Koncensioni i Rrugës së Kombit, 9.2 milionë euro në vit përfiton kompania turke
Vetëm duke iu referuar lëvizjes së automjeteve në kufirin Shqipëri – Kosovë, koncesionari i Rrugës së Kombit do të sigurojë të ardhura në një vit më shumë se 9.2 milionë euro.
Sipas të dhënave të Policisë Kufitare në Morinë më 2015 janë regjistruar 5 milionë e 412, 238 hyrje-dalje të personave dhe 1,849,987 hyrje-dalje të automjeteve.
Duke iu referuar këtyre të dhënave taksimi i 1,849,987 automjeteve me 5 euro për çdo kalim gjeneron të ardhura 9.2 milionë euro për koncesionarin. Po të merret në konsideratë fakti se automjetet e rënda do të taksohen më shumë, kjo e ardhurë do të jetë më e lartë. Ministria e Transporteve nuk e ka zbardhur tarifën për automjetet e tjera ende.
Por të ardhurat shtohen edhe më shumë po të llogariten automjetet e qyteteve Mirditë dhe Kukës.
Nëse ky trafik lëvizje ruhet biznesi i koncesionit në Rrugën e Kombit shihet të ketë leverdishmëri, pasi kostot e mirëmbajtjes nuk janë më shumë se 8 milionë euro në vit, sipas përllogaritjeve zyrtare të Ministrisë së Transportit.
Por ekspertë të sektorit pohojnë se taksa mbi Rrugën e Kombit ka gjasa të frenojë trafikun e lëvizjes, pasi ky fenomen është i njohur në praktika të tilla. Ata shpjegojnë se përdoruesit e e automjeteve të vogla mund të orientohen të udhëtojnë me furgonë dhe autobusë për të minimizuar shpenzimet.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Transporteve shpalli fitues të koncesionit disa ditë më parë bashkimin e përkohshëm të shoqërive i kryesuar nga “Vendeka Bilgi”.
Burimet zyrtare të Ministrisë së Transportit kanë sqaruar se “Vendeka” i plotësonte kriteret e kualifikimit dhe se oferta e saj për pagesë vjetore nga buxheti sillte një investim kapital fillestar të propozuar në shumën 50,6 milionë euro, dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 320,6 milionë euro për një periudhë 30-vjeçare.,
Por qytetarët nuk e kanë mirëpritur këtë vendim. “Nisma Thurje” ka iniciuar një peticion online, në të cilin nëpërmjet firmave të qytetarëve, i kërkohet qeverisë të anulojë vendimin.
Bashkë me tarifën e skanimit koncesioni në Rrugën e Kombit do të rrisë ndjeshëm kostot e tregtisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.