Albspirit

Media/News/Publishing

Aksidenti në det, policia fajëson Bashkinë e Himarës/Nuk përmbushi detyrimet, ja 6 shkresat që i drejtojmë

Policia e Shtetit ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Himarë, ku një motor uji përplasi për vdekje një pushues rus, që kishte zgjedhur bashkë me familjen të pushonte në bregdetin jugor të vendit.

Përmes një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit informon se Bashkisë Himarë i janë dërguar 6 shkresa zyrtare për plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga VKM nr. 321.

Policia thotë se gjatë periudhës 1 qershor deri në 3 korrik 2016, në zbatim të akteve normative dhe ligjore është hartuar dhe po zbatohet Programi i Punës së Drejtorisë së Policisë së Shtetit si dhe Plani për shpërndarjen e forcave e mjeteve policore për garantimin e rendit e të sigurisë publike në zonat turistike.

“Në çdo takim të zhvilluar me Task Forcën, Policia e Shtetit ka ngritur problematikën për masat e munguara për sigurinë në plazhe nga ana e pushtetit vendor.Megjithatë shërbimet e Policisë Kufitare janë angazhuar maksimalisht dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet për të siguruar jetën e qetësinë e pushuesve në plazhe, sidomos gjatë ushtrimit të aktivitetit me mjete lundruese”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit konstaton mangësi të theksuara nga Njësitë e Qeverisjes Vendore, në zbatim të VKM Nr. 321, datë 28. 05.2014 “Për sigurinë në det, plazhe, në ujrat e brendshme në thellësi të territorit dhe gjatë ushtrimit të sporteve ujore”.

Detyrimet e pazbatuara nga këto Njësi vendore sipas policisë janë:

• identifikimi i zonave të përshtatshme si zona çlodhëse të konsideruara të sigurta dhe të shëndetshme;
• dhënia e autorizimit për plazhe;
• dhënia e lejeve dhe autorizimeve për përdorim publik, sporte ujore;
• heqja e lejeve në rast se përdoruesit nuk përmbushin kushtet;
• vënia e gjobave për përdorimin jashtë kritereve të mjeteve lundruese dhe të kushteve higjeno–sanitare.

Sipas këtyre detyrime që burojnë nga aktet ligjore, qeverisja vendore në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare përcakton:

• zonat e përdorimit të mjeteve lundruese argëtuese, të cilat të jenë të shënuara në mënyrë të dukshme me shënues të veçantë, ku të tregohen dhe korridoret e hyrjes e daljes nga uji;
• distancat e ushtrimit të aktivitetit të lundrimit nga këto mjete;
• oraret e përdorimit të tyre;
• vendosjen në vende të dukshme të shenjave sinjalizuese si: “Kujdes – zonë ku ndalohet përdorimi i mjeteve lundruese”, “Kujdes – zonë e ndaluar për të notuar”.

Çdo zonë e deklaruar për plazh duhet të ketë:

• kulla vrojtimi për çdo 250 – 300 m, me lartësi 3 metra dhe çdo kullë të ketë vrojtues të trajnuar;
• mjete sinjalizimi dhe komunikimi;
• flamuj, postera për vendet e lejuara për lundrim e argëtim, për pushues.

Nisur sa më sipër, Policia e Shtetit rithekson se “organet përgjegjëse nuk kanë marrë masa dhe nuk janë krijuar kushtet e nevojshme qoftë edhe në një plazh të vetëm, megjithë komunikimin e vazhdueshëm shkresor të kryer nga ana e Policisë së Shtetit”.

Gjatë kësaj periudhe nga Policia Kufitare e Migracionit ka evidentuar:
• 76 raste dhënie ndihme ndaj 130 personave;
• 21 raste të parandalimit të konflikteve
• 37 masa administrative ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese për shkelje të ndryshme me një vlerë prej 671.000 lekësh;
• 10 mjete lundruese janë bllokuar për mungesë dokumentacioni dhe shkelje të rregullave të lundrimit në det.

Policia e Shtetit bën me dije se do të sekuestrojë dhe ndëshkojë me masa të ashpra të gjitha mjetet lundruese që thyejnë distancën e sigurisë prej 300 metrash nga vija bregdetare, nuk respektojnë korridoret e hyrje-daljes në det, si edhe qarkullojnë me shpejtësi të lartë në zonat e plazheve.

Gjithashtu, do t’i rekomandojë të gjitha Njësive vendore marrjen e masave konkrete ndaj çdo subjekti që nuk ka respektuar parashikimet ligjore për sigurinë e pushuesve në det.

Policia e Kufirit dhe Migracionit do të monitorojë në vazhdimësi zbatimin e masave në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar dhe në njësitë operuese përgjatë bregdetit, duke bashkëpunuar me të gjitha agjencitë shtetërore dhe subjekte që janë të angazhuara në mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Please follow and like us: