Zv/kancelari gjerman:Turqia të mos e shantazhojë BE për vizat
‘Turqia të mos e shantazhojë BE-në për vizat’! Ka qenë kjo deklarata e zv/kancelarit gjerman, Sigmar Gabriel, i cili nënvizoi se Ankaraja duhet që t’i përmbushë të gjitha kriteret e vendosura në mënyrë që qytetarët turq të përfitojnë nga lëvizja e lirë. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Turqia ka deklaruar se mosliberalizimi i vizave mund të bëhet një faktor për anulimin e marrëveshjes për frenimin e fluksit të emigrantëve.
Zv/Kancelari gjerman, Sigmar Gabriel, ka deklaruar se Turqia nuk duhet t’a shantazhojë Bashkimin Europian kur flitet për liberalizimin e vizave.
Ai u shpreh se ky proçes nuk duhet të lidhet me çështje apo rrethana të tjera, duke shtuar se lëvizja e lirë e qytetarëve turq do të varet nga vullneti i Ankarasë për të përmbushur me sukses kriteret që janë vendosur paraprakisht nga zyrtarët e unionit.
“Është në dorën e Turqisë nëse do të ketë ose jo liberalizim të vizave. Megjithatë, më duhet të them se Gjermania dhe Europa nuk duhet të vendosen në pozitë apo të shantazhohen për këtë cështje. Kjo është një procedurë standarte dhe duhet të rrespektohet nga të gjitha vendet që synojnë të përfitojnë nga lëvizja e lirë e qytetarëve”, u shpreh zv/ Kancelari i Gjermanisë, Sigmar Gabriel.
Deklarata e zyrtarit të Qeverisë gjermane vjen në një kohë kur Turqia ka deklaruar se mosliberalizimi i vizave për qytetarët turq mund të rrezikojë implementimin e marrëveshjes për strehimin e emigrantëve.
Pakti i arritur më herët mes Ankarasë dhe drejtuesve të unionit ka për qëllim të reduktojë fluksin e miliona azilkërkuesve që kanë mbërritur në kontinentin e vjetër përgjatë muajve të fundit.
Palët ranë dakord që Turqia të strehojë të gjithë azilkërkuesit që largohen nga Lindja e Mesme, në këmbim të një fondi prej tre miliard eurosh si dhe liberalizimit të vizave.
Megjithatë, Bashkimi Europian nënvizon se ky proçes duhet të ndodhë brenda standarteve të parashikuara në legjislacionin e BE-së.