5 të vdekur nga rrëzimi i një helikopteri rus në Siri
Një helikopter ushtarak rus u rrëzua sot në Sirinë veri-perëndimore, duke vrarë pesë vetë në bord.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se helikopteri u qëllua gjatë kthimit, pasi kishte dërguar ndihma humanitare në Alepo dhe se ndër të vrarët kishte dy officerë dhe tre pjesëtarë të ekuipazhit.
Forcat ruse janë angazhuar në goditje ajrore në mbështetje të Presidentit Bashar al Assad që nga shtatori i vitit të kaluar.
Konflikti mes forcave të Assadit dhe kryengritësve që luftojnë për rrëzimin e tij nga pushteti vazhdon që prej marsit të vitit 2011, kur protestat paqësore u shtypën me dhunë duke e çuar vendin në luftë civile. Tani disa lëvizje opozitare, përfshirë edhe ISIS, janë përfshirë në konflikt, në përpjekje për të zgjeruar territorin nën kontroll.
Qeveria siriane tha dje se është e gatshme të rikthehet në bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB me opozitën siriane në fund të gushtit, pa parakushte dhe pa “ndikim nga jashtë”.
Disa raunde bisedimesh me ndërmjetësimin e OKB kanë dështuar, ndërkohë që dhuna ka vazhduar dhe mbetet e pazgjidhur çështja kryesore e të ardhmes politike të Assadit.
Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera perëndimore kanë këmbëngulur që çdo marrëveshje paqeje që mund të arrihet duhet të përfshijë si kusht largimin e Assadit nga pushteti ndërsa aleatja e presidentit sirian, Rusia e ka hedhur poshtë këtë propozim.