Pushtimi i butë nga Porta e Lartë
Mbi librin e Ahmet Davutogllu “Thellësia Strategjike – pozita ndërkombëtare e Turqisë”. “Çdo xhami e shembur në Ballkan, çdo institucion islam i pakësuar, çdo element tradicional islam i asgjësuar, në kuptim kulturor janë një nga gur themeli i shkulur prej ndikueshmërisë përtej kufitare të Turqisë në këtë zonë” – Ahmet Davutogllu.
Pesë vite më parë, një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës vizituan institucionet më të larta të Turqisë. Ndër të tjera, ata u pritën edhe nga Erdogan, atëherë Kryeministër i Turqisë, dhe nga Ahmet Davutogllu, Ministër i Punëve të Jashtme. Në zyrën e Davutogllu, qëndronte e varur një fotografi e qytetit të Prizrenit dhe qytetit të Mostarit. Davutogllu kishte treguar njohuri shumë të mira për qytetin e Prizrenit. Ashtu sikurse Erdogan, edhe Davutogllu kishte ngritur për temë debati zvarritjen e ndërtimit të xhamisë së re në Prishtinë.
Prapaskenat e këtyre takimeve i dimë nga një letër publike e shkruar më 2013 prej njëres deputete e cila ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në këto takime.
Mund të duket e çuditshme se si kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme i një ndër shteteve më të fuqishme në botë interesohet për një xhami në Prishtinë. Por ajo çfarë ndoshta nuk e kanë ditur deputetët e Kuvendi të Kosovës është se Erdogan dhe Davutogllu kanë qenë në elementin e tyre të politikës së jashtme, e cila e vë Kosovën dhe Ballkanin në qendër të interesit strategjik të Turqisë.
Një dekadë para se të emërohej si ministër i punëve të jashtme në qeverinë e Erdogan, Ahmet Davutogllu ishte një akademik i respektuar i cili shkroi librin “Thellësia Strategjike”. Teoritë e shprehura në këtë libër tani njihen si “Doktrina Davutogllu”. Emërimi në pozitën e ministrit të punëve të jashtme ia mundësoi Davutogllus që teoritë e tij ti shndërroj në politikë zyrtare.
Pozita ndërkombëtare e Turqisë
Sipas Davutogllu, nga këndvështrimi gjeopolitik, Turqia ndodhet në pozitën qendrore të luftës për hapësira hegjemonie. “Këtë pozitë, Turqia është përpjekur ta përdorë gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, brenda një kornize jashtëzakonisht statike, pranë një blloku aleance, ndaj së cilës pranoi të jetë element lokal-periferik”. Davutogllu kërkon riinterptetimin e gjeopolitikës turke brenda strategjisë së politikës së jashtme.
Davutogllu kritikon elitat politike turke, ngase sipas tij, ato kanë bërë që Turqia të jetë vetëm një figurë shahu, kur ka pasur mundësinë që të jetë lojtar shahu. “Duke ndjekur politikën e ‘pushtimit të plotës, ose braktisjes së plotë’, tokat mbi të cilat ka humbur pushteti turk janë braktisur menjëherë. Politikat e Ballkanit, Kaukazit dhe Lindjes së Mesme janë shembuj më të gjallë të kësaj taktike të pushtimit të plotë ose braktisjes së plotë”.
Për Davutogllun, është e pamundur që Turqia, e cila ka lindur në truallin historik dhe gjeopolitik të Perandorisë Osmane, ta mendoj dhe planifikoj mbrojtjen e vet vetëm brenda kufijve që zotëron. Mbrojtja e Trakës Lindore dhe Stambollit fillon nga Adriatiku dhe Sarajeva, kurse mbrojtja e Anadollit Lindor dhe Erzurumit fillon nga Kaukazi Verior dhe Grozni. Kjo mbrojtje nuk nënkupton mbrojtje përmes ushtrive konvencionale, por përmes përdorimit aktiv në kuptimin diplomatik dhe ushtarak i fushave të ndikueshmërisë të formuara përtej kufijve.
