Albspirit

Media/News/Publishing

79-vjetori i vdekjes së Ndre Mjedës (3 poezi të shqiptarit të madh)

Më 1 gusht 1937, vdiq në Shkodër atdhetari, kleriku dhe poeti i madh Ndre Mjeda.

Për 7 vjet (1880 – 1887, ndihmuar nga kisha katolike, Mjeda studioi letërsi në Spanjë; retorikë, latinisht dhe italisht në Kroaci; shkroi poezi shqip; dha mësim muzike në Itali dhe përktheu letërsi.

Më vonë studioi teologji në Poloni, dhe dha mësime për filozofi dhe filologji, dhe shërbeu si bibliotekar, dhe profesor i logjikës dhe metafizikën. Mjeda shërbeu si anëtar i Komisisë Letrare, në Shkodër, dhe deputet në Kuvendin Kombëtar të Shqipërisë.

U tërhoq nga politika pas humbjes së Fan Nolit në dhjetor 1924.

Pas ardhjes së Zogut në fuqi, Mjeda u largua nga jeta politike. Ai vazhdoi të ishte famulltar i thjeshtë në fshatin e vogël Kukël, gjersa në vitet e fundit të jetës së tij kleri e mori si mësues të shqipes në gjimnazin e vet të Shkodrës. Mjeda iu vu atëherë me tërë energjitë e veta edukimit të rinisë me dashuri të veçantë për gjuhën dhe për kulturën shqiptare.

Pak muaj para vdekjes, (1 gusht 1937), botoi, si testament poetik të rrallë për bukuri e forcë, poemthin “Liria”.

Liria

O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni:

A shndrit rreze lirie n’ato maja;

mbi bjesh’ t’thepisuna e n’ograja,

ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?

 

A keni ndie ndikund, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni!

“Lirim, lirim!” — bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t’mjerin e mblon anemban’ robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,
e vështroje ku i del lirimit ama.

– VI –
Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.

E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t’Atdheut; fshehtas shëtiti
kasoll’ për kasoll’ rreth buneve e soditi
frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija

e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin
nanat e Hotit djelmënin’ ushtore
e idhnim n’armikun nëpër gji iu qitin.

E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.


Gjuha shqype

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m’shungullon;
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.
…………………………..

Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak’ e shkrime
çka natyra vet’ përpoq.

Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
si nj’bij’ kjo që pa prind mbet:
për t’huej t’mbajshin dhenat tjera,
s’t’kishte kush për motër t’vet.

E njat tok’ që je tue gzue,
e ke zan’ tash sa mij’ vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.


Andrra e Jetës

N’për ograjë po këndojnë bylbylat
si tu u prrallë me shoqi-shojnë,
drandafilleve zymbylat
t’kandshmen erë dhunti ia çojnë.

E nalt n’qiell ma e bukur hana
rreze t’paqta shkon tue shkri;
maje bjeshkve fillon zana
n’valle shoqeve m’u pri.

Lodhë prej vegësh, prej rrangësh shpijet,
si u ba natë, ndej Zoga n’votër;
ndej m’u xe me dru dullijet
që kish ba n’për mal, pa motër!

E kuvendte me nanë-locen
si përgjumshëm, ndonji fjalë,
derisa bri votrës gocën
e muer gjumi dalkadalë.

Fjet bri votrës: e kur shkëndija
shndritte at fëtyr’ të patravajë,
ejëll prej qiellit ulet te shpia
dukej faret fëtyra e sajë.

Herë n’at’ gjumë tue qeshun dukej,
si m’u falë herë dorën çote;
herë përmallshem n’veti strukej
e n’fëtyrë gjaku t’tan’ i vëlote.

(Ngrimun n’ar, mbi ‘i pullali
nën balkue nji beg kish dalë;
holl’ e i gjatë porsi selvi
n’rrugë nën gardh ish dukë nji djalë.)

E nan-bardha tue shikjue:
“Flej me engjuj, thotë, o bi;
pusho shtatin me i ndihmue
Lokes sate nëpër shpi”.

II

Prej nën nji tjegllet kish dalë si ‘j tra,
ku nji mij’ tesha vëloshin pa da;
përmbi shpi ndihej tue rrahun troka
e ushtonte toka

prej kambësh t’bag’tive. Ka dalë Harapi
herët, e shpatit delet ja hapi;
ka dalun Mica me lopë të mëdhaja
nëpër ograja.

Kur u zgjue Zoga vojt te balkoni
e pau se bleta vëlonte te zgjoni;
pau se n’at’ nade poshtë nji lavruer
kish ba nji shpuer.

Tue sjellun krahnin këndote me veti,
e i rridhte krahve si nji valë deti,
ku shndriçëm dielli lëshonte si zhgjeta
rrezet e veta.

Rreze flak’ arit. Por rrotull fëtyra
e fushës kish nd’rrue; kish nd’rruemun zyra
e bimës e e pem’ve; përmbi balkue
deri kish nd’rrue

erë filcigeni; po vite ‘j tjetër
erë: porsi makthit; e rruga e vjetër
nën shpi, mbas gardhit, porsi nji dritë
shkonte tue qitë.

Nuk e kish vrumun kurr nder dit’ t’veta
at rrugë n’balkue. Ktheheshin me çeta
asaj katundsit, tue dalë pa pra
e ajo s’kish pa.

U nis te puna mërziçëm. Nisi
ndër penj sovajkën, e shpata krisi,
cirliknë rrotllat posht’ e përpjetë
nën kambë të shpejtë.

E vojt n’dritare prap. Ndoshta begu
ka mbërri te rruga e pret te shtegu
veshun me t’arta, mbi ‘j pullali
për bukuri.

Nuk ishte begu: nën diell t’valtë
veç dy dallëndysha bajshin do baltë,
balt’ e kashtare për çerdhe t’vet,
se Shën Ejëlli a nget.

Ndoshta po avitet nji djal’ i ri
i holl’ e i gjatë porsi ‘j selvi,
me rrip rreth brezit, me nji gjashtore
e ‘j kacatore.

Nuk erdhi djali: veç dy bylbyla,
nji n’drandofille, nji ndër zymbyla,
përmallshëm thrrasin, e shoqi-shojnë
me kangë gazmojnë.

III

Vijnë dallëndyshat porsi era
përte’ det te çerdhja e vet;
vijnë bylbylat ku pranvera
n’pyje t’veshuna po i thrret.

Se qe pemët kan’ endun lulet,
e u vesh fusha me blerim;
lehtas prroni malit ulet
da prej borës që i nep ushqim.

E, i dish’ruem, bje për fushore
me rritë bimën për gjith’ vend,
ku ‘j erë akullit mizore
kishte hupë lul’zim e shend.

Edhe ti prej asaj që t’rriti
daju, vash’, e mos vajto;
me nji veshë, që kurr s’ta shndriti
paras, shtatin hijesho.

Bashkë me lule len dashtnija,
me kangë t’shpendit që galdon;
e pranverës bukuria
bashkë prej gjumit t’tan’ i zgjon.

Del, o bij’, prej shpisë sate,
del prei t’vorfënit katund;
njajo flakë që n’zemër pate
do t’përvjellin tjetërkund.

T’pret nji zemër flak’ e shkëndija,
pret me tanden m’u ba nji;
sa jetë t’apin Perëndia
mos m’u damun kurr prej ‘si.

T’lypë nji bes’ e ta nep t’ndershme
dora e unazaqë t’ven n’gisht;
e ndërmjet pr’at besë t’gjithhershme
a dorzan’ i lumi Krisht.

Sogjetarë, porsi furia
e nji rrfes’ që qetat shpon,
janë të qiellit nalt ushtria
e n’dorë shpata iu veton.

E din idhun regj Davidi,
e dinë lott që pa pra qet,
kur sheh morten se kositi
an’ e mb’an krajlninë e vet.

IV

E kandshme asht hana
kur del me zana,
e n’tokë me dritë përndaret,
Hyjzit që shndrisin
e që shetisin
n’për qiell, jan’ t’bukur faret.

Kur del agimi
e rruzullimi
me ‘j dritë kuqloshe mbëlohet
e përmbi kashta
shndritë pika-lashta,
zemra për mall gazmohet.

Asht i madh shendi,
kur ndihet shpendi
ndër pyje tue pingrue;
e knaqshme a ‘j lule
kur iu përkule,
o fllad i leht’, me e l’mue.

Por s’i giet qielli,
nuk i giet prilli
as fllad që shetitë lulet
e me erna veshet,
foshnjës që i qeshet
nanës, kur mbi ‘të përkulet.

Please follow and like us: