Albspirit

Media/News/Publishing

A dalin llogaritë e Rilindjes pa Ilir Metën?

Nga Dritan Hila – Kur Ilir Meta , të dielën e fundit përpara votimit të reformës shpalli se mund ta kalonte vendin në zgjedhje të parakohshme nëse nuk miratohej, kjo nuk ishte ditë e bukur për aleatin e tij. Njeriu që kërcënonte nuk e kishte për herë të parë dorëheqjen dhe ngjante më serioz se kurrë.

Ndërkohë reforma u miratua, por kërcënimi i zgjedhjeve qëndron, ndaj kampi i Rilindjes nxorri disa figura të nivelit të dytë për të treguar se nuk ju trembej syri, përfshirë Majkon, të cilët Rama i përdor kur do të fitojë kohë. Por të dhënat nuk janë të atilla që inkurajojnë për një fitore të vetëm në rast zgjedhjesh.

Së pari sepse teza se një reformë në drejtësi që e dëshironin me zjarr socialistët por nuk e donin demokratët, ka rënë. Fakti se reforma u votua vetëm katër ditë pas daljes së Metës dhe kërcënimit të tij, ia hoqi mundësinë Ramës që reforma të jetë kali i tij i betejës.

Së dyti, përjashto rrethin e ngushtë të Ramës, radhët e socialistëve nuk ngjajnë të shtrënguara. Shumë prej tyre nuk ju janë plotësuar pritshmërinë, disa kanë kapërcyer gardhin që i ndan nga oborri i LSI, ndërsa të tjerë po masin me sy lartësinë që ta kapërcejnë kur të bjerë edhe shpresa e fundit. Rama thjesht nuk e di sa ka votues të tij.

Së treti, ekonomia nuk është pika e fortë e Ramës në një fushatë elektorale të papritur. Shqiptarët kanë parametra të lartë rezistence ndaj urisë, por tashmë që kriza po hyn në vitin e gjashtë të saj, edhe për specie si shtetasit e Ramës, elasticiteti ka arritur në pikën e thyerjes. Pavarësisht trumbetave për sukseset, mekanizmi ekonomik ka tre vjet i bllokuar, dhe i vetmi produkt që lulëzon është hashashi.

Së katërti, treguesit e korrupsionit nuk njohin ulje, Pavarësisht se struktura e propagandës së majtë punon ende të revokojë vitet përpara 2013-ës, apo të arrestojë ndonjë drejtor të aleatit të tij, abuzimet e shefit të qeverisë dhe njerëzve të tij janë tepër të mëdha edhe për një thes që mund të nxejë minaren brenda.

Dhe së fundi, pa LSI-në si aleat, matematika e ndihmon Ramën të mbyllë mandatin, por jo të fitojë zgjedhjet. Pesë palë i kanë treguar se nuk mund të fitojë dot pa LSI-në.

Kërcënimet e Ramës për rishikim pakti të lëshuara me gojën e Majkos, nuk mund të trembin Ilir Metën. Meta e njeh më mirë se vetë i zoti, partinë ku ka qenë dikur. Ai e di se ajo nuk ka asnjë motor ideologjik që ta shtyjë përpara. Drejtuesit ose janë figura pa mendim si Taulant Balla, kukulla kauçuku si ata të Mjaft-it, ose ngjala të dhjamosura që kanë harruar se çfarë është deti i trazuar, ndërsa kusuri, janë një trupë e pamotivuar. Ndërsa rradhët e Metës janë më të shtrënguara se kurrë. Jo vetëm për faktin se ka një komandë të centralizuar, por edhe sepse ndjekësit e tij janë të vetëdijshëm për forcën që kanë dhe besojnë tek shefi i tyre.

Ndaj nëse ka një propozim konkret dhe me brumë që mund të bëjnë njerëzit e Ramës për LSI-në, është nëse koalicioni ekzistues mund të rinovohet edhe në 2017-ën. Në të kundërt, po i hyjnë detit me këmbë, ku nga alternativa që të mbyten apo të dalin në bregun tjetër, e mundshme mbetet e para. Kjo është llogaria, deri në momentin që Rama të provojë që është Mesia dhe e ndan detin në dysh. Pese here qe ka besuar se është Mesia, ndjekësit e tij janë mbytur. E gjashta e vërteta? /Dritare.net

Please follow and like us: