Bekim Balaj dhe Odise Roshi debutuan me fitore në kampionatin rus. Futbollistët e Kombëtares e transferuar këtë verë te Terek Grozny treguan vlerat e tyre që në sfidën e parë me Krylya Sovetov që përfundoi me rezultatin 1 – 0. Balaj e nisi nga minuta e parë ndeshjen duke patur edhe raste shënimi, por ishte Roshi që la shenjë.
Ai fitoi 11-metërshin që solli edhe golin e vetëm të takimit. Mesfushori shqiptar u ndërpre në zonë në minutat e fundit.
Odise Roshi hyri në lojë si zëvendësues gjatë pjesës së dytë. Balaj dhe Roshi nuk janë të parët shqiptarë te skuadra çeçene që merr pjesë në kampionatin rus, pasi në sezonin 2008-2009 është aktivizuar portieri Ilion Lika.