K. Veriore: Lëshohet raketë balistike afër ujërave japoneze
Koreja Veriore e ka lansuar një raketë balistike, që ka rënë në apo afër ujërave japoneze, djuke e vazhduar injorimin e kërcënimit me sanksione të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Japonia tha se pjesa kryesore e trupit të raketës ka rënë jashtë zonës ekonomike të Japonisë. Kryeministri, Shinzo Abe, tha se lansimi ishte “akt i tmerrshëm” dhe “kërcënim serioz” për Japoninë.
Ai theksoi se Japonia “protestoi fuqishëm”.
Raketa e tipit Rodong, me rreze të mesme veprimi, ka fluturuar afro 620 mile dhe ka rënë në Detin e Japonisë, pasi ishte lansuar sot herët në mëngjes.
Komanda Strategjike e Shteteve të Bashkuara tha se i ka detektuar dy raketa, ndërsa njëra ka eksploduar menjëherë pas lansimit.
“Ne mbesim të përgatitur…për ta mbrojtur vetveten dhe aleatët tanë nga çfarëdo sulmi ose provokimi”, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Anna Richey-Allen, dhe ka shtuar se “ne synojmë që shqetësimet tona t’i paraqesim në Kombet e Bashkuara”.