Sami Frashëri, poligloti me 8 gjuhë të huaja dhe vepra që i dha famë botërore
Sami Frashëri, nuk është vetëm ideolog i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por edhe një poliglot që dinte plot tetë gjuhë të huaja. Madje Sami Frashëri është shkrimtari që shkroi romanin e parë në historinë e letërsisë turke. Por cila ishte historia e veprës që e bëri shkencëtar në nivele ndërkombëtare?
Dijetari i madh dhe ideologu i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare Sami Frashëri, u lind në fshatin Frashër të Shqipërisë në qershor të vitit 1850. Mësimet e para Samiu i nxuri në Frashër.
Në moshën nëntëvjeçare i vdiq i ati, e dy vjet më vonë, pra më 1861 edhe e ëma. Të mbetur kështu, pa prindër, për të dhe për tërë familjen (gjithsej ishin gjashtë vëllezër dhe dy motra), sipas traditës shqiptare, duhej të kujdesej vëllai më i madh, Abdyli.
Meqë Frashëri, vend malor, Abdyli nuk shihte ndonjë perspektivë të madhe aty, prandaj, për t’ua mundësuar shkollimin vëllezërve të tij, më të vegjël dhe për të krijuar kushte më të mira, vendosi të transferojë familjen në Janinë, kryeqytet i vilajetit të atëhershëm.
Sapo u vendosën në Janinë në vitin 1861, Samiu, krahas mësimit të turqishtes, arabishtes dhe persishtes, bashkë me të vëllanë, Naimin, u regjistrua në gjimnazin e njohur Zosimea, të cilin e mbaroi para kohe; për shtatë vjet në vend të tetë vite, aq sa ishte në rregullore, gjë që tregon forcën intelektuale të tij. E mbaroi më 1868 që e dëshmon edhe diploma e cila mban datën e 14 korrikut të këtij viti, e jo më 1871, siç e marrin disa.
Samiu këtu kishte mësuar edhe njohuri të reja: greqishten e vjetër dhe të renë, frëngjishten, italishten, latinishten, pastaj, gjeografinë, historinë, matematikën, kozmografinë, historinë e natyrës dhe anatominë.
I pajisur kështu me një kulturë të Lindjes, nga njëra anë, dhe të Perëndimit, nga ana tjetër, tre vjet pas mbarimit të gjimnazit, shkoi në Stamboll, në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, ku do të vazhdojë punën e tij krijuese plot 33 vjet, deri në vdekje, në qershor të vitit 1904.
Kur erdhi në Stamboll Samiu, nuk ishte më shumë se 21 vjeç. I ri për nga mosha, por i pjekur dhe i ngritur për nga dituria, pa u menduar shumë, ia nisi punës për të botuar pas një viti veprën e tij të parë dhe njëherësh romanin e parë në letërsinë turke “Taa½½uk-i Talat ve Fitnat” .
Sami Frashëri shkroi shumë, mbi 60 vepra: shqip, turqisht, arabisht, persisht, disa prej tyre me shumë vëllime. Revistat më serioze të kohës, ishin kryekëput të tijat, po edhe në gazetat e tjera të kohës artikujt e Samiut zinin vendin kryesor.
Veprat e tij në gjuhën shqipe, në krahasim me veprat që i shkroi në gjuhën turke, janë të pakta, mirëpo këtu Samiu i preku çështjet më të ndjeshme, më të domosdoshme dhe më me interes për popullin shqiptar: hartoi alfabetin shqip, shkroi gramatikën shqipe, siç e quan ai, “Shkronjëtore e gjuhësë shqip”, që kishte rëndësi jo vetëm shkencore, por edhe më gjerë.
Pastaj shkroi veprën, ose më mirë të themi kryeveprën e veprave shqip “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”? Çfarë force intelektuale dhe sa largpamës ka qenë Samiu, pa dyshim, mund të shihet në këtë vepër, ku para njëqind e sa vjetësh i shtron pikëpamjet e veta për një shtet të fortë, demokratik dhe të organizuar shqiptar.
Ndërkaq, në veprën në gjuhën turke Samiu, thuajse nuk la fushë të shkencës pa e shkelur, në shumë prej tyre ishte edhe pionier. Shkroi vepra letrare, filologjike, linguistike, dialektologjike, islamologjike, didaktike, leksikologjike etj.
Sa për kuriozitet po i përmendim vetëm veprat nga fusha e leksikologjisë, ku hartoi fjalorët: Frëngjisht-turqisht me afër 50 mijë fjalë; Turqisht-frëngjisht me afër 35 mijë fjalë; Arabisht-turqisht ; Fjalori i gjuhës turke me 1575 faqe, me afër 45 mijë fjalë, i punuar me një metodologji bashkëkohore. Ky është fjalor normativ i gjuhës së atëhershme turke dhe do të shërbejë si bazë për shumë fjalorë të mëvonshëm.
Në këtë fushë Samiu fitoi famë të madhe.
Megjithatë, vepra e cila e bëri Samiun shkencëtar në nivele ndërkombëtare; vepra e cila e kishte shtyrë të shëtisë bibliotekat e shumta të kohës; vepra e cila e kishte lodhur më së shumti (i kushtoi 11 vite), është: KÂMÛS AL-A’LÂM
Kjo është vepra më vëllimore dhe më e rëndësishme e Samiut. Është e shkruar në gjuhën turke të asaj kohe, d.m.th. me alfabet arab, në gjashtë vëllime me gjithsej 4830 faqe. Është enciklopedi historike-gjeografike. Këtu Samiu e shënon titullin edhe në gjuhën frënge DICTIONNAIRE UNIVERSEL D’HISTOIRE ET DE GEOGRA-PHIE, kurse emrin e vet e shënon të plotë Ch. Samy-Bey Fraschery (Sh. Sami Bej Frashëri).
Kâmûs al-a’lâmi botohet brenda viteve 1889-1898; vëllimi i parë dhe vëllimi i dytë botohen në të njëjtin vit, kurse vëllimet e tjera në çdo dy vjet, përveç vëllimit të katërt që botohet tre vjet pas të tretit. Kjo tregon për vështirësitë që kishte hasur Samiu pas vëllimit të dytë që do të shohim edhe nga vetë parathënia e tij.
“Çdo shkencë dhe disiplinë shkencore e ka shijen e vet… Historia dhe gjeografia, thotë Samiu, janë nga shkencat më tërheqëse. Në të vërtetë njeriu ka dëshirë të dijë për gjendjen e planetëve të largëta, e si të mos ketë dëshirë të dijë për rrethanat e rruzullit tokësor në të cilin jeton? Pastaj, ka apo nuk ka gjallesa në Jupiter, në Saturn, nëse ka, gjithnjë mendon se çfarë gjallesash janë; pastaj, si të mos e di gjendjen e gjyshërve, stërgjyshërve të vet dhe popujve të ndryshëm që jetojnë në planetin e tokës. Ja pra, këto dy gjëra, e para mësohet me gjeografi, kurse e dyta me histori”.
Samiu bën edhe dallimin në mes historisë dhe gjeografisë: “Historia është më e gjerë se gjeografia, sepse në histori, thotë Samiu, kundërthëniet janë më të shumta. Një pjesë e historisë është rrenë e thjeshtë e cila me kalimin e kohës dhe me përsëritjen e përhershme merret si e vërtetë. Historia është zaptuar nga ana e popujve të ndryshëm. Sa më shumë që ndryshojnë burimet e saj, po aq ndryshon edhe interpretimi. Ngjarjet i ndryshojnë herë me qëllim e herë duke gabuar, ashtu që vështirë është që në mesin e tyre të gjendet ajo që është e vërtetë”. Këtu merr si shembull historinë e Iranit të lashtë, duke thënë se “ka dallime në mes historisë evropiane që e kanë marrë nga grekët dhe historisë lindore që interpretohet nga Firdevsi. Këto dy histori janë shumë kontradiktore, sigurisht njëra prej tyre është e gabueshme, por si të bindemi se tjetra është e vërtetë?” – pyet Samiu.
Samiu këtu përpiqet t’u sugjerojë historianëve që të jenë sa më të kujdesshëm dhe më objektivë: “Është detyrë e atyre që merren me histori që të mos marrin gjithnjë si të vërtetë atë që shkruhet në libër pa i analizuar ngjarjet, pa i verifikuar burimet…”
Sami Frashëri në Enciklopedinë e tij të famshme shkruan për vendet anekënd botës; shkruan artikuj të përgjithshëm gjeografikë e historikë për Evropën, Ballkanin, Turqinë, Amerikën, Azinë, Afrikën, Arabinë, Zelandën, e në mënyrë të veçantë për vendet, shtetet, qytetet, detet, liqenet, malet, popujt etj. të këtyre vendeve; pastaj për perandori, dinasti, mbretëri të ndryshme; për personalitete të shquara të kategorive të ndryshme shoqërore deri në kohën e tij: sulltanë, mbretër, vezirë, shejhulislamë, imamë, papët, historianë, gjeografë, mjekë, filozofë etj.
Po për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Kur është fjala për Shqipërinë dhe shqiptarët, pra për vendin dhe popullin e vet, Samiu i kishte dhënë vetes liri të shkruajë pak më gjerë; të shkruajë gjëra që, me siguri, nuk mund t’i gjejmë në enciklopedi të tjera.
Në Artikullin Arnautlluk (Shqipëria) në mënyrë të përgjithshme shkruan për tërë territoret e Shqipërisë, kufijtë e saj, qytetet, kasabatë, malet, fushat, liqenet, lumenjtë etj. për të prezantuar pastaj veç e veç, qytetet, malet etj. të saj me të gjitha karakteristikat e tyre: gjeografike, historike, demografike, bukuritë natyrore etj. Ndërsa, në artikullin Arnaud (Shqiptarët) flet për lashtësinë e popullit shqiptar, për trimërinë, krenarinë, moralin, sinqeritetin, zgjuarsinë e tij; për besnikërinë e femrës shqiptare, por, njëkohësisht, duke ia dashur të mirën këtij populli thekson edhe disa dobësi që duhen mënjanuar.
Këtu shpesh shtrohet një pyetje: Pse Samiu, si shqiptar, e shkroi Kâmûs al-a’lâmin, kryeveprën e tij, në gjuhën turke. Përgjigjja është e thjeshtë: Samiu që para njëqind vjetësh deshi ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, deshi t’i tregojë botës, pikërisht në kohën e shthurjes së Perandorisë Osmane, se cilat ishin territoret e Shqipërisë; të njoftojë opinionin botëror me argumente të forta e shkencore për lashtësinë e popullit shqiptar; se shqiptarët janë të zotët dhe se kanë aftësi të qeverisin të pavarur etj.
Kâmûs al-a’lâm, kjo vepër madhështore, sipas vlerësimeve të shkencëtarëve, do të vazhdojë të mbetet një vepër shumë e nevojshme për historiografinë përgjithësisht, kurse autori i saj, Sami Frashëri, shkencëtar në nivele ndërkombëtare./ TO/