Albspirit

Media/News/Publishing

LSI i përgjigjet Ramës: Pa konsensus nuk ka zbatim të reformës në drejtësi

Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet e bindur se nuk do të ketë zbatim të reformës në drejtësi pa konsensus të plotë ashtu siç ndodhi me votimin e 21-22 korrikut kur u votuan unanimisht ndryshimet kushtetuese që i hapnin rrugën procesit të reformës në drejtësi.

Emiljano Aleksi, këshilltar i kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dha këtë mesazh sot, në kuadrin e një analize që i bënte deklaratave të fundit të Spartak Ngjelës kundër Ilir Metës.

“Kjo reformë kushtetuese, historike, e drejtësisë, që u kurorëzua me një konsensus historik, ishte dhe mbetet domosdoshmëri që duhet të vazhdojë me konsensus”, – thotë Aleksi i cili vazhdimisht përcjell qëndrimet zyrtare të kryetarit të Parlamentit dhe LSI, Ilir Meta.

Aleksi përmend faktin se “konsensusi në mesnatën e 21-22 korrikut lindi një dritë shprese për të gjithë shqiptarët”, duke theksuar se ishte një konsensus unanim i paparë që përveç të tjerash ka si qëllim frenimin e gojëtarëve delirantë dhe shkatërrimtarë të kësaj gjuhe konfliktuale.

Në vazhdim pritet që të kalohen për miratim në Parlament, shtatë ligje të cilat lidhen me procesin e reformës në drejtësi. Këto ligje i hapin rrugën zbatimit të procesit reformues në drejtësinë shqiptare.

LSI ka kërkuar vazhdimisht që ky proces të gëzojë konsensus të plotë dy palët kryesore në vend, për të pasur sukses.

Please follow and like us: