Albspirit

Media/News/Publishing

Dentistja vajzë kopertinash i zhvati 900 mijë euro, kush është biznesmeni që ra në kurthin e saj

Dentistja Olesia Duka, e shpallur në kërkim për mashtrimin e një biznesmeni durrsak, duke përvetësuar 900 mijë euro, rezulton se ka mashtruar edhe persona të tjerë. Kjo pasi pranë Krimit Ekonomik në Tiranë kanë bërë denoncime për mashtrim edhe gjashtë persona të tjerë, të cilët akuzojnë Olesia Dukën. Ajo akuzohet se një muaj më parë i ka marrë një biznesmeni nga Tirana me iniciale R.Zh., 30 mijë euro. Dentisja e njohur si vajzë kopertinash, e pranishme në revista, por edhe në emisione televizive goditjen më të rëndë ia ka dhënë biznesmenit nga Durrësi. Mësohet se biznesmeni i dëmtuar është Idlir Hoxha, i cili ka një pikë këmbimi valutor në qytetin e Durrësit. Që nga njohja mes tyre në nëntor të vitit 2016, dentistja i ka marrë 900 mijë euro, duke mos ia kthyer më. Prokuroria e Durrësit tha ditën e diel, se nga hetimet e kryera, dyshohet se 38-vjeçarja përmes gënjeshtrës dhe mashtrimit i ka marrë shuma të mëdha financiare biznesmenit Hoxha, që nga njohja mes tyre dhe vazhdon të mos ja kthejë. Po ashtu është zbuluar se Duka, e njohur si dentistja e Vip-ave e klinikës “ShendiDent” ka mashtruar edhe persona të tjerë, duke iu vjedhur shuma të mëdha parash, por “goditjen” më të madhe e ka marrë Idlir Hoxha, i cili ka bërë dhe denoncimin ndaj saj. Për rrjedhojë Gjykata ka vendosur sekuestro preventive për pesë pasuri të 38-vjeçares dhe familjarëve të tij me një vlerë mbi 300 mijë euro dhe më konkretisht bëhet fjalë për apartamente. Rezulton se Duka mashtronte persona të ndryshëm, duke iu marrë shuma të mëdha parash, duke iu thënë se kishte 8 klinika dentare dhe se i duheshin paratë për të blerë aparatura. Por pasi merrte paratë ajo nuk i kthente më. Ndaj saj gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, duke u shpallur në kërkim.

Please follow and like us: