Albspirit

Media/News/Publishing

Vettingu/Zbardhen vërejtjet dhe konstatimet e ekspertëve të PD

Ekspertët e Partisë Demokratike kanë renditur një sërë vërejtjet dhe konstatimesh në lidhje me ligjet që pritet të miratohen në Kuvend dhe përmes të cilave do të bazohet ngritja e institucioneve të reja dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Veçanërisht vëmendja është përqëndruar në procesin e Vettingut, apo pr/ligjin për rivlerësimin kalimtar të gjytarëve dhe prokurorëve.

Projektligji, sipas ekspertëve të PD-së, nuk detajon listën e plotë të komponentëve që përfshinë vlerësimi profesional. Po kështu PD kërkon një qartësim edhe të kriterit përsa i përket ndalimit të mbajtjes së funksioneve politike në administratën publike apo pozicione drejtuese në partitë politike duke kërkuar që të zgjerohet kjo listë më funksionarët politik si ministër, zëvendësministër, deputet, etj.

Ekspertët e PD kanë nxjerrë një sërë çështjesh që tashmë janë në tryezat e ekspertëve të të gjitha palëve të përfshirë në këtë proces, ku theksohet që në fillim se aspektet më problematike të përmbajtjes së projektligjit, nisnin që me tekstin e projektligjit i cili thuhet se nuk detajon procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të organeve të vettingut, si dhe procesin e vlerësimit të kandidaturave, duke e lënë kështu këtë proces në diskrecionin e organeve të përfshira në procedure.

Kjo sipas demokratëve vjen në kundërshtim me delegimin që ka bërë pika 12 e nenit C të Aneksit të Amendamenteve Kushtetuese. Duke u ndalur tek roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe vëzhguesve ndërkombëtar, ekspertët e PD shprehen se ai duhet të jetë në përputhje me ndryshimet e reja kushtetuese, që i koncepton ato si rojtarë që sigurojnë në veçanti transparencë, ndërsa kompetencën vendimmarrëse e lenë në duart e organit të brendshëm.

Sipas ekspertëve të PD, projektligji nuk detajon rastet e përjashtimit të kandidatëve nga konkurrimi, mënyrën dhe arsyet e këtij përjashtimi, si dhe të drejtën e ankimit për përjashtimin. Gjithashtu në projektligj roli aktiv dhe përcaktues që kanë organe të kontrolluara apo nën varësinë e pushtetit ekzekutiv (ILDKPKI dhe DSIK), pasi sjell kontroll tërësor të Kryeministrit në të paktën 2 nga 3 komponentët e procesit të rivlerësimit.

Sipas propozimeve të PD-së, procesi i vlerësimit të pasurisë dhe kontrollit të figurës duhet të rikonceptohet, në mënyrë që të japë të gjitha garancitë e nevojshme që do të arrihet rezultati i pritshëm. Masa e jashtëzakonshme e rivlerësimit duhet të zbatohet ekskluzivisht nga organet e posaçme të Vettingut, pa asnjë rol aktiv të organeve ekzistuese, të kontrolluara apo nën varësinë e Kryeministrit.

Procesi i rivlerësimit duhet të përmbushë standardet për një proces të rregullt ligjor, duke mbajtur në konsideratë konstatimet e Komisionit të Venecias. Periudha e vlerësimit profesional duhet të garantojë mosndërhyrjen e organeve të vettingut në vendimmarrjen konkrete për çështje që kanë në dorë gjyqtarët apo prokurorët, janë disa nga konstatimet e ekspertëve të PD.

Please follow and like us: