Irani: Disa shtete të rajonit kanë mbështetur puçistët në Turqi
Ali Akbar Velayati, kryekëshilltar i liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, tërhoqi vëmendjen se disa vende kanë mbështetur tentativën për grusht shteti në Turqi…
Tentativa për grusht shteti në Turqi, ndërmarrë më 15 korrik nga organizata terroriste guleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY), u ndoq me shqetësim nga Irani.
Në një intervistë ekskluzive për agjencinë e lajmeve “Tasnim”, ambasadori turk në Teheran, Riza Hakan Tekin, deklaroi se Presidenti iranian, Hassan Rouhani, i ka telefonuar Presidentit Recep Tayyip Erdogan për ta mbështetur pas tentativës për grusht shteti dhe i ka thënë homologut turk se “nuk ka vënë dot gjumë në sy deri sa është gdhirë ajo natë”.
“Rouhani i telefonoi Erdoganit pas tentativës për grusht shteti. I tha atij se nuk e ka zënë gjumi deri në mëngjes dhe se e ka ndjekur me vëmendje të gjithë ngjarjen. Tradita shtetërore në Iran është e rrënjosur; çështjen e grushtit të shtetit e kanë ndjekur me hollësi dhe mprehtësi. Nuk besoj që liderët e vendeve të tjera ta kenë ndjekur me kaq vëmendje çështjen në fjalë”, u shpreh ambasadori turk në Teheran.
Nga ana tjetër, një deklaratë tronditëse ka ardhur edhe nga lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei.
“Armiqësia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk kufizohet vetëm me Iranin. Ka dyshime të fuqishme dhe serioze se pas tentativës për grusht shtetit në Turqi qëndron Amerika. Nëse vërtetohet, kjo gjë do të jetë një turp i madh për SHBA”, tha Khamenei.
Lideri suprem iranian vuri në pah gjithashtu se fuqia e Uashingtonit po dobësohet çdo ditë e më shumë në Irak, Siri dhe gjithashtu në vende të tjera.
Ndërsa Ali Akbar Velayati, kryekëshilltar i Ali Khameneit, tërhoqi vëmendjen se disa vende kanë mbështetur tentativën për grusht shteti në Turqi.
“Disa shtete të rajonit, që pretendojnë se janë miq të Turqisë, mbështetën puçistët kundër qeverisë legjitime turke. Në rrethana të tilla të vështira dallohen se cilët janë miq e cilët armiq”, tha Velayati pa specifikuar objektivin, gjatë një takimi me ambasadorin turk në Teheran, Riza Hakan Tekin.