Rusia kundërshton akuzat e SHBA për sulme kibernetike
Kremlini i ka hedhur poshtë akuzat se Rusia kishte dorë në sulmet kibernetike në kompjuterët e Komitetit Kombëtar Demokratik (DNC) në Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë të djeshme, e nominuara e Partisë Demokratike për presidente amerikane, Hillary Clinton, tha se “e dimë se shërbimet e inteligjencës së Rusisë kanë depërtuar në DNC dhe e dimë se ata kanë bërë aranzhime, që një pjesë e madhe e këtyre emailave të publikohen”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha sot se komentet e zonjës Clinton ishin “retorikë e stilit parazgjedhor dhe nuk përmbanin asgjë të prekshme”.
Mëtutje, ai ka theksuar se “në këtë rast ata (amerikanët) po përpiqen t’i maskojnë disa mashtrime parazgjedhore të tyre duke e demonizuar Rusinë”.
Shtetet e Bashkuara nuk e kanë akuzuar publikisht Rusinë se ka dorë në sulmet në kompjuterët e Partisë Demokratike.
Por, ekspertët kibernetikë dhe zyrtarë amerikanë kanë thënë se besojnë se Rusia e ka organizuar publikimin e emailave të Partisë Demokratike, për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale më 8 nëntor në Shtetet e Bashkuara.