Albspirit

Media/News/Publishing

Kaloi moda e shkollave të Gylenit në Ballkan?

A ka kërkesa për mbylljen e shkollave të Gylenit në Ballkan? E përditshmja austriake “Der Standard” shkruan se presioni ndaj këtyre shkollave po rritet pas puçit në Turqi. Shqipëria e Kosova nuk kanë kërkesa zyrtare.

Bildkombo Fethullah Gülen / Tayyip Erdogan

Pas dështimit të puçit ushtarak më 15 korrik, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka filluar një fushatë spastrimi në Turqi, jo vetëm kundër puçistëve, por edhe institucioneve të tjera arsimore, që janë të lidhura me lëvizjen Gylen. Në këtë kuadër ka pasur njoftime se janë kërkuar edhe mbyllje të shkollave Gylen në Ballkan.

E pyetur nga Deutsche Welle, nëse Shqipëria e ka marrë një kërkesë të tillë, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla është shprehur se “nuk kam asnjë kërkesë zyrtare të depozituar për këtë çështje.” Por se si do të veprojë Shqipëria nëse i kërkozet zyrtarisht nga presidenti Erdogan mbyllja e shkollave turke që shihen si shkollatë Gylenit, ministrja Nikolla thotë se ” Ne mendojmë se Shqipëria operon me ligjet e veta dhe çdo institucion i këtushëm ngrihet ne bazë të legjislacionit. Nuk ka institucione të paligjishme që operojnë fushën e arsimit, aktualisht. Verifikimi i kritereve për këtë është bërë.”

Edhe Ministria e Arsimit e Kosovës ka reaguar pas zërave se ka kërkesa për mbylljen e shkollave turke në Kosovë. Kushtrim Shkodra, drejtuesi i kabinetit dhe këshilltar politik i ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami shprehet për Deutsche Wellen se Kosova nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare për mbylljen e shkollave turke. “Shkollat private turke, dhe ato të tjera janë të liçensuara nga Ministria e Arsimit në kuadër të ligjeve të Kosovës. Ne bëjmë inspektime të herëpashershme dhe nuk kemi verifikuar asnjë shkelje ligjore. Nuk kemi ankesa as për këtë dhe as nga prindërit për këto shkolla”, thotë Kushtrim Shkodra duke thënë se nuk do të ketë mbyllje të shkollave turke në Kosovë dhe as të shkollave të tjera private. Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me Turqinë në aspektin arsimor, ka theksuar edhe ministri Bajrami.

Pristina KosovoPrishtina

Kërkesa në Bosnje-Hercegovinë

Shkollat që mbështeten nga Gylen janë për Turqinë instrumenta të Gylenit, lëvizja e të cilit Feto- “Hizmet” shihet si terroriste. Gazeta austriake “Standard” vëren se ambasadori turk në Bosnje-Hercegovinë, Cihad Erginay i ka bërë thirrje qeverisë së vendit të veprojë kundër institucioneve arsimore të lëvizjës së Gylenit dhe i ka cilësuar ato organizata terroriste. Ai pretendoi se lëvizja Gylen do të infiltrojë institucionet e shtetit. “Kjo organizatë nuk kërcënon vetëm Turqinë”, tha ai. Edhe qendra turke në Sarajevë “Yunus Emre” ka theksuar se “i gjithë njerëzimi duhet të veprojë kundër organizatës terroriste Feto”. Sipas saj predikuesit e Gylenit përhapin ide “të sëmura” dhe janë kërcënim për të gjitha vendet. 14 institucione shkollore të organizatës “Bosna Sema”, e cila renditet si pjesë e lëvizjes Gylen, i nënshtrohen ligjit boshnjak. Për gazetën austriake “Standard”, Orhan Hadzagiv, përfaqësues i Bosna Sema nuk ka përpjekje nga autoritetet boshnjake për të mbyllur këto shkolla.

Gazeta Standard i kushton vëmendje edhe historikut të shkollave turke në Ballkan. “Ka pasur një kohë, kur shkollat turke dhe universitetet konsideroheshin si më të mirat në rajon. Ishte në modë të shkoje në këto shkolla. …Grindja mes Gylenit dhe Erdoganit luante një rol dytësor në Ballkan. Pas kësaj Erdogan filloi të sulmojë shkollat në Ballkan që shihen të lidhura me lëvizjen Hizmet. Vitin e kaluar ai i bëri thirrje qeverisë shqiptare të largonte lëvizjen nga vendi si “organizatë terroriste”.

Serbien Stadt Novi PazarNovi Pazar

Presioni i qeverisë turke me sa duket ka dhënë efektet e veta në Serbi. Sipas gazetës “Standard” administrata e Novi Pazarit ka siguruar Turqinë në faqen e saj online për mbështetjen me qëllim të “mbrojtjes së rendit demokratik”. Novi Pazar si qendra e rajonit të Sanxhakut banohet me shumicë boshnjake. Administrata e Novi Pazarit thekson se marrëdhëniet me popullin vëlla turk kanë prioritet dhe se nuk do t’i jepet asnjë mbështetje “institucionale, logjistike apo mbështetje tjetër” lëvizjes Gylen.

Please follow and like us: