Albspirit

Media/News/Publishing

Një tjetër thikë pas shpine e Ramës për Metën, plani për ti marrë investimin te veteranët e luftës 

 

Më datë 30 qershor të këtij viti, një grup prej 30 deputetësh nën nismën e Olta Xhaxhkës, kanë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj, i cili ka të bëjë me Luftën Nacional Çlirimtare. Bie në sy fakti që të gjithë firmëtarët janë deputetë të Partisë Socialiste. Nuk pritej që në këtë nismë tu kërkohej të bashkoheshin edhe deputetëve të Partisë Demokratike, por ajo që të habit është mungesa e atyre të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Syri.net, ka kontaktuar me disa deputetë të LSI dhe ata u shprehën se asnjëri prej grupit të tyre parlamentar, nuk është kontaktuar për këtë projektligj. Gjithçka-deklarojnë ata- është bërë gati në mënyrë të fshehtë nga PS, deri në momentin e dorëzimit të zyrtar në Kuvend, duke i vënë ata përpara një fakti të kryer.

Që nga krijimi i saj në shtator të viti 2005 e deri më sot, Lëvizja Socialiste për Integrim, posaçërisht kreu i saj Ilir Meta në strategjinë e tyre për zgjerim të elektoratit, si një nga pikat kryesore kanë pasur veteranët e Luftës Nacional Çlirimtare. Aq shumë është investuar kjo parti në këtë drejtim, sa që në një kohë të shkurtër, këtë pjesë të rëndësishme të elektoratit besnik të së majtës, ja morri Partisë Socialiste, e cila e kishte trashëgim nga ajo e Punës. Për këtë një ndihmë të madhe, LSI-së i ka dhënë edhe vetë Edi Rama me të shkuarën e tij (“Ti varrim të gjithë komunistët në shtylla”), por edhe pas vitit 2005 kur mori drejtimin e PS-së. Që në fushatën e tij të parë elektorale, ai i provokoi veteranët, duke improvizuar rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në mitingun përmbyllës në Qytetin Studenti.

Ata ende nuk ja kanë harruar se çfarë i punoj festës së Pezës, sa ishte kryetar i bashkisë. Ceremonialin tradicional të saj, ku nderoheshin çdo 16 shtator luftëtarët e çetës, e zëvendësoi me një “orgji” gjigante alkooli dhe hashashi, duke terrorizuar çdo mesvjeshtë fshatarët. Gjithashtu dihet publikisht, përçmimin që ai ka për luftën partizane dhe vetëm kur ju mblodh hesapi për vota gjatë vitit 2013, pasi kishte marrë edhe një mësim të mirë nga Hysni Milloshi kur humbi karrigen e kryetarit të bashkisë në vitin 2011, nisi të dukej te varrezat e Dëshmorëve dhe të organizonte festa për 29 nëntorin.

Nga ana tjetër Ilir Meta gjatë këtyre 12 viteve në krye të LSI, ka mundur që jo vetëm ti afrojë veteranët, por edhe ti bëjë pjesë integrale të partisë së tij. Qëndrimi i tij për 29 nëntorin, ka qenë konstant dhe nuk u lëkund as kur bashkëqeveriste me Berishën, i cili kishte një opsion krejtësisht tjetër për atë datë dhe luftën partizane në përgjithësi. Ai dhe drejtuesit e tjerë të partisë, çdo 28 nëntor janë protogonistë në aktivitetet e veteranëve të luftës , kujdesen të filmohen dhe fotografohen me shallin e kuq në qafë, nuk kompleksohen nga prania e portreteve të Enver Hoxhës, madje i vënë atij edhe kurora me lule, si në rastin e ish ministrit Naço.

Dihet edhe në bashkëqeverisjen me Ramën sa luftoi LSI që qeveria Rama të organizonte një 70 vjetor dinjitoz të cclirimit të vendit. Ilir Meta dhe Spartak Braho e dinë vetë, se sa shumë kanë investuar në të gjitha mënyrat, për votat e tyre. Ata përbëjnë një pjesë të rëndësishme  gjatë zgjedhjeve dhe janë ajo kategori që nuk mungojnë kurrë në qendrat e votimit që herët në mëngjes. Meqenëse Rama nuk e fsheh më, se po përgatitet për zgjedhje, pavarësisht se kur ndodhin, votat e LSI-së natyrisht që janë edhe objektivi i parë. Jo thjesht se janë të majta, por edhe pse dobësojnë rolin që ka Meta kur vjen puna për krijim qeverish. Rol për të cilin Rama është betuar përpara të tijve, se do ta zhbëj shumë shpejt.

instituti i veteraneveRelacioni  për projektligjin; Për krijimin e institutit të studimevepër kujtesën e luftës së dytë botërore

Në historinë e Shqipërisë, pjesëmarrja në Luftën e Dytë Botërore përbën një ndër ngjarjet historike më të rëndësishme kombëtare. Shqipëria u rreshtua në krah të Kombeve të Bashkuara Antifashiste dhe u trajtua si një aleat i cili luftoi në Kualicionin e fitimtarëve të Luftës për kontributin real që dha në këtë Luftë kombi shqiptar.

Historianë vendas dhe të huaj, në vlerësimin që i kanë bërë historisë së Shqipërisë për këtë periudhë kohore dhe kontributit të vendit tonë, janë shprehur se kontributi i Shqipërisë është domethënës jo nga numri i popullsisë dhe i forcave që u angazhuan në luftë, por i mesazhit, i rreshtimit të drejtë që bëri, në një moment të rëndësishëm historik. Shqipëria ishte viktimë e agresionit, si shume vende të tjera, së pari nga fashistët italiane pastaj nga nazistët gjermanë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore në dritën e dokumentave të reja arkivore, vendase dhe të huaja, nga kontributi i Shqipërisë vlen të përmendet në mënyrë të veçantë përdorimi i parimit të bashkëpunimit, që vlerësohet si një ndër më të rëndësishmit, si dhe i traditave më të mira, të konsideruara nga mbarë vendet, tradita e besës dhe ruajtja e saj.

Gjithashtu, shqiptarët, në respekt të traditës së besës së dhënë,  kanë meritë dhe kontribut të veçantë si kombi që  mbrojti hebrenjë dhe nuk ua dorëzoi ata pushtuesve nazistë. Për këtë shqiptarët kanë hyrë në historinë e Luftës së Dytë Botërore si “komb i nderit”, kombi që nuk u dorëzoi hebrenjtë nazistëve.

Historiani Bernard Fisher lidhur me këtë cështje shprehet: “Hebrenjtë erdhën në Shqipëri prej shumë rajoneve të Europës dhe Jugosllavise: ata mbijetuan pjesërisht për shkak të politikës gjermane, që u dha shqiptarëve autoritet të konsiderueshëm në çështjet e brendshme, pjesërisht nga tradita e besës, pjesërisht nga fakti që komuniteti i hebrenjve në Shqipëri ishte shumë i vogël dhe asnjëherë i perceptuar si rrezik për askënd, ishte vështirë të krijohej mes popullsisë, urrejtje etnike kur nuk kishte ndonjë lidhje të veçantë me hebrenjtë, si grup etnik, aq më tepër në Shqipëri nuk kishte ndonjë traditë antisemite gjë që luajti rolin e vet”

Lufta e Dytë Botërore filloi më 1 shtator 1939, ditën që Gjermania naziste sulmoi Poloninë dhe synonte rindarjen e botës. Ky konflikt çoi në grupime të kundërta politiko-ushtarake të cilat u përballën me njëra tjetrën. Gjermania naziste, Italia fashiste e Japonia militariste dhe satelitet e tyre formuan “Boshtin Romë-Berlin-Tokio”. Këtij “Boshti” agresiv iu kundërvu Koalicioni Anglo-Sovjeto-Amerikan dhe ata që u bashkuan me të. Në luftën e Dytë Botërore u angazhuan në luftë 61 shtete ku morën pjesë 110 milionë ushtarëve. 41 shtete nga Atlantiku deri në Paqësor u bënë fushëbetejë e forcave ndërluftuese. Nga kjo luftë u prekën drejtpërdrejt ose tërthorazi 80% e popullsisë së botës dhe mbi 50 milionë vetë u vranë në të.

Më 7 prill 1939, para fillimit të Luftës, Shqipëria u bë ndër viktimat e para të kësaj tragjedie. Italia fashiste kreu pushtimin ushtarak të vendit. Populli shqiptar e priti me armë pushtuesin italian në portet e Shqipërisë, duke i dhënë botës alarmin e rrezikut të fashizmit. Nga ana tjetër, edhe pse një vend i vogël, ajo i bëri me dije pushtuesve se popujt do ta luftojnë me çdo pushtues, sado i madh e i fuqishëm që të jetë. Italia instaloi brenda pak kohësh në Shqipëri rreth 650 mijë kolonë për italianizimin njerëzor e kulturor të shqiptarëve si edhe 100 mijë ushtarë. Ajo kishte qëllim që të ndryshonte strukturën e popullsisë, të përjetësonte pushtimin, si edhe ta përdorte Shqipërinë si “llogore” të parë kundër shteteve fqinj të saj, Greqisë e Jugosllavisë në vijim të planit strategjik për Ballkanin, Afrikën Veriore e deri në Indi për të krijuar “Perandorinë e Mesdheut”.Pushtimi Italian vuri në provë forcat politike shqiptare të kohës, duke i pozicionuar në kahe të kundërta.

Konfrenca e Pezës (16 shtator 1942),përcaktoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në krahun e Aleancës Anglo-Sovjeto-Amerikane, sepse ishte aleancë çlirimtare për shtetet dhe popujt e robëruar nga forcat e Boshtit. Platforma politike e konferencës ishte: Të luftohet për një Shqipëri të lirë prej fashizmi, e pavarur dhe demokratike; të forcohen bazat e vërteta të bashkimit të popullit shqiptar, pa dallim klase, bindjesh politike, fetare dhe krahine në frontin nacionalçlirimtar nëpërmjet luftës së armatosur. Platforma e Konferencës së Pezës ishte në përputhje me idetë e bashkimit të Aleatëve.

Kjo vijë politike u shoqërua me aksione dhe luftë të armatosur. Brenda vitit 1942 forcat partizane të organizuara në Frontin Nacionalçlirimtar çliruan Pezën, Skraparin, Tomorricën, Kurveleshin, Martaneshin, Gorën e Sipërme, Oparin, Mesaplikun, një pjesë të Çermenikës, të Mallakastrës, të Devollit, të Dishnicës, të Shpatit dhe të Mbishkodrës etj. Për këto arsye SHBA-ja, Britania dhe Bashkimi Sovjetik në muajin dhjetor 1942 bënë deklaratë mbi njohjen e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Kjo ishte një përkrahje e madhe dhe e merituar. Kështu Shqipëria u bë pjesë organike e përbashkët e luftës botërore. Gjatë vitit 1942-1943 u formuan në të gjithë vendin njësi partizane çeta,batalione dhe brigada. Veprimtaria e tyre përfshiu tërë Shqipërinë. Aleatët nisën në Shqipëri misionet e tyre për të parë nga afër gjendjen dhe për të ndihmuar. Anglezët dërguan një seri ndihmash: veshmbathje, armë dhe municione.

Reth mbi 100mijë forca ushtarake italiane që ndodheshin brenda në Shqipëri u përballën me qëndresën shqiptare. Goditja frontale e Aleatëve kundër Italisë në Veri të Afrikës dhe në Ballkan solli kapitullimin pa kushte të Italisë me 8 shtator 1943. Vendin e tyre e zuri forca ushtarake gjermane e cila u përqëndrua në Shqipëri gjatë vitit 1943-1944. Ky bllokim forcash ndikoi pozitivisht edhe në frontin e përgjithshëm antifashist, pavarësisht se shqiptarët luftonin për çlirimin e vendit të tyre.

Bashkimi i shqiptarëve me Aleatët ishte bashkim politik edhe luftarak për një mision të madh e të përbashkët në mundjen e fashizmit dhe nazizmit duke dhënë maksimumin e ndihmës dhe të kontributit të vet. Rreshtimi i shqiptarëve në krah të Aleancës dhe lufta që zhvilloi pa e ndërprerë asnjëherë, përbën një kontribut me vlerë historike.

Populli ynë, duke mbajtur mbi shpatulla luftën kundër pushtuesve në territorin e Shqipërisë, dha po kështu kontribut në Luftën e Dytë Botërore. Koalicioni Anglo-Sovjeto-Amerikan nuk pati nevojë që të dërgonte forca të armatosura për të luftuar dhe humbur njerëz e shpenzuar mjete për çlirimin e Shqipërisë, ashtu siç bëri në të gjithë vendet e tjera europiane, afrikane dhe aziatike. Lufta e shqiptarëve i kurseu Aleancës njerëz, mjete luftarake dhe kohë të cmueshme.

Në dhjetor 1944, me urdhër të Komandës së Përgjithshme të LANC, mbi 20 mijë forca të brigadave partizane kaluan tej kufijve shtetërorë për të ndihmuar edhe popullin shqiptar jashtë tij dhe të kombe të tjerë për t`u çliruar nga pushtimi nazi-fashist. Ky akt qëndron ndër veprimet më të rëndësishme dhe historike të Shqipërisë në krah të aleatëve.

Këto forca, bashkë me brigadat partizane shqiptare të Kosovës (8 brigada), dhe me brigadën e VII me shqiptarë të Maqedonisë, çliruan pjesën perëndimore shqiptare të Maqedonisë dhe Kosovën; vazhduan luftimet me sukses kundër gjermanëve edhe në territorin e Malit të Zi, të Bosnjes-Herzegovinës, të Sanxhakut të Serbisë duke çliruar nga pushtuesit një sipërfaqe sa e Shqipërisë dhe me më shumë popullsi. Ky ishte kontributi më i madh që populli shqiptar dha në Luftën e Dytë Botërore.

Në Luftën e Dytë Botërore u derdh gjaku edhe i qindra shqiptarëve ku u tregua me fakte ndihmesa shqiptare për çlirimin e popujve të Ballkanit, si dhe kontributi real i kombit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore.

Për sa më lart, ne grupi i deputetëve nismëtarë, vlerësojmë se është e rëndësishme që të ketë një rregullim ligjor të posaçëm, me qëllim të evidentimit në mënyrë shkencore dhe institucionale të kontributit real që Shqipëria dhe shqiptarët kanë dhënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Projektligji i propozuar parashikonkrijimin e Institutit të Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore, për të studiuar në mënyrë të paanshme dhe profesionale rolin dhe kontributin e Shqipërisë në këtë luftë dhe në koalicionin fitues antifashist.

Projektligji përbëhet nga 22 nene, të cilat kanë caktuar parashikime ligjore për dispozitat e përgjithshme, krijimin e institutit të studimeve për kujtesën e Luftës së Dytë Botërore, mënyrën e funksionimit të arkivit dhe bibliotekës së Institutit dhe dispozitat e fundit për afatet ligjore për ngritjen e Institutit dhe miratimin e strukturës së tij.

Projektligji ngre Institutin e Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore, me statusin e një institucioni të pavarur publik, buxhetor, që gëzon statusin e personit juridik.

Instituti do të ketë këto përgjegjësi dhe do të kryejë këto detyra kryesore:

– garantimin e objektivitetit dhe paanësisë në studimin e vlerësimin e trajtimit të ngjarjeve, të të dhënave, të fakteve historike dhe të dokumenteve që dëshmojnë për rolin dhe kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore;

– dokumentimin, analizimin dhe studimin e periudhës së Luftës së Dytë Botërore nëpërmjet grumbullimit të të dhënave, dokumenteve dhe dëshmive për nxjerrjen në pah të rolit të Shqipërisë dhe strukturave të kohës në koalicionin antifashist;

– përgatitjen për botim të studimeve historike dhe kujtimeve të atyre që kanë qenë pjesmarrës në Luftën e Dytë Botërore;

– mbajtjen e regjistrave elektronikë dhe hartimit e përpunimit të të dhënave statistikore për dokumentacionin që grumbullon;

– identifikimin e vendimeve dhe akteve normative të marra nga strukturat e kohës për mbështetjen e koalicionit antifashist që kanë shërbyer si bazë për të dhënë kontributin e Ushtrisë Nacional- Clirimtare në Luftën e Dytë Botërore;

– publikimin e materialeve të shkruara, në letër dhe në rrugë elektronike, si dhe organizimin e ekspozitave, seminareve, konferencave e diskutimeve për të kujtuar data dhe ngjarje të caktuara kombëtare dhe ndërkombëtare që i bëjnë jehonë rolit dhe kontributit të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore;

– bashkëpunimin me institucionet kërkimore, kulturore, arsimore dhe institucione të tjera për shkëmbimin e informacionit e të përvojës, lidhur me objektin e punës së institutit;

– bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse të arsimit për përfshirjen, në planet dhe programet mësimore të shkollave të të gjitha niveleve, të informacionit të saktë dhe të mjaftueshëm për rolin dhe kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe në koalicionin antifashist;

– bashkëpunimin me institucionet homologe të huaja.

Çdo vit Instituti do të raportojë në Kuvend për veprimtarinë e kryer për zbatimin e ligjit.

Në aspektin organizativ Instituti do të drejtohet nga Bordi i Institutit, si organ vendimmarrës, anëtarët e të cilit emërohen nga Kuvendi me propozimin e Institutit të Historisë, organizatat e veteranëve të LANC-it, Fakulteti i Historisë dhe Akademia e Shkencave, si dhe nga drejtori ekzekutiv që emërohet nga Bordi.

Nëpunësit e Institutit do të kenë statusin e nëpunësit civil, ndërsa punonjësit e tjerë do të jenë me Kod Pune.

Arkivi dhe biblioteka e Institutit do të kryerjnë detyrat bazë për të studiuar në mënyrë shkencore, të paanshme dhe profesionale rolin dhe kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe  koalicionin fitues antifashist.

Struktura, organika dhe numri i punonjësve të Institutit, si institucion i pavarur, do të miratohen me vendim të Kuvendit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për strukturat.

Projektligji i propozuar përmban faturë financiare, pasi krijon një institucion të ri që do të financohet nga Buxheti i Shtetit. Për këtë arsye, Kuvendi, bazuar në nenin 82 të Kushtetutës, do të kërkojë mendimin e Këshillit të Ministrave për shtesat në buxhet.

Projektligji i propozuar është në përputhje me Kushtetutën dhe me kuadrin ligjor në fuqi.

 

Please follow and like us: