Këshilli i Sigurimit, seancë të jashtëzakonshme për Korenë Veriore
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, e ka caktuar mbajtjen e një takimi urgjent për sonte me kërkesë të SHBA-ve dhe Japonisë për të diskutuar lansimin e një rakete balistike nga Koreja Veriore e cila më pas ka rënë në ujërat e Japonisë.
Japonia ka thënë se kjo që ka ndodhur mëngjesin e 3 gushtit, është “vepër e egër” dhe “kërcënim i madh” për Japoninë.
Japonia gjithashtu ka sqaruar se trupi i raketës së llojit “Rodong” ka rënë në Detin e Japonisë.
Ndërkaq, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Koresë së Jugut ka thënë se përdorimi i kësaj rakete nga Koreja Veriore tregon për ambiciet e këtij shtetit që në mënyrë “direkte dhe të gjerë të sulmojë vendet fqinje”.
Komanda Strategjike e SHBA-ve ka thënë se ka detektuar dy raketa, njëra prej të cilave ka eksploduar menjëherë pasi është lansuar.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Anna Richey Allen ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë “të përgatitura…të mbrojnë vetën dhe aleatët nga çfarëdo sulmi apo provokimi”.