“Strategjia e politikës së jashtme të Turqisë për qindvjetorin e ardhshëm mund të përmblidhet si formim i një hinterlandi ku forcohen lidhjet afatgjata kulturore, ekonomike dhe politike.”
Rikthimi i Turqisë në Ballkan
Sipas Davutogllus, Turqia duhet të marrë rol më aktiv në Ballkan. “Një vend Anadollian i cili nuk ka ndikim mbi zhvillimet në Ballkan, as mundet ta ruajë tërësinë mbi këtë fushë gjeopolitike të ndjeshme, as mundet të hapet drejt botës”.
Këtë rol aktiv të Turqisë në Ballkan, Davutogllu e arsyeton me lidhjet historike me tërë Ballkanin, por veçanërisht me popullsitë myslimane, të cilat i quan aleat të natyrshëm të Turqisë dhe elemente të trashëgimisë osmane.
“Sipas të drejtës ndërkombëtare, Shteti Osman është likuiduar, mirëpo boshllëqet gjeopolitike dhe gjeokulturore si rrjedhojë e këtij likuidimi, kanë sjell me vete pika konflikti të reja në Ballkan. Tani Turqia po duket se zotëron në Ballkan mundësi që ia sigurojnë arritjet e përvojës historike mbështetur në trashëgimin osman. Veçanërisht në dy vende (Bosnje dhe Shqipëri) ku myslimanët, aleatët e natyrshëm të Turqisë, janë në shumicë, është shfaqur vullneti për të kthyer këtë përvojë historike të përbashkët në një aleancë të natyrshme. Ndërkaq, pakicat turke dhe myslimane në Bullgari, Greqi, Maqedoni, Sanxhak, Kosovë dhe Rumani janë element me rëndësi i politikës turke në Ballkan.”
Sipas Davutogllu, dy objektivat me rëndësi të politikës afatshkurtër dhe afatmesme të Turqisë në Ballkan janë fuqizimi i Bosnjës dhe Shqipërisë brenda një strukture stabile, si dhe formimi i një baze juridike ndërkombëtare që të marr nën ombrellën e sigurimit ‘pakicat etnike të zonës’: “Përpjekjet e boshnjakëve dhe shqiptarëve për të vazhduar qenien e tyre si shtete të pavarura, e bën të domosdoshme mbështetjen e themelit të lidhjes historiko-kulturore të përbashkët mes këtyre dy aleatëve të natyrshëm dhe Turqisë. Turqia duhet vazhdimisht të kërkoj të drejtën për të ndërhyrë në çështjet lidhur me pakicat myslimane në Ballkan.”
Davutogllu vlerëson se gjeopolitika e Ballkanit mbështetet në dy boshte themelore: boshti Drava-Sava, qendra e të cilit është në Bosnje dhe mbetet në mes të Kroacisë dhe Serbisë; dhe boshti Morava-Vardar me qendër në Kosovë e që është në mes të Serbisë, Maqedonisë, Bullgarisë dhe pjesërisht Greqisë. “Brezi i cili duke filluar nga drejtimi veriperëndim, arrin në Traki me anë të linjës Bihac-Bosnjë e Mesme-Sanxhak-Kosovë-Shqipëri-Maqedoni-Kërxhaali-Traki Perëndimore, është për Turqinë arterie jetike e gjeopolitikës dhe gjeokulturës në Ballkan”, vazhdon tutje Davutogllu.
Davutogllu e konsideron Maqedoninë si nyjen e çështjes së Ballkanit. “Maqedonia mbetet përballë presioneve që burojnë nga Serbia, nga Greqia, nga Bullgaria kundër pavarësisë dhe tërësisë së vendit të saj, por në të njëjtën kohë përjeton probleme serioze me shqiptarët që përbëjnë afërsisht gjysmën e popullsisë së vendit, gjë që e shtyn Maqedoninë të mbajë qëndrim me kahje nga rrëshqitja e ekuilibrave dhe forcës zonale”.
Përveç aleancave politike dhe projekteve të përbashkëta kulturore, Davutogllu i kushton rëndësi edhe lidhjeve të komunikacionit. Sipas tij, duhet siguruar një koordinim efikas si në komunikacionin tokësor, ashtu dhe në atë detar mes Ballkanit dhe Lindjes së Mesme dhe, kur të jetë e domosdoshme, këto rrugë komunikacioni duhen vënë në veprim edhe si elementë bashkëpunimi, edhe si element të politikës së jashtme.
Por në thelb të angazhimit turk në Ballkan janë çështjet fetare dhe historike. Sipas Davutogllu, “çdo xhami e shembur në Ballkan, çdo institucion islam i pakësuar, çdo element tradicional islam i asgjësuar në kuptim kulturor janë një gur themeli i shkulur prej ndikueshmërisë përtej kufitare të Turqisë në këtë zonë”.
Sipas Davutogllu, në themel të politikave të Turqisë ndaj Ballkanit duhet të zërë vend mbajtja gjallë e kulturës osmano-islame në Ballkan. Me qëllim të ruajtjes së kësaj ‘trashëgimie të përbashkët osmane’, Davutogllu propozon “krijimin e një UNESCO të përmasave të vogla në Ballkan, e cila do sjellë në rend të ditës mbrojtjen e përbashkët të indit kulturor të zonës, sepse dëmin më të madh nga ky likuidim kulturor po e pëson trashëgimia kulturore osmano-turke”.
Turqia, ShBA dhe BE në Ballkan
Deri më tani, aktivizimi i Turqisë në Ballkan ka qenë në linjë edhe me objektivat e NATO-s, në veçanti me ato të SHBA dhe BE. Mirëpo, kjo edhe mund të marrë fund. Hezitimi i vendeve të BE për tu zgjeruar edhe me vendet e Ballkanit, si dhe problemet në bashkëpunim në mes të BE dhe Turqisë, mund të sjellin konflikte interesi në Ballkan.
Për këtë paralajmëron edhe Davutogllu. Sipas tij, “marrja e një roli aktiv për Ballkanin dhe Evropën Lindore do ta bëj Turqinë më aktive dhe më të fuqishme përballë Evropës që e refuzon. Një përkufizim i tillë do të jetë i afërt edhe me parapëlqimet e ShBA që në të ardhmen do të mbetet e detyruar të zhvillojë në zonë politikë pro-shqiptare e pro-boshnjake, të afërta me Turqinë. Dallimet në politikat e vendeve anëtare të BE-së mbi Ballkanin, mund të bëjnë që, në acarimin e krizave në zonë, marrëdhëniet ShBA-Turqi të dalin në plan të parë”.
“Po qe se Turqia dëshiron të fitoj ndikim brenda NATO-s dhe Evropës, misionin dhe kontributin lidhur me NATO-n duhet ta bëj brenda strukturimit të ri, jo për Lindjen e Mesme, por për Evropën Lindore. Marrja e rolit në trup të NATO-s jo si një vend i Lindjes së Mesme, por si një vend i Evropës Lindore dhe Ballkanit, edhe do të sigurojë që Turqia të bëhet pjesëtare e Ballkanit, edhe do ti kompensojë qoftë edhe pjesërisht dobësitë që mund të lindin nga mosqenia anëtare e BE”.
Sipas Davutogllu, Turqia si vend i NATO-s nuk duhet të pranojë që të jetë në një nivel me vendet që futen tani në aleancë, aq më pak në një pozitë niveli më të ulët se to. “Ashtu siç Franca e kushtëzon hyrjen në krahun ushtarak të aleancës me dhënien e komandës në Mesdhe një evropiani dhe strategjinë e zgjerimit e lidh me këtë politikë, edhe Turqia, në formimin e komandës së Evropës Lindore, duhet ti jap peshë fitimit të prioriteteve të caktuara”.
Kosova dhe Turqia
Pesëmbëdhjetë vite nga publikimi i librit të Davutogllu dhe gashtë vite pas emërimit të tij si Ministër i Punëve të Jashtme, shumë nga teoritë e tij kanë gjetur zbatim në Ballkan, veçanërisht në Kosovë. Kjo strategji e Turqisë nuk do të braktiset, as pas largimit të Davutogllu nga pozita e Kryeministrit, të cilën ai e mbajti për afro dy vite.
Sot, Turqia është investitori më i madh i huaj në Kosovë. Asetet kryesore publike janë në pronësi turke, duke përfshirë autostradat dhe aeroporti, dy sektorët e komunikacionit, për të cilat kërkonte investim më të madh Davutogllu në librin e tij. Përveç kësaj, në shumë raste, shteti turk është përfshirë edhe në sistemin arsimor, objektet fetare dhe trashëgiminë kulturore. Në këtë mes hyn edhe interesimi i vazhdueshëm i shtetit turk për xhaminë në Prishtinë. Qeveria turke në vazhdimësi ka bërë presion për të ndryshuar librat e historisë në Kosovë, sa i përket portretizimit të Perandorisë Osmane. Disa vite më parë, ndërtimin e një shtëpie të re të kulturës në Obiliq, Turqia e kushtëzoi me vënien e emrit të “Sulltan Muratit”.
Mbështetja turke për Kosovën, siç e dëshmon libri i Davutogllu dhe politika e jashtme turke, vjen me disa kushtëzime. Sipas Davutogllu, “lokalizimi dhe harrimi i çështjes së Kosovës do të thotë likuidim i plotë i elementëve shqiptarë pro-turq në zonë”. Për këtë arsye, shteti turk në vazhdimësi ka mbështetur parti politike të cilat i garantojnë aleancë të përbetuar, parti të cilat tani edhe janë pjesë e qeverisjes në Kosovë.
Tezat më të rrezikshme në këtë libër të Davutogllu, por edhe në politikën zyrtare të Turqisë, kanë të bëjnë me pretendimet se mulsimanët në Ballkan dhe komplet trashëgimia historike nga koha e Perandorisë Osmane janë pjesë e trashëgimisë turke dhe se Turqia ka të drejtë ‘morale, historike dhe është duke kërkuar të drejtën ligjore” që të ndërhyj në “mbrojtjen e kësaj trashëgimie”.
Kundrejt kësaj strategjie të shtetit turk, Kosova duhet të ketë një qëndrim të saj. Turqia është partner strategjik i Kosovës. Shteti turk ka qenë një ndër mbështetësit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, qeveria e Kosovës nuk duhet të lejoj që kjo mbështetje ndaj pavarësisë së Kosovës, të kthehet në varësi ndaj shtetit turk. Për Kosovën, partneriteti me SHBA dhe BE duhet të jetë prioritar. Deri më tani, partneriteti i Kosovës me SHBA dhe BE, nuk ka nënkuptuar konfrontim me politikën Turke, por kjo mund të mos zgjas përgjithmonë. Siç e thotë edhe vetë Davutogllu, “aleancat ushtarake janë kalimtare”.
E marrëdhëniet e Turqisë me SHBA dhe BE-në vetëm se kanë filluar të pësojnë çarje. Turqia gjithnjë e më shumë po rrëshqet në një vend autoritar, ku të drejtat e njeriut suspendohen dhe kundërshtarët politik burgosen. Një vend i cili qeveriset me grusht të fortë, nuk mund të ketë një qasje të butë ndaj aleatëve të jashtëm të saj.
Marrë nga Gazeta Jeta në Kosovë