dhe çarçafë pas hekurave të krevatit të qelisë.

Një tjetër skandal ishte ai i lirimit nga burgu i Lezhës të një shtetasi nga Kosova, për të cilin autoritetet ligjore, kishin kërkuar ekstradimin.

Në të gjitha këto raste, ajo që ka ndodhur ka qenë një masë administrative ndaj persona të caktuar dhe asnjë përgjegjësi politike. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe cdo burg nën varësinë e saj, kanë një varësi të drejtëpërdrejtë nga Ministria e Drejtësisë, çka do të thotë se nëse cënohet siguria në këto isntitcuione, të paktën politikisht Ylli Manjani, nuk mund të fliste sikur të ishte ministër drejtësie në Gjermani apo Itali.

Ngjarjet e mësipërme dhe shumë të tjera kanë ndodhur pikërisht në burgjet shqiptare, të cilat herë kalohen në heshtje, herë për të shmangur përgjegjësitë bëhen koka turku.

Ilir Rusmali, gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Drejtësisë, dha dorëheqjen për shkak të një tenderi që as nuk u fitua nga vëllai i tij. Në atë kohë dorëheqja e Rusmalit u quajt një standard i ri në politikën shqiptare.

Por duket se standardi mbeti vetëm tek ish-ministri dhe nuk u vendos si një standard për Ministrinë. Rastet e fundit apo ato që janë raportuar janë shumë, shumë më tepër sesa rrjeshtat që mund të përmbajë shkresa e dorëheqjes së Ylli Manjanit nga posti i ministrit të Drejtësisë.

Please follow and like us: