SBASHK-u solidarizohet me mësimdhënësit nga Turqia
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) është solidarizuar me kolegët mësimdhënës nga Turqia, të cilët po i përjashton nga puna Qeveria e atij vendi.
Në njoftimin për medie të SBASHK-ut është thënë se kanë informacion se deri më tani janë suspenduar nga puna mbi 15 mijë kolegë, ndërsa mbi 6 mijë të tjerëve u rrezikohen vendet e punës, nëse vazhdon fushata ndëshkuese ndaj tyre. “SBASHK-u ka marrë informacione shqetësuese se deri tani janë suspenduar nga puna 15.200 kolegë tanë dhe i njëjti fat i pret edhe 6538 të tjerë nëse nuk ndërpritet kjo fushatë ndëshkuese dhe e padrejtë ndaj tyre. SBASHK-u duke u bërë pjesë e këtij angazhimi solidar e në bashkëveprim me organet e larta të EI-së me seli në Bruksel ka nisur letra në adresën e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, z. Ban Ki-moon dhe në adresën e ambasadores turke në Kosovë, znj. Kivilcim Kiliç. Nga z. Moon është kërkuar që ta ngrit zërin kudo në organet e OKB-së që të merren në mbrojtje kolegët tanë të persekutuar dhe që Turqia të obligohet të respektojë ligjet e saj dhe Konventat për mbrojtjen e të Drejtave Elementare të Njeriut, nënshkruese e të cilave është edhe ajo”, është thënë në komunikatën e SBASHK-ut. SBASHK-u në letrën dërguar ambasadores së Turqisë në Kosovë, ndër të tjera është shprehur: “E nderuara ambasadore pranoni përshëndetjet tona! Ju drejtohem në emër të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (UESCK – SBASHK) duke iu përgjigjur apelit të Internacionales Botërore të Arsimit dhe shumë të nderuarit Sekretar të Përgjithshëm të EI-së, z. Fred van Leeuwen”. “Ju drejtohemi juve, e përmes jush edhe Qeverisë në Turqi, me kërkesën që të ndaloni përndjekjen ndaj kolegëve tanë mësimdhënës dhe t’i riktheni në punë ata. Ju drejtohemi të respektoni të Drejtat e Njeriut të parashikuara me Ligjet nacionale dhe Konventat Ndërkombëtare, të cilat i ka nënshkruar edhe shteti Juaj”, është thënë në letrën e SBASHK-ut sipas kësaj komunikate dërguar medieve.
Please follow and like us: