Ermonela Xhafa: Vajza e vogël
Duke qëndruar në buzë të detit, në këtë ditë të nxehtë, pashë një nga skenat më prekëse që ndoshta edhe po ta lexoja diku, gjithashtu do të prekesha e jo më tani që e përjetova vetë.
Pranë vendit ku po bënim plazh, luante një vajzë e vogël. Ajo nuk ishte më shumë se 9 vjeçe.
Me flokë shumë të gjatë bjonde në të kuqe, me ca sy të qeshur jeshil. Ishte vetëm, e pashoqëruar nga ndonjë i rritur. Lodronte me detin si çdo fëmijë tjetër.
U afrua e sjellshme pranë çadrës ngjitur dhe pyeti për orën. “Ora 2.20 (14:20)”, – i tha dikush.
“Faleminderit!” – tha (dhe nuk e di pse më bëri ta ndiqja me sy).
Filloi të shfrynte krahëzat e saj dhe i shpëlau në det. I palosi. Më tej shpëlau qesen e vjetër ku kishte vendosur rrobat. Shpëlau edhe një copë të vjetër që e kishte marrë për t’u ulur.
E shpëlau aq kujdesshëm dhe dhe e palosi aq bukur, sa që të jepte përshtypjen se kishte gjithë jetën që lante rroba me duar.
Shkundi peshqirin e saj të vjetër, por shumë të pastër me “Mini Mouse” dhe e palosi cep më cep (që të them të vërtetën u ndjeva shumë në faj që Emushi im shpesh as rrobat e saj nuk palos).
Shkoi te dushi, lau pantoflat, veshi fustanin dhe duke vënë çdo gjë në rregull, bëri këmbë të ikte.
Nuk e di sa kohë kisha, pa parë një fëmijë aq të rregullt, që megjithëse vetëm, u soll si një “madamë” e vërtetë. U preka dhe me shpejtësi mora një 2 mijë lekësh “të vjetër”, siç na ka mbetur pa kuptim të vlerësojmë kartmonedhën (20,0 lek të rinj) apo më pak se 2 dollarë dhe nxitova ta thërras “o goce, o goce”!
Ajo ktheu kokën dhe mu drejtua: “Urdhëro”!
I thashë me zërin që më dridhej se e kisha vënë re të gjithë sjelljen e saj dhe se më kishte pëlqyer shumë.
“Do të doja të thoja “të lumtë!” dhe “bravo” që u solle si një e madhe, megjithëse ishe vetëm. Lum familja që të ka!”-i fola.
Dhe, zgjata dorën dhe i thash: “Të lutem bli një akullore nga unë”!
E çuditur vajza ma ktheu: “Jo, të lutem, nuk ka përse! Unë vij ndonjëherë në plazh vetëm, sepse ata të shtëpisë i kam në punë dhe nuk ka kush të më shoqërojë. Prandaj, pasi vetëm, në orën 3 (15), jam gjithmonë në shtëpi”.
Unë iu luta të pranonte lekët prej meje si “nënë që jam” dhe e urova: Zoti të bekoftë dhe vazhdo kështu siç je”!
Duke u larguar vajza më tha: “Faleminderit teta dhe të ndihmoftë Zoti edhe ty”!
Vërtetë ju them, që ende vazhdoj të lotoj nga ky shembull i shkëlqyer i sjelljes së një vogëlusheje, qofte dhe nga provinca. Që, nga sjellja ishte shuuumë më lart se fëmijët e shumë prej nesh, që rriten në mes të të mirave, pushimeve, rrobave të bukura, argëtimeve dhe kërkesave pa fund.