Klinton sulmohet sërish nga hakerat, heton FBI
Fushata e Hillary Clintonit dhe grupe të tjera demokrate kanë rënë pre e një tjetër sulmi kibernetik pas dy shkeljeve të mëhershme në bazën e të dhënave të Komitetit Kombëtar Demokrat dhe atë të Komitetit të Fushatës.
Zyrtarët amerikanë besojnë se pas këtyre goditjeve mund të fshihen agjentë që punojnë për qeverinë ruse. Disa prej tyre druhen se Moska po përpiqet të influencojë zgjedhjet presidenciale, por vetë qeveria ruse mohon çdo përfshirje dhe denoncon atë që e quan retorike të “helmet” antiruse të Uashingtonit. Sipas stafit të Clintonit, hakerat kanë arritur të hyjnë në programin e të dhënave analitike të fushatës së ish-sekretares së Shtetit, i cili ndahet dhe me entitete të tjerë. Këshilltari për mediat, Nick Merrill, siguroi megjithatë se nuk ka prova të një kompromentimi të sistemit të brendshëm. Është vënë në lëvizje dhe FBI-ka, që nisur një hetim mbi akuzat dhe nivelin e hakërimit.
Republikani Donald Trump shkaktoi pak ditë më parë reagime të ashpra me thirrjen e tij ironike drejtuar Rusisë, ku i kërkonte të gjejë 30,000 e-mailet e humbura nga koha kur Hillary ishte Sekretare Shteti. “Mund të ketë perla aty brenda, tha trump, e mbase shpërbleheni mirë dhe nga shtypi ynë”. Nga miliarderi erdhën së fundmi sinjale se nuk do të jetë më aq i sjellshëm dhe do të heqë dorezat në betejën me Clintonin. “Kam qenë mjaft i kujdesshëm, por pasi pashë performancën e fundit dhe atë mal me gënjeshtra, them se nuk do të jem më kaq i mirë. Do t’i heq dorezat. Si thoni?! Le t`i heqim e të shohim”, paralajmëroi Trump. Pas zyrtarizimit të nominimit në kuvendet e partive të tyre, tani kandidatët Trump dhe Clinton do të fokusohen tek beteja ndaj njëri-tjetrin, ndërsa fushata presidenciale tashmë hyn në një fazë të re dhe me padurim priten përballjet televizive të kundërshtarëve.