Albspirit

Media/News/Publishing

Anulohet shitja e Bankers Petroleum

Bankers Petroleum Ltd., kompania që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës ishte parashikuar të shitej tek kompania Geo-Jade Petroleum Corporation, por duket se kinezët kanë kërkuar më shumë kohë. Geo-Jade Petroleum Corporation (“Geo-Jade”) është një nga kompanitë më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të naftës në Kinë.

Në bazë të marrëveshjes Bankers është vlerësuar me 575 Milionë dollarë (C$) pa përfshirë detyrimet. Kjo shumë është e barabartë me 407 milionë dollarë. Çmimi për aksion ishte C$2.20
Bankers Petroleum njoftoi sot se transaksioni është shtyrë për shkak se “mbetet ende subjekt i miratimit nga Administrata Shtetërore Kineze e Këmbimit Valutor (SAFE). Afati i miratimit nga Republika Popullore e Kinës është shtyrë për në 30 Shtator 2016. Kundrejt kësaj shtyrje, Geo-Jade ka rënë dakord (që në 29 Korrik 2016, data e amendimit të marrëveshjes) se nëse SAFE nuk e miraton marrëveshjen deri më 30 Shtator, 2016 Bankers ka të drejtë të marrë US$ 20 Milionë si tarifë terminimi nëse Bankers vendos të mbyllë marrëveshjen si pasojë e mosmiratimit. Ndërkohë, palët kanë rënë dakord për të shtyrë afatin e fundit për transaksionin deri në 31 Tetor, 2016 për të patur kohën e nevojshme për të mbyllur këtë proces, por në rrethana të caktuara ky afat mund të shkurtohet në 30 Shtator 2016” .

Geo-Jade është një nga kompanitë më të mëdha të pavarura të prodhimit dhe eksplorimit, e listuar në Bursën e Shangait, me një vlerë kapitalizimi të tregut më të madhe se 3.6 miliardë dollarë kanadez. Geo-Jade ka bërë investime të suksesshme nafte dhe gazi në mbarë botën dhe asetet e saj kryesore janë të vendosura në Azinë Qendrore, Amerikën e Veriut dhe Kinë.
Marrëveshja gjithashtu parashikon një tarifë prej 20 Milion dollarë nëse Marrëveshja ndërpritet në rrethana të caktuara.

Deri në fund të vitit 2014, Bankers ishte kompania më e madhe në Shqipëri, me një qarkullim vjetor prej rreth 67 miliardë lekësh. Xhiro e saj është përgjysmuar në vitin 2015 për shkak të rënies së çmimeve të naftës. Në fund të vitit 2015, Bankers u përfshi në një konflikt me qeverinë shqiptare, pasi Drejtoria e Tatimeve bazuar në një raport të AKBN (Autoritetit Kombëtar të Burimeve Natyrore) nuk i njohën Bankers 303 milionë dollarë shpenzime dhe e ngarkuan me një pagesë prej 57 milionë dollarësh tatim fitimi. Kompania ka filluar ta paguajë këtë shumë me këste mujore. Në shkurt 2016, pas negociatave të zhvilluara nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Agjencia Kombëtare të Burimeve Natyrore me Bankers Petroleum, u arrit marrëveshja për caktimin e një eksperti për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me raportin e auditit për vitin 2011. Bankers Petroleum është dakordësuar që të pezullojë procesin e arbitrazhit në të cilin kishte paditur shtetin shqiptar.

Please follow and like us: